Kërko

Shpërnguljet e popullsisë në Mozambik Shpërnguljet e popullsisë në Mozambik 

Afërsia e Papës me popullsinë mozambikiane të Cabo Delgado

Françesku i shprehu përsëri dje ipeshkvit të Pemba-s, Luiz Fernando Lisboa, afërsinë dhe shqetësimin e tij për një vend, ku më se 600 mijë vetë janë shpërngulur për shkak të ndeshjeve të armatosura. Vuajtje të shkaktuara nga lufta për kontrollin e pasurive natyrore në zonë.

R. SH. - Vatikan

“Një shenjë e re afërsie e dashurie” nga ana e Papës, për popullin mozambikian e, në veçanti, për banorët e zonës së martirizuar të Cabo Delgado”: ky - njofton sot në Vatican News imzot Luiz Fernando Lisboa, ipeshkëv i Pemba-s - ishte thelbi i takimit të djeshëm, në Vatikan, me Papën Françesku.

Gjatë audiencës, që zgjati rreth 40 minuta, prelati foli me Papën për situatën e rëndë humanitare në këtë zonë veriore të Mozambikut, ku vijojnë prej vitesh ndeshjet e armatosura, me ndërhyrjen e milicëve islamistë, për kontrollin e burimeve natyrore; në vitin 2010, në zonat bregdetare u zbulua një nga shtresat më të pasura afrikane të gazit natyror të lëngshëm. Pasojat e konfliktit gjakatar, si zakonisht, po i paguan  popullsia civile: gjatë 3 vjetëve të fundit humbën jetën më se 2000 vetë. Të shpërngulurit - kujton imzot Lisboa - janë rreth 600 mijë. 150 mijë vetëm në Pemba. Ipeshkvi kujtoi se kohët e fundit Françesku dërgoi në këtë dioqezë ndihma ekonomike për ata, që u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre.

Mos e harroni Mozambikun!

Ipeshkvi përsëriti thirrjen e Papës për Pashkë, në Mesazhin Urbi et Orbi  të 12 prillit, për të mos e braktisur Mozambikun. Kujtoi se Papa ka biseduar me të edhe telefonikisht, duke i shprehur rishtas dhimbjen e afërsinë. Me këtë rast, imzot Lisboa i pati thënë: “Atë i Shenjtë, Ju e vutë Cabo Delgado në hartën e botës”. Françesku foli për këtë situatë edhe gjatë shtegtimit të tij apostolik në Mozambik, shtatorin e vitit të kaluar. Fjalët e tij - nënvizon prelati - janë themelore, sepse e ndërkombëtarizojnë këtë krizë dhe i ndihmojnë të tjerët ta ndjejnë përgjegjësinë e tyre e të japin një përgjigje. E tregojnë këtë edhe ndihmat, që po na vijnë nga të katër anët, si përgjigje që i jepet thirrjes së Françeskut.

Papa - përfundon ipeshkvi i Pemba-s - vijon t’i ndjekë nga afër ngjarjet  e të lutet vazhdimisht për popullsinë e vuajtur!

19 dhjetor 2020, 13:39