Kërko

Vatican News
Papa Francesco udienza al Convegno per le persone disabili promosso dalla Cei, giugno 201 Papa Francesco udienza al Convegno per le persone disabili promosso dalla Cei, giugno 201 

Papa: "tё promovojmë kulturën e jetës, në veçanti në mbrojtje të personave me aftësi të kufizuara"

Tema e këtij viti është "Tё rindërtojmë më mirë: drejt një bote post-Covid-19, përfshirë aftësinë e kufizuar, të arritshme dhe të qëndrueshme". Përfshirja duhet të jetë "shkëmbi" mbi të cilin të ndërtohen programet dhe nismat e institucioneve civile në mënyrë që askush, veçanërisht ata që janë më në vështirësi, të mos përjashtohet. Fuqia e një zinxhiri varet nga kujdesi që u jepet hallkave më të dobëta.

R.SH. - Vatikan

Të gjithë jemi në të njëjtën barkë në mesin e një deti të trazuar me dallgë, që mund të na trembë; por në këtë barkë disa e kanë më të vështirë, e ndёr ta janё njerëzit me aftësi të kufizuara".  Kёshtu shkruan, mes të tjerash, Papa Françesku në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, qё bie sot, e enjte 3 dhjetor. Këtë vit, ajo ka si temë: "Tё rindërtojmë më mirë: drejt një bote pas Covid-19, që përfshin njerëzit me aftësi të kufizuara, që është e arritshme dhe e qëndrueshme". Në tekst, Papa Françesku e ngre zërin edhe një herë kundër "kulturës së mënjanimit", nga e cila "preken kategoritë më të brishta, përfshirë personat me aftësi të kufizuara.

Mesazhi i Papёs Françesku

me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kremtimi i Ditës Ndërkombëtare të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara është rast, këtë vit, për të shprehur afërsinë time me të gjithë ata, që po përjetojnë situata me vështirësi të veçantë në këtë krizë pandemike. Të gjithë jemi në të njëjtën barkë, në mes të një deti të trazuar e me dallgë, që mund të na trembë; por në këtë barkë disa luftojnë më shumë, e mes tyre janё njerëzit me aftësi të kufizuara rëndë.

Tema e këtij viti është "Tё rindërtojmë më mirë: drejt një bote pas Covid-19, që përfshin njerëzit me aftësi të kufizuara, që është e arritshme dhe e qëndrueshme". Më bën përshtypje shprehja "tё rindërtojmё më mirë". Na kujton shëmbëlltyrën e Ungjillit qё flet për shtëpinë e ndërtuar mbi shkëmb ose mbi rërë (krh. Mt 7: 24-27; Lk 6: 47-49). Prandaj, shfrytëzoj këtë rast të çmuar për të ndarë disa reflektime, duke u nisur nga shëmbëlltyra.

1. Kërcënimi i kulturës së hedhurinave

Në radhë të parë, "shiu", "lumenjtë" dhe "erërat" që kërcënojnë shtëpinë mund të identifikohen me kulturën e hedhurinave e tё mënjanimit, të përhapur në kohën tonë (krh. Nxitja Apostolike Evangelii Gaudium [EG], 53). Për të, "pjesë të caktuara të njerëzimit duken të flijueshme në avantazh të një përzgjedhjeje që favorizon një sektor njerëzor të denjë për të jetuar pa kufi. Mbi të gjitha, njerëzit nuk ndihen më si vlerë parësore për t'u respektuar dhe mbrojtur, veçanërisht nëse janë të varfër ose me aftësi të kufizuara" (Enc. Fratelli tutti [FT], 18).

