Kërko

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot 

Françesku: ta shfrytëzojmë të sotmen për t’i thënë “jo” së keqes e “po” Zotit

Në lutjen e Engjëllit të Solemnitetit të Zojës së Papërlyer, Papa kujton se Portën e Parajsës na e hap vetëm hiri i Zotit, i marrë prej nesh me besnikëri

R. SH. Vatikan

Në festën e sotme liturgjike kremtojmë një nga mrekullitë  e historisë së shëlbimit: Të Zënët pa Mëkat të Virgjërës Mari. Edhe Atë e shpëtoi Krishti, por në një mënyrë krejtësisht të jashtëzakonshme! Zoti deshi që nëna e Birit të Tij të mos prekej nga mjerimi i mëkatit qysh kur u zu në kraharor të sëmës. Kështu Maria qe e lirë nga çdo njollë mëkati, “hirëplote” gjatë gjithë jetës së saj tokësore. E Shpirti Shenjt ishte gjithnjë mbi të, për t’ia ruajtur lidhjen e përkryer me të Birin e saj, Jezus.

Çdo njeri u krijua për shenjtëri

Duke lexuar Himnin mahnitës me të cilin hapet Letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve,  kuptojmë se çdo njeri u krijua nga Zoti për këtë shenjtëri të përkryer, për këtë bukuri, me të cilën Zoja u          stolis që në zanafillë. Caku, ku do të arrijmë, është edhe për ne dhuratë e Zotit i cili - na kujton Apostulli - “na zgjodhi që përpara krijimit të botës për të qenë të shenjtë e të panjollë” e na paracaktoi, në Krishtin, të jemi, një ditë, krejt të lirë nga mëkati. Maria nisi ta jetojë këtë hir që në gjirin e sëmës: ne ushqejmë shpresën ta gëzojmë në parriz.

Çka për Marinë ishte fillimi, për ne do të jetë fundi

Çka për Marinë ishte fillimi, për ne do të jetë fundi, pasi të kemi kaluar përmes “banjos” pastruese të hirit të Krishtit. Të gjithë shenjtorët e shenjtoret e përshkuan këtë rrugë. Edhe më të pafajshmit e patën shenjën e mëkatit të zanafillës e luftuan me të gjitha forcat kundër pasojave të tij.

Porta e ngushtë

Të gjithë shenjtorët kaluan nga “porta e ngushtë”, e cila të çon në jetë. E, a e dini  kush qe i pari që  hyri me siguri në Parajsë? “Një që s’ishte edhe aq mall i mirë!”. Njëri nga dy hajdutët e kryqëzuar me Jezusin. Pikërisht ai që, duke dhënë shpirt, iu drejtua Zotit të kryqëzuar, duke i thënë: “Jezus, kujtoju për mua, kur të hysh në mbretërinë tënde!”. E Krishti i gjegji: “Sot do të jesh me mua në Parriz”. Hiri i Zotit u dhurohet të gjithëve e shumë prej atyre që mbi këtë tokë ishin të fundmit, në qiell do të jenë të parët.

Carpe diem: mos shijo jetën e një çasti, që shket e shkon

Kini mendjen! Këtu nuk vlen fare dinakëria! Përpjekja për ta shtyrë ditë më tjetrën  shqyrtimin e thellë të jetës, duke përfituar nga durimi i Zotit. Njerëzit ndoshta-ndoshta edhe mund t’i gënjejmë. Po Zotin, kurrë! Ai e njeh zemrën tonë më mirë se ne vetë. Të përfitojmë nga ky çast! Ky është kuptimi i krishterë i fjalës së urtë “carpe diem”. Nuk duhet ta gëzojmë çastin që shket e shkon, jo! Ky është kuptimi i botës. E sotmja duhet shfrytëzuar për t’i thënë “jo” së keqes e “po” Zotit, duke ia hapur zemrën për hirin e Tij e duke i dhënë fund hipokrizisë. Ta shikojmë sy më sy realitetin tonë, duke pranuar se nuk e deshëm Zotin as të afërmin, ashtu si duhej ta donim. E rrëfeju, duke nisur udhën e kthesës! Kërko, para së gjithash, ndjesën e Zotit në Sakramentin e pajtimit e pastaj shko e ndreqe të keqen, që i bëre të tjerëve!

Kjo është udha!

Kjo është udha ku duhet të ecim “për t’u bërë shenjtorë e të panjollë". Bukuria e papërlyer e Nënës sonë është e paimitueshme, por njëkohësisht na tërheq fort. T’ia besojmë Asaj vetveten e t’i themi një herë e përgjithmonë “jo” mëkatit e “po” Hirit.

 

 

08 dhjetor 2020, 12:57