Kërko

Vatican News

Motu Proprio e Papës: i takon Selisë së Shenjtë, miratimi i rregulltarëve në Kishën Lindore

Me Motu Proprion e sotme “Ab Initio”, Papa Françesku ndryshon dy kanone të Kodit të së Drejtës Kanonike për Kishat Lindore, që kanë të bëjnë me miratimin e urdhërave të rinj rregulltarë nga ana e ipeshkvit. Ashtu siç bëri vetëm pak kohë më parë për Kishën e ritit latin, Papa vendosi që edhe për Kishën e ritit lindor urdhërat e rinj rregulltarë të miratohen gjithnjë nga ipeshkvi, pas miratimit me shkrim nga ana e Selisë së Shenjtë. Shpjegimet e imzot Giorgio Demetrio Gallaro-s

R.SH: - Vatikan

“Që nga kohët e para të Kishës, disa besimtarë ndjenë thirrjen për t’ia kushtuar në mënyrë të veçantë jetën e tyre shërbimit për Zotin e për vëllezërit, duke dëshmuar para bashkësive të tyre shkëputjen nga bota, përmes atyre, që më pas do të ktheheshin në kushtet ungjillore të pastrisë, të varfërisë e të bindjes”. Fillon kështu Motu Proprio i sotëm i Papës Françesku, “Ab Initio”, me të cilin Ati i Shenjtë ndryshon dy kanone të Kodit të së Drejtës Kanonike për Kishat Lindore, që kanë të bëjnë me miratimin e urdhërave të reja rregulltare nga ana e ipeshkvit. Ashtu siç bëri vetëm pak kohë më parë për Kishën e ritit latin, Papa vendosi që edhe për Kishën e ritit lindor bashkësitë e reja rregulltare të miratohen gjithnjë nga ipeshkvi, pas miratimit me shkrim nga ana e Selisë së Shenjtë.

          Në dokument, Françesku kujton se jeta e shuguruar filloi në Lindje e pastaj u përhap në Perëndim, duke përcaktuar edhe një Rregull për bashkësinë e rregulltarëve dhe bindjen ndaj eprorit. Kisha i pranon format e ndryshme të jetës rregulltare si pasuri e dhuratave të Shpirtit Shenjt. Autoriteti kishtar, kryesisht ipeshkvi, përpiqet të kuptojë ndjetin fillestar, sheh me vëmendje udhën e kryer nga anëtarët e bashkësisë, kontrollon zbatimin në praktikë të rregullave të saj e, duke u nisur nga kjo përvojë, miraton forma të qëndrueshme të jetës rregulltare, duke shmangur lindjen e “institucioneve të padobishme, ose me forcë të pamjaftueshme” (Decreto Perfectae Caritatis, 19).

          Selisë Apostolike i takon si shoqërimi i barinjve të Kishës në procesin e shoshitjes, që çon në njohjen kishtare të një Instituti, ose të një Shoqërie të re të së drejtës eparkiale, ashtu edhe gjykimi përfundimtar për vlerësimin e vërtetësisë së qëllimit, që frymëzon të shugurarit e rinj. Për këtë arsye, Ati i Shenjtë vendosi të ndryshojë kanonet 435 dhe 506 të Kodit të së Drejtës Kanonike për Kishat Lindore, duke përcaktuar që bashkësitë e reja rregulltare të miratohen nga ipeshkvi eparkial, pas konsultimit me Patriarkun dhe pas miratimit me shkrim të Selisë së Shenjtë.

Për ta kuptuar këtë ndryshim i kërkuam një shpjegim Sekretarit të Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore, imzot Giorgio Demetrio Gallaro, i cili deri pak kohë më parë, ishte ipeshkëv i Eparkisë së Horës së Arbëreshëve në Sicili.

Praktikisht, me botimin e Letrës Apostolike “Authenticum Charismatis”, e cila ndryshon disa kanone të Kodit Latin të vitit 1983, Papa vendosi që për krijimin e një instituti të ri të jetës së shuguruar të kërkohet leja paraprake e Selisë së Shenjtë dhe, duke e konsideruar urgjente dhe të volitshme që edhe Kishat Katolike të Lindjes të kenë një instrument të ngjashëm legjislativ, me Letrën Apostolike “Ab Initio”, Ati i Shenjtë e vendosi krejt legjislacionin e Kishës Katolike, Lindore dhe Perëndimore, në të njëjtën vijë. Ky është qëllimi i këtij Motu Proprio kushtuar Kishave Lindore, që të mos krijohen situata të ndryshme. Duhet thënë edhe se që nga Koncili II i Vatikanit, kemi pasur shumë forma të reja të jetës rregulltare, shumë institucione e, nganjëherë, edhe përsëritje. Prandaj, për të shmangur këtë, tani e tutje, do të jetë i nevojshëm miratimi paraprak i Selisë Apostolike, në rastin tonë, përmes Kongregatës për Kishat Lindore, ndërsa për Kishën Latine, përmes Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës apostolike. Kjo është arsyeja kryesore për këtë ndryshim të kanoneve.

Sa është i përhapur fenomeni i formave të reja të jetës rregulltare në Kishën Lindore?

Në Kishat Katolike Lindore është më pak i përhapur se në Kishën Latine, në Kishën e traditës romake. Ka rreth 22-23 Kisha Lindore, por këto forma janë më të pakta. Deri në vitet 1950, për shembull, kishim një prani më të theksuar murgare në Kishat Katolike të Lindjes, por pas një Motu Proprio të Papës Piu XII për jetën rregulltare, - fatkeqësisht, sipas mendimit tim - shumë prej këtyre Instituteve murgare Lindore vendosën të marrin një formë të jetës rregulltare të njëjtë me atë të Kishës Perëndimore. Sidomos pas Koncilit II të Vatikanit, pati një përhapje të re të këtyre instituteve, por tani na duhet një normë kanonike, që nuk krijon dallime. Këtë bëjnë risitë në kanonet e këtij legjislacioni, si në Kodin Latin të vitit 1983 ashtu edhe në Kodin Lindor të Nëntëdhjetës. Papa Françesku s’po bën tjetër, veçse po ndryshon aty-këtu normat kanonike, sipas kërkesave dhe nevojave.

07 dhjetor 2020, 12:02