Kërko

Papa: duke shikuar Marinë e shndërrojmë jetën tonë në dhuratë

Gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Zojës së Guadalupes, Françesku e përqendroi homelinë mbi tri fjalë: “begati, bekim e dhuratë!”

R. SH. - Vatikan

Sot Kisha kremton festën e Zojës së Guadalupes, Pajtore e Amerikës Latine. Është Zoja që, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531 iu duk mbi kodrinën e Tepeyac, në veri të Qytetit të Meskikos, një djaloshi të thjeshtë indian, që quhej Juan Diego, shpallur Shenjt nga Gjon Pali II, në vitin 2002. Këtë ngjarje përkujtoi sot Papa Françesku duke kryesur, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtimin eukaristik. Ndërsa ia ngulim sytë figurës së Virgjërës - kujtoi Papa - shikojmë tre realitete: begatinë, bekimin e dhuratën.

Begatia

Zoti  - tha Papa - na ofrohet gjithnjë begatisht, na e jep gjithçka me begati. Ai nuk njeh masë, jep begatisht. “Kufiri i Tij” - shtoi Papa, është bujaria, pamundësia për të dhënë në një mënyrë, që nuk është e begatë.

Bekimi

Takimi i Marisë me Elizabetën - vijoi - është bekim. Të bekosh ka kuptimin “të thuash mirë”, e Zoti qysh në faqen e parë të  Librit të Zanafillës është mësuar me këtë stil: “ta thotë gjithçka mirë”. Stili i Zotit, pra, është ta thotë mirë ç’ka për të thënë, prej këndej, mallkimi është stili i djallit, i armikut, stili i shpirtvogëlsisë, i paaftësisë për t’u dhuruar plotësisht.

Dhurata

Pastaj është edhe dhurata e Zotit, që na paraqitet si bekim. Kjo është dhurata e  Zotit - kujtoi Papa - na paraqitet e dëshiron të na rizgjojë vazhdimisht gjatë gjithë Zbulesës: “Bekuar qofsh mbi të gjitha gratë, sepse na solle të Bekuarin”. Duke soditur figuren e Nënës sonë - pohoi në përfundim Papa - i kërkojmë Zotit pakëz nga stili i Tij: begati, fjalën e bekimit, kurrë të mallkimit dhe shndërrimin e jetës sonë në dhuratë.

Dukjet e Marisë në Guadalupe, në vitin 1531

Disa vite pas pushtimit gjakatar të Meksikos nga ana e spanjollëve, Zoja, iu duk indianit të vobegtë, Juan Diego, me pamjen e një vashe metise. Ishte data 9 dhjetor e vitit 1531. Maria e zgjodhi djaloshin si të dërguarin e saj te ipeshkvi, me kërkesën që t’i ndërtonte një kapelë në atë vend. Ipeshkvi nuk i besoi fare indianit. Po Zoja dërgoi një shenjë tjetër: në pikë të dimrit, mbi kodrën shkëmbore u duken një mori trëndafilash. Juan Diego i mblodhi në mantelin e tij e, kur doli para ipeshkvit, ndodhi mrekullia: lulet u derdhën përdhe e mbi pëlhurën e mantelit u duk mrekullisht figura e Virgjërës Mari. A mund të mos besonte më ipeshkvi? Besoi, pra, dhe e ndërtoi tempullin që donte Zoja e Zeshkët, Zoja Metise, përmbi kodër. Pas kësaj ngjarjeje shumëkush kërkoi pagëzimin. Ungjilli nuk mbeti pronë e “conquistadores”, “pushtuesve”. Sepse Zoja e bekuar është Nëna e të gjithëve! Ndaj Zoja e Guadalupes u shpall edhe Mbretëreshë e të gjithë Amerikës.

Ndjesa e plotë nga shtëpia

Pendestaria Apostolike, me mandatin e papës Françeku, e shtrin Ndjesën e Plotë mbi besimtarët e të gjithë botës, të cilët do të kremtojnë 125-vjetorin e Kurorëzimit të Zojës së Guadalupes nga shtëpia, sot, më 12 dhjetor. Bazilika mariane në Meksikë është mbyllur që nga data 10 e do të qëndrojë e tillë deri më 13 dhjetor, për shkak të pandemisë së Covid-19, në mënyrë që të shmangen turmat tradicionale, të zakonshme në këtë periudhë.

12 dhjetor 2020, 13:54