Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa Françesku 50 vjet më parë niste rrugën e meshtarisë

I shuguruar më 13 dhjetor të vitit 1969, Papa i ardhshëm e ndjeu thirrjen 16 vjet para kësaj date, më 21 shtator të vitit ’53, në përkujtimin liturgjik të Shën Mateut. Atë ditë, Bergoglio i ri, duke shkuar në famulli, ndjeu nevojën të rrëfehej e, që nga ky rrëfim, në jetën e tij ndryshoi gjithçka!

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot 50-vjetorin e meshtarisë. Jorge Mario Bergoglio u shugurua meshtar më 13 dhjetor 1969, pak ditë pas 33-vjetorit të ditëlindjes (17 dhjetor): njëmbëdhjetë ditë para kësaj date, më 11 mars 1958, kishte hyrë në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit, ku bëri kushtet  përhershme më 22 prill 1973. Papa i ardhshëm e zbuloi thirrjen më 21 shtator 1953: ishte dita e kujtimit liturgjik të Shën Mateut e Bergoglio i ri, 18 vjeç, nësa kalonte në famullinë, ku e kishte zakon të shkonte shpesh, ndjeu nevojën të rrëfehej…

Të ndjesh se po pritesh

Gjeti një prift, që nuk e njihte e ky rrëfim ia ndryshoi rrjedhën e jetës. “Ishte për mua përvojë takimi! Gjeta dikënd, që po më priste - tregoi  Françesku më 18 maj 2013, natën e Rrëshajëve, kur në Sheshin e Shën Pjetrit takohej me lëvizjet, bashkësitë e reja e shoqatat laikale. - Po prisja prej kohe. Pas rrëfimit, ndjeva se diçka kishte ndryshuar. Nuk isha më njëlloj. Kisha dëgjuar një si zë, si thirrje: isha i bindur se duhej të bëhesha meshtar. Bergogio e ndjeu kështu praninë plot dashuri të Zotit në jetën e tij. Ndjeu thirrjen për jetë rregulltare, sipas shembullit të Shën Injacit të Lojolës. Ishte pikërisht ky episod i jetës së tij, që e frymëzoi të zgjidhte si moto papnore “miserando atque eligendo” - përdorur që kur ishte ipeshkëv e shkëputur nga Homelitë e Shën Bedës së Nderuar, meshtar(Om.21;CCL 122,149-151) i cili, duke kometuar episodin ungjillor  të thirrjes së Shën Mateut, shkruan: “Pa Jezusi një publikan e si e shikoi me dashuri, e zgjodhi e i tha: ndiqmë!”.

Meshtarët, në zemër të Papës

Papa Françesku u drejtohet shpesh meshtarëve në homelitë dhe fjalimet e tij. Sivjet, posaçërisht, i kujtoi edhe më shpesh, duke theksuar misionin e tyre fisnik pranë besimtarëve të prekur nga emergjenca shëndetësore. E u kujtoi edhe detyrën e tyre:

“Si meshtarë, bij e anëtarë të një populli meshtarak, na pret detyra të marrim mbi vete përgjegjësinë për të ardhmen e për ta projektuar si vëllezër - shkroi në  një letër drejtuar klerit romak, më 31 majin e kaluar- duke i ftuar meshtarët ta prekin me dorë dhimbjen e popullit të Zotit”.

13 dhjetor 2020, 13:57