Kërko

Vatican News
Drita e Zotit Drita e Zotit 

Françesku: Pse të ankohemi për natën, kur na pret drita e ditës?

“Ashtu si para lindjes na priti kush na deshi, tani na pret vetë dashuria!”. Në atmosferën e ngarkuar me shpresë të Kohës së Ardhjes, sot në faqen papnore të internetit @Pontifex lexojmë këtë tweet të ri kushtuar dashurisë së Zotit.

R. SH. - Vatikan

“Ashtu si para lindjes na priti kush na deshi, tani na pret vetë dashuria! Nëse pritemi në Qiell, pse të jetojmë me kërkesa tokësore? Pse ta humbasim kohën duke u ankuar për natën, kur na pret drita e ditës?”. Ky, tweet-i që lexojmë sot, 5 dhjetor 2020, në faqen e internetit @Pontifex.

Të kridhemi pra, në dritën e Krishtit, për t’u shndërruar në Atë, që është “Dritë prej Drite”! T’ia kërkojmë dritën e t’i lutemi të na bëjë dritë. Sepse Ai, që është Drita e botës, mund të na bëjë edhe ne si vetveten. E drita është simbol i ngjalljes, që fiton mbi çdo formë të së keqes  e të mëkatit!

Drita e Zotit, për të shndritur terrinat e botës

“Vlera e dritës është shenjë e dukshme e edhe simbolike e shpresës së krishterë, që di t’u transmetojë breznive të ardhshme arsyen për të jetuar": këto, fjalët e para të Papës Françesku në katekizimin e audiencës së përgjithshme tё 2 gushtit 2017.

“Ç’do të thotë të jesh i krishterë?”, pyeti Papa e tha “Do të thotë të shikosh dritën, të vijosh ta dëshmosh fenë në dritë, edhe kur bota mbështillet prej errësirës së natës”.  As të krishterëve - shpjegoi Papa Bergoglio - nuk u mungon errësira, e jashtmja, por edhe ajo e brendshmja, errësira shpirtërore. Nuk jetojnë jashtë botës, por, përmes hirit të Krishtit, marrë në Pagëzim, janë burra e gra “të drejtuar kah drita”: “Nuk besojnë në errësirën, por në shkrepjen e dritës; nuk i dorëzohen errësirës së natës, por shpresojnë e presin agimin; nuk janë njerëz të shpartalluar nga vdekja, por në pritje të rilindjes; nuk thyhen nga e keqja, sepse besojnë gjithnjë në mundësitë e pafundme të së mirës”.

Ne jemi ata - kujtoi Papa – që besojmë se Zoti është Atë: e kjo është drita! Besojmë se Jezu Krishti zbriti ndër ne si shok, posaçërisht i njerëzve më të varfër, më të brishtë: e kjo është drita! Besojmë se “Shpirti Shenjt vepron pa pushim për të mirën e njerëzimit”, se “dhimbjet më të mëdha të historisë kapërcehen". E kjo është shpresa, që na rizgjon çdo mëngjes. Besojmë se çdo dashuri, çdo miqësi, çdo dëshirë e mirë,  në fund të fundit do të përplotësohet në Zotin: “Kjo është forca, që na shtyn ta përqafojmë çdo ditë jetën tonë, sa shkrep rrezja e parë e agimit e deri në perëndim të dritës”

Krishti është drita jonë!

Jetojmë në errësirë, duke kërkuar si të verbër kalimin në Dritë. Sepse në  Atë, që erdhi si dëshmitar i dritës, shikojmë dritën tonë. E duke ndjekur dritën e Kometës, arrijmë  tek Drita e të Zotit, që e bën natën ditë!

Këto meditime na ngjall tweet-i i Papës Françesku në këtë të shtunë të Kohës së Ardhjes, kur nga terri i kësaj kohe të ngrysur - presim të dalim në Dritën e Shpellës së Betlehemit - Drita e Emanuelit - Zotit me ne!

05 dhjetor 2020, 11:13