Kërko

Vatican News

Një javë me Papën Françesku

Emërimi i Nuncit të ri Apostolik në Shqipëri, kremtimi i veçantë i Zojës së Papërlyer, videomesazhet për probleme të rëndësishme të botës, karakterizojnë veprimtarinë e kësaj jave të pasur për Papën Françesku.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku tha sot lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të dielën III të Kohës së Ardhjes, që përkoi bukur me përvjetorin e shugurimit të tij meshtarak. Vërtet, Jorge Mario Bergoglio hyri në Shoqërinë e Jezusit më 11 mars 1958, por u shugurua meshtar më 13 dhjetor 1969.

 Për shkak të pandemisë, nuk ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit fëmijët e dioqezës së Romës, që zakonisht vijnë, së bashku me besimtarë të tjerë, për të ngritur lart Foshnjën Hyjnore të Betlehemit të shtëpive të tyre, në mënyrë që Ati i Shenjtë t’i bekojë. Dëshmia e shën Gjon Pagëzuesit për Krishtin, në qendër të reflektimit të Papës Françesku.

Papa ndërhyri në “Virtual Climate Ambition Summit”, më 12 dhjetor, duke vënë në pah se “aleanca ndërmjet qenieve njerëzore dhe mjedisit” duhet të respektojë njerëzit “më të brishtë”. Ati i Shenjtë kërkoi gjetjen e “zgjidhjeve politike ose teknike”, që favorizojnë një “proces edukativ” të aftë për të promovuar, “veçanërisht ndërmjet të rinjve, mënyra të reja jetese”. Papa i kërkoi njerëzimit ta ndryshojë vështrimin ndaj botës e të bëhet i ri, më atë risi, që përmendet në Ungjill. Pas pandemisë, vërejti Françesku, COP26, Takimi i ri për Klimën që do të mbahet në Glasgou, në nëtor 2021, “do të jetë çast i rëndësishëm për ta matur e për ta stimuluar vullnetin kolektiv dhe impenjimin e çdo shteti” që t’i sigurohet planetit një frymëmarrje e re.

Në po këtë uebinar, organizuar javën e kaluar nga ambasadat britanike, franceze dhe italiane në Selinë e Shenjtë, në 5-vjetorin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën, dërgoi një videomesazh edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Ai kërkoi të promovohet “kultura e kujdesit”, duke nënvizuar se është rritur vetëdija e shoqërisë civile për pasojat e ndryshimit të klimës, por e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me vullnetin politik.

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të ditur të enjten e kaluar kalendarin e kremtimeve të Papës Françesku nga vigjilja e Krishtlindjes deri më 6 janar. E veçanta e këtij viti është se, për shkak të pandemisë, njerëzit duhet të mbyllen në shtëpi brenda orës 22.00. Prandaj, Papa do ta kremtojë meshën e Natës së Krishtlindjes, në orën 19.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kremtimet e tjera të ditës do të mbahen si zakonisht, por numri i besimtarëve të pranishëm do të jetë i kufizuar.

Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë vijoi ciklin e katekizmit kushtuar lutjes e ftoi t’i drejtohemi Zotit edhe për gjërat më të vogla të jetës së përditshme. “Zoti e dëgjon britmën e atij që e thërret – pohoi Papa. - I dëgjon edhe kërkesat tona të belbëzuara, ato, që i kemi në fund të zemrës”. “Deri vdekja dridhet nga frika, kur i krishteri lutet, nga që e di se çdo lutës e ka një aleat më të fortë se ajo: Zotin e ngjallur. Vdekja është mundur tashmë nga Krishti. E do të vijë dita në të cilën gjithçka do të jetë përfundimtare e ajo nuk do të mund të tallet më me jetën tonë e me lumturinë tonë”, theksoi Ati i Shenjtë.

I veçantë, kremtimi i sivjetëm i solemnitetit të Zojës së Papërlyer për Papën Françesku. Kur Roma akoma nuk ishte zgjuar nga gjumi, në orën 7 të mëngjesit, Ati i Shenjtë shkoi në Sheshin e Spanjës, para shtatores mariane në qendër të kryeqytetit italian, për një akt nderimi privat ndaj Virgjërës Shenjte. Shmangu kështu, grumbullimin e njerëzve, që zakonisht e shoqërojnë këtë gjest. Para se të kthehej në Vatikan, kaloi edhe në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u lut para ikonës së shën Marisë “Salus Populi Romani” dhe kremtoi meshën në kapelën e Betlehemit. Rrugës, u ndal në Sheshin e Shën Pjetrit dhe më pas, në postbllokun e ushtarëve italianë, që kontrollojnë hyrjen në Vatikan. I përshëndeti përzemërsisht dhe u dha një dhuratë të vogël.

I javës së kaluar është edhe lajmi për shtegtimin e parë të Papës Françesku jashtë Italisë, në këtë kohë pandemie. Ati i Shenjtë do të shkojë në Irak nga data 5 deri më 8 marsin e vitit 2021. Siç njoftoi Salla e Shtypit e Vatikanit, Papa do të vizitojë Bagdatin, Pllajën e Ur, Erbilin, Mosulin dhe Qaraqosh-in, në Pllajën e Ninives.

Të enjten, një nga veprimtaritë e Papës kishte të bënte drejtpërdrejt me Shqipërinë. Ati i Shenjtë Papa Françesku emëroi Nuncin e ri apostolik në Tiranë. Ai është imzot Luigi Bonazzi, kryeipeshkëv titullar i Atella-s, deri tani Nunc apostolik në Kanada.

Nunci i ri apostolik është i nënti përfaqësues diplomatik i Selisë së Shenjtë i emëruar në Shqipëri, që nga viti 1920. I pari pas pushtimit otoman të vendit, qe imzot Ernesto Cozzi, që u caktua në detyrë më 12 nëntor 1920, ndërsa i pari pas komunizmit qe ipeshkvi indian imzot Ivan Cornelius Dias, në krye të Nunciaturës Apostolike në Shqipëri, që nga 28 tetori i vitit 1991. Nunci Apostolik  i fundit në Tiranë ka qenë imzot Charles John Brown, i cili, më 28 shtator të këtij viti, u caktua nga Papa me të njëjtën detyrë diplomatike në Filipine.

13 dhjetor 2020, 12:30