Kërko

Vatican News

Papa: Jezusi që lind, dhuratë e Zotit për botën

Krishtlindja na tregon se Krishti është për ne paqe, gëzim, ngushëllim. Por për t’i merituar këto dhurata, duhet ta ndjejmë veten të vegjël, si personazhet e Shpellës së Betlehemit. Ky, pohimi i Françeskut në përshëndetjen drejtuar delegacionit slloven e atij abrucez, që dhuruan Bredhin dhe Shpellën, gati për festë në Sheshin e Shën Pjetrit. Pasdite, përurimi.

R. SH. - Vatikan

Krahu i fuqishëm i një vinçi e ngriti në këmbë bredhin madhështor prej 28 metrash, me diametër rreth 70 centimetra, që erdhi nga njëri prej pyjeve më të bukura të Sllovenisë, në zonën jug-lindore të saj e, pikërisht, nga komuna Kočevje, pranë lumit Rinža, zonë 90% e pyllëzuar, që bën pjesë në listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s, si një nga 63 vendet, ku ka pyje të lashta ahu.

Nëse bredhi vjen nga Sllovenia, Betlehemi i sivjetëm vjen nga Italia e është prej qeramike me shtatore, që ruajnë përmasat e vërteta njerëzore. Qeramika prodhohet në Castelli, në provincën e Teramos, qendër shumë e rëndësishme që nga shekulli XVI. Simbol kulturor për gjithë rajonin e Abruzzo-s, Betlehemi i sivjetëm është edhe objekt arti bashkëkohor, me rrënjë në traditën e punimit të qeramikës kastelane.

E sot pasdite Sheshi u mbush me dritë! U ndriçuan dy simbolet e Krishlindjes, që do të rrezatojnë dritën e Zotit mbi njerëzit deri në përfundim të Festave të mëdha të dimrit. E për këtë festë, erdhën edhe delegacionet nga vendet dhuruese, që u pritën nga Papa Françesku.

Bredhi i Krishtlindjes e Shpella e Betlehemit, mesazhe shprese

Delegacioni slloven përbëhet nga disa ministra, ambasadorë e personalitete të tjera, kryesohet nga Ministri i Punëve të Brendshme e shoqërohet nga kardinali Rodé dhe kryeipeshkvi Maribor. Ai i dioqezës abruceze, nga ipeshkvi, imzot Lorenzo Leuzzi dhe një mori autoritetesh civile. Bredhi e Betelhemi - pohoi Papa - nuk kanë qenë kurrë më shumë se këtë vit “ikona” të Krishtlindjes, shenjë shprese për romakët e shtegtarët, që do të kenë mundësi të vijnë e t’i admirojnë!

Atmosferë Krishtlindjeje

Këto dy simbole - kujtoi Papa - ndihmojnë për të krijuar atmosferën e Krishtlindjes, për ta jetuar me fe misterin e Lindjes së Shëlbuesit. Në Shpellën e Betlehemit gjithçka të flet për varfërinë ‘e mirë’, varfërinë ungjillore, që të bën të lum: “kundrimi i Familjes Shenjte e personazheve të  saj, të tërheq fuqimisht me përvujtërinë çarmatosëve e tyre”

Krishti që lind, tregon se Zoti i dhurohet botës

Duke kujtuar përshkrimin e Shën Lukës ungjilltar, Françesku përshkroi udhëtimin e Marisë dhe Jozefit në Betlehem, kërkimin e një strehe për t’u prehur, heshtjen e  Marisë, që “i ruan gjithë këto gjëra në zemër të vet”, në heshtje, pa folur asnjë fjalë. Së fundi, arritja, lindja e foshnjes e prania e barinjve “protagonistë, rreth kësaj strehe të çuditshme, ku lind një Zot - siç e lexojmë në Ungjill. E pastaj, kumti gazmor i Engjëllit:

“Festa e Këshndellave na kujton se Krishti është paqja jonë, gëzimi ynë, forca jonë, ngushëllimi ynë. Por për  t’i marrë këto dhurate hiri, duhet ta ndjejmë veten të vegjël e të përvuajtur, si personazhet e Betlehemit. Edhe në këtë Krishtlindje, në mes të vuajtjeve shkaktuar nga pandemia, Jezusi, i vogël e krejt i pambrojtur, është ‘Shenja e shpresës’, që Zoti ia dhuron botës”.

Në përfundim të takimit, Papa Françesku me delegacionin slloven e atë abrucez, prej nga erdhi dhurata e Bredhit  dhe e Shpellës së Betlhemit, që u përuruan, më pas në Sheshin e Shën Pjetrit, i ftoi besimtarët  ta rilexojnë   Letrën e tij kushtuar Shpellës së Betlehemit, nënshkruar një vit më parë në Greço.

11 dhjetor 2020, 15:57