Kërko

Papa: jetojmë kohë vendimtare, përgjigjja është solidariteti

Të rimendohen marrëdhëniet ndërmjet njeriut, natyrës dhe Krijuesit, duke i parë si faktor ekuilibri e bashkimi të thellë, jo të bazuara mbi logjikën e fitimit: kështu i shkruan Papa Françesku Coldiretti-t - shoqatës më të madhe italiane, që përfaqëson bujqësinë, bujqit dhe blegtorët – në një mesazh me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin

R.SH. - Vatikan

Me rastin e takimit të zakonshëm të fundvitit me gjithë drejtuesit territorialë të Coldiretti-t - shoqata më e madhe italiane, që përfaqëson bujqësinë, bujqit dhe blegtorët – Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i dërgon një mesazh, në emër të Papës Françesku, kreut të kësaj shoqate, Ettore Prandini.

Takimi i fundvitit i Coldiretti-t ka si temë “Italia rinis nga heronjtë e ushqimit” e do të reflektojë mbi vlerën e rëndësishme të botës së bujqësisë për t’i dhënë hov ekonomisë italiane. “Ati i Shenjtë – shkruan kardinali – i përshëndet të gjithë me përzemërsi, duke shprehur kënaqësi për këtë takim, i cili i kërkon çdo personi vullnetmirë t’i rimendojë marrëdhëniet ndërmjet njeriut, natyrës dhe Krijuesit, duke i parë si faktor ekuilibri e bashkimi të thellë, jo të bazuara mbi logjikën e fitimit, por mbi atë të shërbimit, jo si shfrytëzim burimesh, por si kujdes e vëmendje ndaj natyrës, që është shtëpi mikpritëse për të gjithë”.

Së fundi, Papa inkurajon të ndërmerren rrugë bamirësie e solidariteti, për t’i dhënë përgjigje globale varfërisë dhe pabarazisë ndërmjet popujve, sidomos në këtë fazë të vështirë të historisë botërore. Ati i Shenjtë u jep pjesëmarrësve në takim dhe familjarëve të tyre bekimin e tij apostolik, duke u uruar paqe e çdo të mirë për Krishtlindje.

15 dhjetor 2020, 12:07