Kërko

Papa Françesku: klima e ambienti, hapësirë për “kulturën e kujdesit".

Në një Videomesazh drejtuar pjesëmarrësve në “High Level Virtual Climate Ambition Summit” Papa flet për angazhimin e Vatikanit, që impenjohet t’i reduktojë në zero gazet përgjegjëse për efektin serë (net-zero emission) para vitit 2050, duke intensifikuar përpjekjet për mbrojtjen e ambientit, në vijim tashmë prej vitesh, gjë që e bën të mundshëm përdorimin racional të burimeve natyrore.

R. SH. - Vatikan

“Pandemia aktuale dhe ndryshimi klimaterik, që kanë jo vetëm rëndësi  ambientale, por edhe etike, shoqërore, ekonomike e politike, rëndojnë posaçërisht mbi jetën e më të varfërve e më të brishtëve - kujton Papa Françesku në Mesazh - Prej këndej i bëjnë thirrje përgjegjësisë sonë për të promovuar, me një angazhim kolektiv e solidar, kulturën e kujdesit, që vë në qendër dinjitetin njerëzor dhe të mirën e përbashkët.

Përveç marrjes së masave, që nuk mund të shtyhen për më tej, është e nevojshme edhe strategjia që i redukton në zero gazet përgjegjëse për efektin serë (net-zero emission)

Selia e Shenjtë  bashkohet me këtë objektiv, duke lëvizur në dy plane

Së pari, nga njëra anë, Shteti i Qytetit të Vatikanit impenjohet t’i reduktojë në zero gazet përgjegjëse për efektin serë (net-zero emission) para vitit 2050, duke intensifikuar  përpjekjet për mbrojtjen e ambientit, në vijim tashmë prej vitesh, gjë që e bën të mundshëm përdorimin racional të burimeve natyrore si uji dhe energjia, frytshmëria energjitike, ripyllëzimi dhe ekonomia qarkulluese edhe në trajtimin e plehrave.

Së dyti, Selia e Shenjtë angazhohet të promovojë edukimin për ekologjinë integrale. Masat politike dhe teknike duhen shoqëruar me procesin edukativ, që favorizon një model kulturor zhvillimi e qëndrueshmërie të përqendruar mbi vëllazërimin dhe aleancën ndërmjet njeriut e ambientit.

Në këtë perspektivë, përuroi Paktin edukativ global, për t’i shoqëruar shkollat dhe universitetet katolike, të ndjekura nga 70 milionë studentë në të gjitha kontinentet; mbështeti edhe Ekonominë e Françeskut, përmes së cilës, ekonomistë të rinj, sipërmarrës, ekspertë të financës e të botës së punës, hapin rrugë të reja, me synimin që ta kapërcejnë varfërinë energjitike, të vënë në plan të parë të mirën e përbashkët, të favorizojnë prodhimin e qëndrueshëm edhe në vendet me të ardhura të ulëta, duke përdorur teknologjitë e përshtatshme të përparuara.

Ka ardhur tashmë koha për të ndryshuar drejtimin! Nuk duhet t’ua rrëmbejmë breznive të reja shpresën në një ardhmëri më të mirë!”- përfundon  Mesazhi i Papës.

12 dhjetor 2020, 17:43