Kërko

Urimet e Krishtlindjes për punonjësit e Vatikanit Urimet e Krishtlindjes për punonjësit e Vatikanit 

Françesku, punonjësve të Vatikanit: askush nuk duhet ta humbasë punën

Në audiencën për urimet e Krishtlindjes me punonjësit e Vatikanit, Françesku u kujtoi të gjithë atyre, që punojnë për Selinë e Shenjtë, vështirësitë ekonomike shkaktuar nga pandemia, duke i nxitur të punojnë për ta përballuar këtë çast kritik. Krishtlindja bëftë ta zbulojmë “gëzimin ngjitës të dëshmisë”, uroi.

R. SH. - Vatikan

Ditë të ngarkuara me takime, këto që po jetojmë. Ditë urimesh. Edhe për Papën, që sot, ndërmjet tjerësh, priti, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, edhe punonjësit e Vatikanit, të shoqëruar me familjarët e tyre, për të shkëmbyer urimet e festës, në këtë kohë aspak të lehtë për t’u jetuar. Edhe për Vatikanin, si për mbarë botën. E nisi duke i falënderuar të gjithë për punën plot pasion në shërbim të Kuries Romake dhe të Qytetit të Vatikanit, pa harruar të kujtojë edhe situatën kritike shëndetësore si dhe vështirësitë jo të pakta ekonomike, që po kalojnë shumë familje e institucione:

“Edhe Selia e Shenjtë e ka ndjerë e po bën të gjitha përpjekjet për ta përballuar sa më mirë këtë situatë pasigurie. Është fjala për të plotësuar  kërkesat e ligjshme tuajat e të Selisë Apostolike: duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin, duke u angazhuar për ta kapërcyer këtë çast kritik me vullnet të mirë e duresë”.

Më pas, thirrja drejtuar secilit, që të japë ç’ka më të mirë “për ta bërë frytdhënëse veprën e Selisë së Shenjtë në shërbim të Ungjillëzimit e të promovimit njerëzor” dhe pohimi atëror: “askush nuk duhet ta humbasë punën”.

Krishtlindja, Festë gëzimi “Sepse lindi për ne Jezusi”

“Duhet të shkojmë edhe ne tek Jezusi, të gjithë”- kujtoi Papa - duke e shkundur dremitjen, apatinë, frikën, për të rigjetur entuziazmin e jetës e të fesë”.

E më pas bëri thirrje për të ndjekur tri mënyra sjelljeje:

“Ta rizbulojmë lindjen e Birit të Zotit, si ngjarja më e madhe e historisë. Ta meditojmë, ta kundrojmë, të lutemi. Të zbulojmë se Zoti e tregon mirësinë e tij në Krishtin Fëmijë”.

E kush nuk preket thellë në shpirt përballë një ferishteje - kujtoi - Një Zot, që na kërkon të bëhemi bijtë e tij në shpirt, duhet me gjithë zemër:

“E ky është kuptimi i Krishtlindjes; Zoti bëhet njeri, që ne të bëhemi bijtë e Zotit!”.

Pasi e vlerësoi lart punën dhe shembullin e shumë prej punonjësve të Vatikanit, që shkrijnë, në heshtje, të gjitha energjitë për Kishën, duke ndjerë fuqimisht praninë e Zotit-me ne, i ftoi ta presin festën e madhe me gëzim, edhe pse mes vështirësish:

“Gëzimi është ngjitës e i bën mirë gjithë bashkësisë punonjëse. Jini  gazmorë e dëshmitarë të gëzimit!”.

Kjo, ftesa e fundit e Papës! Pasuar nga urimi:

“Gëzuar Krishtlindjen të gjithë!”.

21 dhjetor 2020, 13:23