Kërko

Vatican News
2020.11.28 Concistoro per la creazione di 13 nuovi Cardinali

Trembëdhjetë kardinaj të rinj, artizanë të paqes e kanale të bamirësisë

Papa Françesku kryesoi, në ora 16.00, në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit, Koncistorin e zakonshëm publik për krijimin e 9 kardinajve zgjedhës e katër jo zgjedhës, mbi moshën 80 vjeçare. Dy prej tyre, nga Azia, nuk mundën të arrijnë në Romë. Të pranishëm në kremtim, rreth njëqind besimtarë. Nesër, në orën 10.00, Mesha e Papës me kardinajtë e rinj.

R.SH. - Vatikan

Për Koncistorin e shtatë të Papnisë së tij, Françesku zgjodhi vigjiljen e së Dielës I të Kohës së Ardhjes, ditë e parë e Vitit të ri liturgjik. Në orën 16.00 nisi kremtimin e Meshës në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit - e jo në atë të Dëshmisë, përmbi Varrin e Apostullit. Papa Françesku e kryesoi Koncistorin e zakonshëm publik për krijimin e 13 kardinajve të rinj me pjesëmarrjen e vetëm njëqind besimtarëve, për shkak të emergjencës shëndetësore shkaktuar nga pandemia.

Të rejat e këtij kremtimi, në kohën e Covid 19

Kremtimi i sotëm pati një mori të rejash, lidhur me periudhën e Covid-19, që po e kalon mbarë bota, prej nga vijnë edhe kardinajtë e rinj. U ndoq nga klerikë e besimtarë të paktë, të lidhur me kardinajtë e rinj, të gjithë me maska. E  vetëm me 11 kardinaj të pranishëm, sepse dy aziatikët, filipinasi  Jose Fuerte Advincula, kryeipeshkëv i Capiz dhe Cornelius Sim, mëkëmbës apostolik i Bruneit, mbetën në dioqezat e  tyre “për shkak të situatës së rëndë humanitare”. Por, gjithsesi, pavarësisht nga mungesa e tyre fizike, “do të krijohen njëlloj në Koncistor. Një përfaqësues i Papës, në një çast tjetër, për t’u vendosur, do t’u dorëzojë kësulën, unazën e bulën me titullin përkatës”.

Kardinali Grech: “Nuk duhet të lejojmë të na rrëmbejnë shpresën”.

Në fillim të kremtimit, kardinali Grech, sekretar i përgjithshëm  i Sinodit të Ipeshkvijve, 63 vjeç, me origjinë nga Qala (Maltë), dioqeza e Gozos, i drejtoi Papës përshëndetjen e rastit. Filloi me fjalë, të cilat krijuan menjëherë atmosferën, që po jeton sot mbarë bota: 

“Të thirrur në koncistor në kohë kaq të rënda për mbarë njerëzimin për shkak të pandemisë, duam t’u drejtojmë përshndetjen tonë  ‘fratelli tutti’ – të gjithë vëllezërve, që janë në provë. Provë,  e cila na nxit ‘t’i rimendojmë  stilet e jetës, marrëdhëniet tona, organizimin e shoqërive tona’ e, sidomos, na nxit t’i bëjmë vetes pyetjen: ‘pse jetojmë?’”.

Në këtë situatë, kujtoi sidomos rolin e Kishës, që është e thirrur të hapë  udhë, madje, të vihet e para për udhë, si Popull i Hyjit, që shtegton drejt Mbretërisë së Zotit! Pa harruar se Populli i Zotit nuk është  një shumë individësh:" është Populli shenjt e besnik i Atij të Lumit”. Nëse ecën së bashku, nuk gabon rrugë.

Si theksoi fort rolin solidar e sinodal të Kishës, kardinali  e përfundoi përshëndetjen drejtuar Papës me fjalë plot optimizëm, që i dhanë një pamje të re Bazilikës së mësuar të buçasë nga zëra të hareshme:

 “Nuk duhet të lejojmë të na rrëmbejnë shpresën! Maria, Yll i Detit, që ne maltezët e nderojmë me titullin Zoja Ta’Pinu, na e ngjalltë këtë shpresë”.

Më pas Papa vijoi këtë kremtim të jashtëzakonshëm, që do të mbetet në histori, duke mbajtur edhe homelinë e rastit.

Nesër, në orën 10.00, Mesha e Papës me kardinajtë e rinj

Nesër, e diel, në orën 10, Papa do të bashkëkremtojë me kardinajtë e rinj, gjithnjë në Altarin e Katedrës. Mesha nuk do të ketë formën e Kapelës papnore, me praninë edhe të famullitarëve e të rektorëve të Kishave titullare, besuar kardinajve të rinj. E reja e vetme liturgjike do të jetë kapërcimi i përqafimit të paqes, që shkëmbejnë  kardinajtë e rinj me të krijuarit para tyre.

28 nëntor 2020, 16:18