Kjo kulturë prek veçanërisht kategoritë më të brishta, ndёr tё cilat, edhe njerëzit me aftësi të kufizuara. Në pesëdhjetë vitet e fundit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, si në nivelin e institucioneve civile, ashtu edhe në realitetet kishtare. Është rritur ndërgjegjësimi për dinjitetin e çdo njeriu dhe kjo ka çuar në vendime të guximshme për përfshirjen e atyre, që jetojnë me kufizime fizike ose / dhe psikologjike. Megjithatë, në nivelin kulturor, ka ende shumë realitete që nё të vërtetë e kundërshtojnë këtë orientim. Ka refuzime që, edhe për shkak të një mendësie narciziste dhe utilitare, çojnë në mёnjanim, duke mos marrë parasysh që, në mënyrë të pashmangshme, brishtësia u përket të gjithëve. Në realitet, ka njerëz me aftësi të kufizuara, edhe serioze, të cilët, pavarësisht nga vështirësitë, kanë gjetur rrugën për një jetë të mirë dhe kuptimplote, ndërsa ka shumë të tjerë "të aftë", të cilët janë të pakënaqur, ose ndonjëherë, edhe të dëshpëruar. "Vulnerabiliteti i përket esencës së njeriut" (krh. Fjalimi në Kuvendin "Katekeza dhe personat me aftësi të kufizuara", 21 tetor 2017).

Prandaj është e rëndësishme, veçanërisht në këtë Ditë, të promovojmë kulturën e jetës, e cila afirmon vazhdimisht dinjitetin e çdo njeriu, veçanërisht mbrojtjen e burrave dhe grave me aftësi të kufizuara, të të gjitha moshave e kushteve shoqërore.

2. "Shkëmbi" i përfshirjes

Pandemia që po përjetojmë ka nxjerrë më tej në pah ndryshimet, dallimet dhe pabarazitë që karakterizojnë kohën tonë, veçanërisht në dëm të më të dobtëve. «Virusi, megjithëse nuk bën përjashtim midis njerëzve, ka gjetur, në rrugën e tij shkatërruese, pabarazi të mëdha dhe diskriminime. Dhe i ka shtuar ato! " (Katekeza në audiencën e përgjithshme të 19 gushtit 2020).

Për këtë arsye, përfshirja është një "shkëmb" i parë mbi të cilin duhet të ndërtojmë shtëpinë tonë. E, megjithëse nganjëherë abuzohet me këtë term, shëmbëlltyra ungjillore  e Samaritanit tё Mirë (Luka 10, 25-37) është gjithmonë aktuale. Në fakt, në rrugën e jetës, hasim shpesh njeriun e lënduar, i cili nganjëherë ka tiparet e paaftësisë e tё brishtësisë. "Përfshirja ose përjashtimi i atyre që vuajnë përcakton të gjitha projektet ekonomike, politike, sociale dhe fetare. Çdo ditë përballemi me zgjedhjen për të qenë samaritanë të mirë, ose udhëtarë indiferentë, që kalojnë anash në distancë"(FT, 69).

Përfshirja duhet të jetë "shkëmbi" mbi të cilin të ndërtohen programet dhe nismat e institucioneve civile në mënyrë që askush, veçanërisht ata që janë më në vështirësi, të mos përjashtohet. Fuqia e zinxhirit varet nga kujdesi që tregohet për hallkat më të dobëta.

Në lidhje me institucionet kishtare, ripohoj nevojën për të siguruar mjete të përshtatshme dhe të arritshme për transmetimin e fesё. Uroj, gjithashtu, që ato të vihen në dispozicion, sa më shumё tё jetё e mundur falas, për ata që kanë nevojë, edhe përmes teknologjive të reja, të cilat kanë rezultuar kaq të rëndësishme për të gjithë në këtë periudhë pandemie. Në të njëjtën mënyrë inkurajoj, për priftërinjtë, seminaristët, rregulltarët, katekistët dhe punëtorët baritorë, një formim të rregullt  në lidhje me marrëdhëniet me aftësinë e kufizuar dhe me përdorimin e mjeteve gjithëpërfshirëse baritore. Komunitetet e famullive kishtare të angazhohen për t'i ndihmuar besimtarët të kenë stilin e mirëpritjes së personave me aftësi të kufizuara. Tё krijosh famulli gjithëpërfshirëse kërkon jo vetëm heqjen e barrierave arkitektonike, por sidomos qëndrime dhe veprime solidariteti e shërbimi, nga ana e besimtarёve për njerëzit me aftësi tё kufizuara dhe familjet e tyre. Qëllimi është që tё flasim jo më për "ata", por vetëm për "ne".

