Kërko

Vatican News
Ushtarë në rrugët e Bregut të Fildishtë Ushtarë në rrugët e Bregut të Fildishtë 

Thirrja e Papës për harmoni në Bregun e Fildishtë e për ndihma në Filipine

Në ditën IV botërore të të varfërve, Françesku e përfundoi lutjen e Engjëllit duke kujtuar nevojtarët në botë, shpesh edhe viktima të luftërave e të fatkeqësive ambientale.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa, duke vijuar të theksojë temën e Ditës: “Shtrija dorën të varfërve”, kujtoi se pikërisht mbi të varfërit peshojnë më rëndë pasojat e luftërave dhe të fatkeqësive natyrore. Françesku u shprehu afërsinë popullsive të Filipineve, të dëmtuara rëndë nga kalimi i tifonit të javëve të fundit, e solidaritetin,  atyre që mbetën pa strehë si dhe vullnetarëve në ndihmë të të dëmtuarve:

“Jam, me lutje, pranë popullsive të Filipineve, që vuajnë për shkak të shkatërrimeve e, posaçërisht, të përmbytjeve të shkaktuara nga tifoni i fuqishëm. U shpreh solidaritetin tim familjeve më të varfëra e më të dëmtuara nga kjo fatkeqësi, e edhe mbështetjen, të gjithë atyre, që po i ndihmojnë”.

Pajtim në Bregun e Fildishtë

Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe Bregun e Fildishtë, ku sot u kremtua Dita kombëtare e paqes, ndonëse në rrethana  plot tensione shoqërore e politike, që shkaktuan shumë viktima. I fortë, inkurajimi i Françeskut drejtuar të gjithë aktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që mund të përpiqen për të mirën e vendit:

Bashkohem në lutje për të nxjerrë nga Zoti dhuratën e harmonisë kombëtare dhe i nxis gjithë bijtë e bijat e këtij vendi të dashur të bashkëpunojnë me përgjegjësi për pajtimin e për një bashkëjetesë të qetë. Inkurajoj, posaçërisht, aktorët e ndryshëm politikë, që të rivendosin klimën  e besimit reciprok e të dialogut, në kërkim të zgjidhjeve të drejta, të cilat mbrojnë e promovojnë të mirën e përbashkët”.

15 nëntor 2020, 13:30