Kërko

Françesku: Zoti Atë vijon ta bekojë gjithnjë botën

Në audiencën e sotme të përgjithshme, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik të Vatikanit, Papa nxiti të mos mallkojmë, por të bekojmë: “Nëse të gjithë do të bekonim, në botë sigurisht nuk do të kishte më luftëra, as lot!”.

R. SH. - Vatikan

“Zoti është “si atë e si nënë e mirë”, që “nuk pushon kurrë s’e dashuri fëmijën e vet, sado e sido që të gabojë”. Kjo ishte figura që përdori sot Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, për ta bërë sa më të  kapshëm kuptimin e thellë të bekimit, lidhur ngushtë me shpresën e me dashurinë e Zotit për secilin prej nesh. Edhe për më “pandreqshmin”. Zoti – kujtoi në vijim Papa - nuk ndenji duke pritur që të pendohemi, pa të na dojë. Na deshi shumë më shpejt, “kur ishim ende në mëkat”. Të mësojmë, prandaj, nga Ai për të bekuar e për të mos mallkuar kurrë!

Françesku vijoi, kështu, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, ciklin e reflektimeve kushtuar lutjes, duke u përqendruar mbi përmasën themelore, që është bekimi: Zoti e bekoi jetën qysh nga krijimi, qysh nga faqet e para të Biblës. E  vijon të bekojë!

 Në zanafillë të botës është Zoti, që “thotë mirë” dhe pranon se krijimi është shumë i mirë. Ngaqë e shikon se çdo vepër e duarve të Tija është e  mirë dhe e bukur! E kur arrin tek njeriu e krijimi kryhet, pohon se është “gjë shumë e mirë”. Por pas pak kjo bukuri, të cilën Zoti e vulosi mbi veprën e tij, tjetërsohet e njeriu bëhet krijesë e prishur, e aftë për të përhapur mbi gjithësinë mjerimin e mortin! Por s’ka forcë që mund ta zhdukë vulën e Zotit mbi botën, mbi natyrën njerëzore, mbi ne të gjithë: aftësinë për të bekuar e për t’u bekuar. Zoti nuk gaboi me krijimin e gjithësisë, as me krijimin e njeriut. Shpresa e botës mbështetet vetëm mbi bekimin e Zotit. Ai vijon të na dojë fort. Na do i pari e, siç shprehet poeti Péguy, vijon të shpresojë në të mirën tonë.

E bekimi i madh i Atit është Jezu Krishti, dhurata më e madhe e Zotit, “bekim që na shpëtoi të gjithë”- pohoi Papa - duke kujtuar, në vijim,  Shën Palin, që shpall planin e dashurisë së Zotit i cili “na bekoi me të gjitha bekimet shpirtërore në qiell, në Krishtin”:

“Nuk ka mëkat, që të mund ta shlyejë shëmbëllimin e Krishtit të pranishëm në shpirtin e secilit prej nesh. E s’ka mëkat që mund ta shlyejë këtë shëmbëllesë, që na e dhuroi Zoti. Fytyrën e Krishtit. Mëkati mund ta shpërfytyrojë, por jo ta largojë nga mëshira e Zotit. Mëkatari mund të mbetet në gabimet e veta për shumë kohë, por Zoti duron deri në fund të fundit, duke shpresuar se në fund kjo zemër do të hapet e do të ndryshojë. Zoti është si atë i mirë e si nënë e mirë, që vijojnë ta duan birin e vet deri në fund të fundit, edhe kur vijon të gabojë pambarimisht”.

E, për ta konkretizuar këtë mendim, Ati i Shenjtë solli një shembull të jetuar ndërsa vizitonte burgjet. Kujtoi radhën e gjatë të nënave e baballarëve, që prisnin për të hyrë brenda e për të parë bijtë e burgosur, të cilët vijojnë t’i duan, edhe ashtu në pranga - pohoi Papa - e nuk turpërohen duke menduar se më pas ndokush mund t’i tregojë me gisht, si prindër të burgosurish. Ndoshta u vjen zor, por kjo nuk i pengon aspak të rikthehen, pambarimisht në atë radhë aq të padëshiruar - për të parë bijtë gjithnjë të dëshiruar:

“Ka shumë më tepër rëndësi biri, se turpi. Kështu edhe ne për Zotin kemi shumë më tepër rëndësi, sesa të gjitha mëkatet që mund të bëjmë. Sepse Ai është atë e mëmë e dashuri e kulluar. Ai na bekoi përgjithmonë. E nuk do të pushojë kurrë duke na bekuar”.

Një realitet ky, që lidhet ngushtë me shpresën.“Shpresa e botës është gjithnjë bekimi i Zotit: Ai vijon të na dojë fort e fort. Ai i pari, nënvizoi Papa. E në vijim theksoi sa vlerë ka leximi i këtyre teksteve biblike të ngarkuara me bekime, në burgje a në bashkësitë e riedukimit. Sa preken këta njerëz kur dëgjojnë se janë të bekuar, pavarësisht nga gabimet e rënda që kanë bërë, e se Ati qiellor vijon ta dëshirojë të mirën e tyre e të shpresojë se, më në fund, do të rikthehen në rrugë të drejtë:

“Edhe nëse të afërmit më të ngushtë i braktisën - shumë edhe largohen, nuk janë si ato nënat, që vijojntë presin në radhë - i braktisën, pra, sepse i gjykuan si të pandreqshëm, për Zotin janë gjithnjë bij, bija… E nganjëherë ndodhin mrekulli: shikojmë burra e gra, që rilinden. Sepse mbi ta është bekimi, që i vajosi si bij e sepse hiri i Zotit e ndryshon jetën: Zoti na merr ashtu si jemi, po nuk na lë ashtu si jemi”.

Zoti ka gjithnjë mëshirë. Fjalën “mëshirë” e lexojmë pambarimisht në Ungjill. “Pati mëshirë”.

E në fund Papa kujtoi “protokollin e fundit, mbi bazën e të cilit do të gjykohemi të gjithë, duke u ndaluar tek Mateu 25, atje ku Krishti thotë: “Unë isha atje. Isha i uritur, i zhveshur, në burg, në spital! Isha atje!”

E me që Zoti bekon, edhe njerëzit mund të përgjigjen me bekim. Po nuk mund të bekojmë vetëm këtë Zot, që na bekon - kujtoi Papa- sepse jemi të thirrur t’i bekojmë edhe vëllezërit, të bekojmë edhe botën, e kjo është rrënja e butësisë së krishterë, aftësia për ta ndjerë veten të bekuar e për të bekuar:

“Nëse do të bënim të gjithë kështu, sigurisht nuk do të ekzistonin më luftërat. Kjo botë ka nevojë për bekim e ne mund ta japim e ta marrim bekimin. Ati na do. Na mbetet vetëm gëzimi që ndjejmë kur bekojmë e kur falënderojmë, e kur Ai na mëson të mos mallkojmë, por të bekojmë, gjithnjë”.

Në përfundim Françesku i nxiti besimtarët ta pyesin veten a e kanë zakon të mallkojnë. E nëse po, t’i kërkojnë Zotit t’i ndihmojë të heqin dorë nga ky zakon, “sepse kanë në kraharor një zemër të bekuar, e nga zemra e bekuar nuk mund të dalë mallkimi!”.

02 dhjetor 2020, 12:00