Kërko

Irak: Kisha e Mosulit Irak: Kisha e Mosulit 

Françesku rinis shtegtimet: do të jetë në Irak nga 5 deri më 8 mars

Lajmin për shtegtimin e ri, i pari që nga fundi i 2019-tës, e dha drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë: Papa do të vizitojë Bagdadin, Pllajen e Ur, Erbilin, Musulin e Qaraqosh-in.

R. SH. - Vatikan

Katër ditë në Irak: Françesku, pas pesëmbëdhjetë muajsh pa shtegtime ndërkombëtare për shkak të pandemisë, rivihet për udhë. “Duke mirëpritur ftesën e Republikës së Irakut dhe të Kishës katolike vendase, Papa Françesku do të bëjë një Shtegtim Apostolik në vendin e lartpërmendur nga 5 deri më 8 mars 2021. Do të vizitojë Bagdadin, Pllajen e Ur, që lidhet me kujtimin e Abrahamit, qytetin e Erbilit si dhe Mosulin e Qaraqoshin, në Pllajen e Ninives. Programi i shtegtimit do të botohet në përkim me evolucionin e emergjencës shëndetësore botërore”.

Gjest konkret, që flet vetë për afërsinë me të gjithë popullsinë e këtij vendi të martirizuar. Françesku e pati shprehur qartë dëshirën për ta vizituar Irakun më 10 qershor 2019, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Takimit  të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco). “Një mendim ngulmues më shoqëron, kur mendoj për Irakun” - thoshte - duke shprehur dëshirën për të shkuar atje më 2020,  për t’i dhënë nxitjen të ecë përpara, me pjesëmarrjen e të gjitha shtresave, edhe fetare, të shoqërisë, e të mos bjerë rishtas në tensionet, pasojë e konflikteve gjithnjë të pashuara të fuqive rajonale.

Një mundësi, kjo, që u duk gjithnjë më konkrete kur, më 25 janar 2020, Papa priste në Vatikan Barham Salih-in, President i Republikës së Irakut. Kreu i Shtetit ishte takuar edhe me sekretarin e  Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Në atë takim u fol për sfidat e vendit, si ajo e “favorizimit të stabilitetit dhe procesit të rindërtimit - vinte në dukje një notë e Sallës vatikanase të shtypit - duke inkurajuar udhën e dialogut dhe kërkimin e rrugëzgjidhjeve të përshtatshme në dobi të qytetarëve e duke respektuatr sovranitetin kombëtar”. Në qendër të vëmendjes, “ruajtja e pranisë historike të të krishterëve” si dhe “nevoja për t’u garantuar sigurinë dhe vendin që u takon në të ardhmen e Irakut

Kujtojmë se në Irak, para vitit 2003, vit i konfliktit që çoi në rrëzimin e Saddam Husseinit, të krishterët ishin rreth 1-1,4 milionë. Tmerret e luftës e të pushtimit  të Pllajës së Ninives nga ana e Shtetit të vetëshpallur islamik, ndërmjet viteve 2014 e 2017, i katandisën në rreth 300-400 mijë. Presidenti Salih ka nënvizuar disa herë  vlerën e të krishterëve dhe rolin e tyre në rindërtimin e vendit, në të njëjtën vijë me kryeministrin Mustafa Al-Kazemi, i cili i fton të krishterët e ikur nga Iraku për shkak të dhunës, të rikthehen për të dhënë kontributin e tyre në rindërtimin e vendit. Por  kantieret e paqes, të sigurimit e të stabilitetit mbeten ende të hapura. Kriza ekonomike, papunësia, korrupsioni e drama e rreth 1,7 milionë të shpërngulurve të brendshëm i vënë në provë të rëndë projektet e zhvillimit. Sipas Unicef-it, më se 4 milionë njerëz kanë nevojë për asistencë humanitare. Gjysma janë fëmijë. Në këto rrethana, në të cilat mungojnë spitalet dhe ilaçet, pandemia Covid-19 vijon të  mbysë  mijëra njerëz.

Në radhë të parë në të gjitha frontet, Kisha vendase tani pret Pasardhësin e Shën Pjetrit, që konkretizon planin e menduar që në vitin 2000 nga Shën Gjon Pali II.

“Papa Françesku është njeri me zemër të hapur, kërkues i madh i paqes e i vëllazërimit. Mbarë Iraku, të krishterë e myslimanë, e nderojnë për thjeshtësinë e afërsinë e tij - pohonte një vit më parë kardinali Louis Raphael Sako, patriark i Babilonisë së Kaldejve, duke folur për Agjencinë Sir - Fjalët e tij prekin zemrat e të gjithëve, sepse janë fjalë bariu. Është njeri që mund të sjellë paqen. Shumë myslimanë e ndoqën vizitën e tij në Abu Dabi. E kështu do të ndodhë edhe në Irak!”.

Kjo e Irakut, në pllajen e Ur e në atë të Kaldejve, mendohej të ishte etapa e parë e shtegtimit jubilar të Gjon Palit II për vitin 2000. Shtegtimi i Papës Wojtyla qe programuar për 1 deri më 3 dhjetor 1999. Po nuk u realizua, sepse Saddam Hussein, pas bisedimeve që zgjatën disa muaj, vendosi ta shtynte. Njëzet vjet më pas këtë ëndërr të Papës Wojtyla  do ta realizojë pasardhësi i tij i dytë.

07 dhjetor 2020, 12:43