Kërko

Françesku: po të kishte miqësi shoqërore, nuk do të kishte luftëra

Papa dërgon, në Buenos Ajres, një videomesazh për Ditën e 23-të të baritorisë shoqërore, kushtuar “kulturës së takimit”. “Kujdes nga bindjet që e shtypin dialogun si ruli i kompresorit”- porosit.

R. SH. - Vatikan

Ideologjitë dhe pasionet e përçajnë botën. Në rastet më të këqija  shkohet drejt luftës e, në çdo rast, lindin diskriminimi e skutat e mjerimit. E kundërta është rrugëzgjidhja, miqësia shoqërore, kjo vlerë që na kujton “se thirrja jonë është harmonia, vëllazërimi, është të jemi vëllezër, të gjithë!”. Enciklika e fundit jehon fort në fjalët që Françeku u drejton  pjesëmarrësve  të takimit treditor, organizuar nga kryedioqeza e Buenos Ajres me rastin e Ditës së 23-të baritore shoqërore. Takim, në të cilin jo shumë vjet më parë merrte pjesë edhe kardinali i asokohshëm, Bergoglio e që sivjet, në gjurmët e “Fratelli tutti”, i krijon mundësinë të ripohojë një argument që, siguron, e ka shumë për zemër.

Miqësia shoqërore dhe dy armiqtë

Në Mesazh Papa shprehet me gjuhën, që i pëlqen, të drejtpërdrejtë, pa sofizma. “Ta shikojmë botën kështu si është - kujton - Luftëra në të katër anët! Vende-vende jetohet - përsërit - lufta e tretë botërore. E kjo nuk është miqësi shoqërore":

“Shikojmë vende të shumta, ku nuk mund të flitet, sepse ulërihet. Para se tjetri ta shprehë mendimin e tij, i përgjigjemi sakaq, pa marrë aspak mundimin ta dëgjojmë një herë! Po miqësi shoqërore nuk mund të ketë nëse nuk dëgjojmë një herë, që të përgjigjemi pastaj! Nuk mund të ketë, pa e dëgjuar tjetrin. E për ta dëgjuar, duhet të jem i sigurt se tjetri e ka diçka të mirë për të ma thënë”.

Ndërsa në shumicën e rasteve ndodh e kundërta! Rruga drejt mirëkuptimit reciprok është e rrethuar me mure. E Papa kujton dy prej tyre:

“Në radhë të parë janë ideologjitë, që komandojnë gjithçka. Që kanë prirjen të komandojnë. E idelogjitë arrijnë ta çarmatosin ç’ka më konkrete në natyrën njerëzore. Armiku i dytë janë pasionet. Pasioni kërkon shpesh ta zhdukë tjetrin. Që tjetri të mos ia zërë vendin!”.

Miqësia shoqërore e bën njerëzimin më të mirë

Megjithatë, në botë nuk mungon miqësia shoqërore. Është kudo - kujtoi Papa - ndonëse për fat të keq janë edhe periferitë me fëmijët pa shkollë, me njerëzit pa ujë të rrjedhshëm. Thënë me një fjalë, është edhe një botë pa dinjitet. E kjo e nxit Papën të bëjë një mori pyetjesh:

“A ka miqësi shoqërore? Nëse ka miqësi shoqërore, nuk duhet të kishte luftëra, as nevoja të të gjitha natyrave, as  shkollim që nuk funksionon mirë (…). Janë rezultatet ato, që e tregojnë nëse ka miqësi shoqërore! Por nuk duhet t’i harrojmë edhe dy armiqtë e mëdhenj: idelogjitë, që duan ta përvetësojnë përvojën e popullit dhe pasionet, që janë gjithnjë ruli shtypës e shkatrrimtar i dialogut”.

E në fund, një porosi, me vlerë për të gjithë, ashtu si është i tërë ky mesazh, i cili duket sikur i drejtohet jo vetëm Argjentinës:

“Mos reflektoni me kokën ndër re, por me këmbët në tokë, me të dhëna konkrete”.

E kjo do të thotë mos u besoni fjalëve boshe, po veprave: ushqimit që hani, ujit që pini, strehës ku strukeni, shkollës ku shkoni vetë a ju shkojnë fëmijët. Janë rezultatet ato, që e tregojnë nëse ka miqësi shoqërore - na kujton Papa - që të mos vijojmë të gënjehemi e të zhgënjehemi!

04 dhjetor 2020, 11:24