Kërko

Françesku: duke falënderuar Zotin për gjithçka, të çojmë në botë shpresën

Ishte lutja e falënderimit sot, në qendër të katekizmit të Papës në audiencën e përgjithshme: “Të gjithë lindim, sepse ishte dikush, që na deshi në jetë. E ky është borxhi i parë i një serie të gjatë, të cilën duhet ta shlyejmë gjatë gjithë jetës. Borxhi i mirënjohjes”.

R. SH. - Vatikan

“Nuk duhet të pushojmë kurrë së falënderuari: nëse dimë të falënderojmë, edhe bota do të jetë sadopak më e mirë, aq sa të mjaftonte për të transmetuar një rreze shprese. Gjithçka është e bashkuar, e lidhur, e gjithkush bën pjesën e tij, atje ku ndodhet”. Në audiencën e përgjithshme, mbajtur nga Biblioteka private e Pallatit Apostolik, Papa Françesku i nxiti të gjithë ta kultivojnë “gëzimin” e ushqyer nga “hareja e takimit me Krishtin”. Sepse takimi me Krishtin krijon gjithnjë atmosferë gëzimi. Jo si takimi me djallin që, pasi të na ketë gënjyer, ikën e na lë  vetëm, të zhytyr në trishtim:

“Po të jemi me Krishtin - shpjegoi Papa - asnjë mëkat e asnjë kërcënim  nuk mund të na pengojnë për të vijuar udhën plot me gëzim, së bashku me shumë shokë”.

Për të kujtuar, më pas, duke përshëndetur vëllezërit e motrat e gjuhës gjermane:

“Në përfundim të këtij viti të vështirë ndoshta tundohemi të shikojmë sidomos çka mund të bënim e s’e bëmë, çka mungoi, e nuk duhej të mungonte. Por nuk duhet të harrojmë edhe arsyet e shumta, të panumërta, për të falënderuar Zotin e të afërmit tanë”.

 Të paraprirë nga hiri

Duke kujtuar episodin e tre të gërbulurve të shëruar, ashtu siç na e tregon Shën Luka, Papa nënvizoi se vetëm njëri, një samaritan, u kthye dalë dhe e falënderoi Jezusin për  hirin e shërimit nga sëmundja e tmerrshme.

Ky tregim, nëse mund ta quajmë kështu - shpjegoi Françesku - e ndan botën më dysh: në njerëz që falënderojnë, e njerëz që nuk falënderojnë;  që e marrin gjithçka si t’ia kishte kush borxh - e që e marrin si hir:

“Lutja e falënderimit nis gjithnjë kur pranojmë se na parapriu hiri. Se u menduam, para se të mësoheshim të mendonim: u deshëm, para se të mësonim të donim; u dëshiruam, para se në zemrat tona të lindte dëshira e parë. Nëse do ta shikojmë kështu jetën, atëhere ‘falënderimi’ do t’u prijë të gjitha ditëve tona. Faleminderit! Shpesh e harrojmë këtë fjalë!”.

Mirënjohës për dhuratën e jetës

Për ne, të krishterët - nënvizoi Papa - falënderimi i dha emrin Sakramentit  më themelor “Eukaristisë”:

“Fjala greke ka pikërisht këtë kuptim: falënderim. Të krishterët, ashtu si të gjithë besimtarët, e bekojnë Zotin për dhuratën e jetës. Të jetosh do të thotë, sidomos, të kesh marrë jetë. Të gjithë lindim, sepse dikush deshi të lindnim. E ky është borxhi i parë i një serie të gjatë, që duhet ta shlyejmë gjatë gjithë jetës. Borxhi i mirënjohjes. Në jetën tonë, më se një njeri na shikoi me sy të pasër, plot mirënjohje. Edukatorët, katekistët, njerëzit të cilët e luajtën rolin e tyre përtej cakut, që ua kërkonte detyra. E bënë, që në zemrat tona të lindte mirënjohja”.

Edhe miqësia është dhuratë, për të cilën duhet të jemi gjithnjë mirënjohës:

“Lutuni papushuar, falënderoni për çdo gjë: ky është vullneti i Zoti në Krishtin Jezus për ju. Mos e shuani Shpirtin Shenjt” (Shën Pali).

Takimi me Jezusin, gëzimi i dashurisë

Duke kujtuar përsëri ngjarjen e dhjetë të gërbulurve të shëruar, Papa nënvizoi  se samaritani, përveçse u shërua, ndjeu edhe se dikush e donte:

“Natyrisht të gjithë ishin të lum që rifituan shëndetin, duke dalë, kështu, nga karantina e detyruar, e cila i përjashtonte nga bashkësia. Por ndërmjet tyre, vetëm një i shton gëzimit gëzim: përveç shërimit, gëzohet se u takua me Jezusin. Jo vetëm u lirua nga sëmundja, por tani është i sigurt se dikush e do. E kjo është themelorja: siguria se duhemi! Kur falënderon, shpreh sigurinë se duhesh. E ky është një hap i madh: të kesh sigurinë se duhesh. Është zbulimi i dashurisë, si forcë që mban në këmbë botën”.

Duke banuar në Krishtin, bota duket më e bukur

Me këtë siguri në zemër, gjithçka ka shije tjetër, ngjyrë tjetër:

“Nuk jemi më ravgues endacakë, që sillen mbarë e prapë: e kemi një shtëpi, banojmë në Krishtin, e nga kjo ‘banesë’ - përfundoi Françesku – kundrojmë gjithë botën, e ajo na duket pambarimisht më e bukur”.

Pas katekizmit Papa u uroi të gjithëve që “Viti i ri të jetë i qetë e plot me dëshira të mira”.

E më pas, edhe ftesa:

“Kumtojeni në shoqërinë e sotme Lajmin e mirë, që e sollën Engjëjt në Betlehem!”.

30 dhjetor 2020, 12:01