3. "Shkëmbi" i pjesëmarrjes aktive

Për ta "rindërtuar më mirë" shoqërinë tonë,  duhet qё përfshirja e subjekteve më të brishta të parashikojë edhe promovimin e pjesëmarrjes së tyre aktive.

Së pari, ripohoj fuqimisht të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për të marrë Sakramentet si të gjithë anëtarët e tjerë të Kishës. Të gjitha kremtimet liturgjike të famullisë duhet të jenë të frekuentueshme për ta, që secili e të gjithë, së bashku me vëllezërit dhe motrat, të mund të thellohet, ta kremtojë dhe ta jetojë fenё e vet. Njё vëmendje e veçantë duhet t'u kushtohet personave me aftësi të kufizuara që ende nuk kanë marrë Sakramentet e fillesës së krishterë: ata mund të pranohen në përgatitje të këtyre Sakramenteve. Hiri i Tёnzot, bartës tё tё cilit janё, nuk mund t'i përjashtohet askujt.

“Me anë të Pagëzimit të marrë, çdo anëtar i Popullit të Zotit është bërë  dishepull misionar. Çdo i pagëzuar, cilido qoftë funksioni i tij në Kishë dhe shkalla e njohurive për fenё, është subjekt aktiv i ungjillëzimit "(EG, 120). Prandaj, njerëzit me aftësi të kufizuara, në shoqëri e në Kishë, kërkojnë të bëhen subjekte aktive të kujdesit baritor, e jo vetëm pasive. “Shumë njerëz me aftësi të kufizuara e ndiejnё se jetojnё pa marrë pjesë vërtet. Ka akoma shumë gjëra që e pengojnë qytetarinë e tyre tё plotë. Qëllimi nuk është vetëm t'i ndihmojmë, por tё mundësojmë pjesëmarrjen e tyre aktive në bashkësinë civile dhe kishtare. Është një udhëtim, kërkues e i lodhshëm, qё do të kontribuojë gjithnjë e më shumë në formimin e ndërgjegjeve të afta të njohin, të pranojnё e ta vlerёsojnё secilin si person unik e të papërsëritshëm"(FT, 98). Në fakt, pjesëmarrja aktive në katekizëm e personave me aftësi të kufizuara përbën një pasuri të madhe për jetën e mbarë famullisë kishtare. Ata, të shartuar në Krishtin përmes Pagëzimit, ndajnë me Të, në gjendjen e tyre të veçantë, shërbesën meshtarake, profetike dhe mbretërore, duke ungjillëzuar përmes, me dhe në Kishë.

Prandaj, edhe prania e personave me aftësi të kufizuara nё mesin e katekistëve, sipas aftësive të tyre, përfaqëson një pasuri për komunitetin. Në këtë kuptim, duhet të inkurajohet formimi i tyre, në mënyrë që të mund të fitojnë një përgatitje më të mirё edhe në fushёn teologjike dhe katekistike. Uroj që gjithnjë e më shumë, në komunitetet famullitare, njerëzit me aftësi të kufizuara të mund tё jenë në gjendje të bëhen katekistë, për të transmetuar frytshëm fenё, edhe me dëshminë e tyre (krh. Fjalimi në Konferencën "Katekeza dhe njerëzit me aftësi të kufizuara", 21 Tetor 2017).

"Më e keqe se kjo krizë, është vetëm drama e humbjes së rastit" pёr tё ndёrtuar mё mirё (Homily on the Solemnity of Rentecost, 31 maj, 2020). Për këtë i inkurajoj ata që, çdo ditë dhe shpesh në heshtje, e shpenzojnë jetën  në favor të situatave të brishtësisë e tё paaftësisë. Dëshira e përbashkët për të "rindërtuar më mirë" shkakton sinergji ndёrmjet organizatave civile dhe kishtare, për të ndërtuar, kundër të gjitha kundërshtive, një "shtëpi" të fortë, tё aftë të mirëpresë njerëzit me aftësi të kufizuara, sepse është e ndërtuar mbi shkëmbin e përfshirjes dhe tё pjesëmarrjes aktive.

Romë, Shёn Gjoni në Lateran, 3 dhjetor 2020

03 dhjetor 2020, 12:05