Kërko

Prof. Giuseppe Dalla Torre Prof. Giuseppe Dalla Torre 

Dalla Torre, Papa: njeri i nderuar i kulturës e dëshmitar i ndritur i fesë

Papa Françesku kujton, përmes një telegrami, cilësitë e krishtera dhe profesionale të ish-rektorit të Lumsës dhe kryetarit të Gjykatës së Vatikanit, që ndërroi jetë më 3 dhjetor, në moshën 77 vjeçare, pasi u prek nga Covid-19. Në homelinë e Meshës së Dritës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e quajti “mikun Giuseppe”, “njeri i mirë, i urtë e i përvujtë” dhe “dishpull i vërtetë i Krishtit”.

R. SH. - Vatikan

“Jurist i shquar, burrë i nderuar kulture e feje, bashkëpunëtor i ngushtë i Selisë së Shenjtë”, por sidomos, njeri i aftë për të dhënë “dëshmi të mirëfilltë të krishterë”. Këto cilësi të të ndjerit vihen në pah, duke kujtuar jetën dhe veprimtarinë e tij si pedagog, si kryetar i Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit e si rektor i palodhshëm i Universitetit të Lirë Santa Maria Assunta(Lumsa) në një telegram të Papës, nënshkruar nga sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, në të cilin kujtohet fuigura e Giuseppe Dalla Torre Del Tempio di Sanguinetto, që ndërroi jetë më 3 dhjetor,  77 vjeç, i goditur nga Covid 19.

Papa ngushëllon familjarët

Papa, si u njoftua për vdekjen e “profesorit të dashur”, u shprehu afërsinë e tij  shpirtërore bashkëshortes Nikoletta dhe së bijës, Paola, duke kujtuar me mirënjohje të thellë cilësitë e tij të rralla njerëzore dhe profesionale.

Ndërsa kardinali Pietro Parolin shtoi edhe ngushëllimet e tij personale, duke shprehur, pak para telegramit, datuar 3 dhjetor, gjatë homelisë  mbajtur në Meshën e Dritës, dhimbjen e tij për humbjen e këtij burri të madh, të mirë, të përvujtë e të urtë”.

Ishte një homeli jashtëzakonisht prekëse, e shqiptuar plot pasion, për t’i dhënë lamtumirën e fundit një miku, “që do t’i mungojë  tepër të gjithë atyre, të cilët e deshën dhe e nderuan aq shumë”. Hirësia e Tij Parolin e quajti të vdekurin “dishpull i vërtetë i Krishtit”,  i cili “si Shën Gjon Pagëzuesi e shkriu gjithë jetën duke dhënë dëshmi për Dritën”.

Tejet prekëse, të lësh pas kaq shumë dashuri e dritë!

 

05 dhjetor 2020, 14:10