Kërko

Vatican News

Masakër në Nigeri. Papa: Zoti i shndërroftë zemrat e terroristëve

Lutja e Papës dhe thirrja për kthesë drejtuar atyre, që kryejnë krime të tmerrshme, si masakra e së shtunës së kaluar në Nigeri. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, qortim i ri i Françeskut, për një vend ku vijon dhuna e ekstremistëve islamikë.

R. SH. - Vatikan

Nigeria rikthehet dramatikisht në qendër të vëmendjes së botës, falë fjalëve që shqiptoi sot Papa, në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme. Lutje, ngushëllim, kthesë kërkon Françesku pak ditë pas masakrës së re mbi civilët, nga më të egrat e këtij viti, pohuar me një video nga terroristët islamikë të Boko Haram. Mburrje kriminale, që të rrënqeth me pamjen e 110 fshatarëve të pafaj, masakruar në emër të Zotit!

“Dëshiroj të siguroj se lutem për Nigerinë që, për fat të keq, vijon të lahet në gjak nga një masakër e re terroriste. Të shtunën e kaluar,  në verilindje të vendit, u vranë brutalisht më se njëqind fshatarë, ndërsa po punonin. Zoti i pranoftë në paqen e  tij, i ngushëlloftë familjarët e i ktheftë zemrat e atyre, që kryejnë tmerre të tilla, duke fyer rëndë emrin e Tij”.

Kjo, thirrja e Papës për ngjarjen kriminale që, me sa duket, ishte akt hakmarrjeje. Boko Haram hakmerrej, kështu, kundër fshatarëve, pse kishin çarmatosur një nga milicët e ushtrisë së tyre. Duhet kujtuar se organizata xhihadiste aleate me Isis, në veri të Nigerisë, që nga viti 2000 e deri më sot ka vrarë më se 36 mijë vetë, ka detyruar të ikin nga trojet e veta miliona banorë, ka rrëmbyer më se dhjetë gra e ka therë 110 fshtarë, nësa po punonin pranë fshatit Koshobe, në shtetin Borno. E kjo ngjarje ndodh në një kohë kur krerët e shtetit, si shprehin afërsinë me familjet, pohojnë se po përpiqen të marrin masa të reja ushtarake për forcimin e sigurisë në terren. Po pikërisht në terren mbretëron krimi e kaosi!

02 dhjetor 2020, 13:10