Kërko

Papa kujton martirizimin e misionareve në Salvador, më 1980

Në përfundim të audiencës së përgjithshme Françesku kujtoi vrasjen e Maura Clarke, Ita Ford, Dorothy Kazel e Jean Donovan, katër gra të kushtuara Zotit, të cilat në epokën e regjimit ushtarak u shërbenin të varfërve të vendit qendramerikan. Pasdite, në Romë, kremtohet Mesha kushtuar këtyre figurave të ndritura, kryesuar nga kardinali Czerny

R. SH. - Vatikan

Papa hapi, në përfundim të audiencës së përgjithshme, një faqe të dhimbshme nga historia e Salvadorit, kur brutaliteti ishte i tmerrshëm e vdekja, fjala e ditës. Kujtoi Maura Clarke, Ita Ford, Dorothy Kazel e Jean Donovan, - dy të parat rregulltare të Marynkoll, e treta orsoline, e katërta misionare laike - katër viktima të humnerës në të cilën u rrokullis Salvadori nga fundi i viteve ’70, kur regjimi ushtarak golpist, që sapo kish vrarë imzot Romeron, e qeveriste vendin me skuadrat e vdekjes, për të shuar çdo zë, që mund t’i dukej sadopak armiqësor. Si në rastin e katër motrave, me një “faj” të vetëm: ishin nga ana a të varfërve, që jetonin në mjerim të plotë. Atë ditë, 40 vjet më parë, katër rregulltaret u kapën në aeroport nga burra me uniformë e aty edhe u martirizuan, siç e kujtoi Papa:

“Më 2 dhjetor të vitit 1980 u rrëmbyen, u përdhunuan e u mbytën nga një grup paraushtarakësh. Shërbenin në El Salvador, në rrethanat e luftës civile. Me angazhim ungjillor e duke përballuar rreziqe të panumërta, u çonin ushqime e ilaçe të pastrehëve dhe ndihmonin familjet më të varfëra. Këto gra e jetuan me bujari të madhe fenë e tyre. Janë shembull për të gjithë ata, që duan të bëhen dishepuj besnikë misionarë”.

Trupat e  Maura Clarke dhe të shoqeve të saj u gjetën ditën pasi ishin flakur në një gropë, njëlloj si mijëra e mijëra njerëz të tjerë, të mbytur në këtë kohë krimesh të tmerrshme, që la pas vetëm varre më shumë të panjohura!

Jeta e rregulltareve dhe dëshmia e tyre do të jetë në zemër të Meshës, që do ta kremtojë sot, në orën 18.30, kardinali Michael Czerny, zëvendës-sekretar i Seksionit Migrantët e Refugjatët të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në Oratoin Caravita, në Romë.

02 dhjetor 2020, 12:41