Kërko

Vatican News
Tutti Santi Tutti Santi  

Shenjtorët javës nëntor 15 - 22 nëntor

E diel, 15 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 33-të gjatë vitit Kishtar, ciklit tё parё, sipas kalendarit liturgjik, e po më 15 nëntor, kalendari përkujton edhe shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor i kishës dhe shën Jozef Pinjatelin, meshtar jezuit.

R.SH. - Vatikan

E diel, 15 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 33-të gjatë vitit Kishtar, ciklit tё parё, sipas kalendarit liturgjik, e po më 15 nëntor, kalendari përkujton edhe shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor i kishës dhe shën Jozef Pinjatelin, meshtar jezuit. Liturgjia e kësaj së diele na kujton shëmbëlltyrën ungjillore tё talenteve, me të cilën Jezusi dëshiron t’u mësojë dishepujve të vet t’i përdorin mirë dhuratat që kanë marrë. Zoti e fton çdo njeri në jetë; i dorëzon edhe talente, duke i besuar njëkohësisht një mision për të kryer. Do të ishte marrëzi të mendoje se këto dhurata mund t’i përdorësh sipas qejfit, ashtu si është marrëzi të mos i përdorësh fare, duke treguar, kështu, se nuk e ke kuptuar vetë qëllimin e jetës.

Të hënën, më 16 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Margeritën e Skocisë e shën Gjeltruden, virgjër benediktine. Liturgjia e ditës duke folur për ngjarjet e tmerrshme që çuan në shkatërrim Sodomën, na kujton se duhet të jemi gjithmonë gati për ardhjen e dytë të Zotit.

Të martën  më 17 nëntor, kalendari kujton shën Elizabetën e Hungarisë, terciare françeskane. Liturgjia e ditёs na kujton se vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.

Të mërkurën më 18 nëntor, kalendari kujton përvjetorin e Shugurimit të Bazilikës vatikanase (1626) e të Bazilikës ostiense (1854) në Romë. Kjo festë kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.

Të enjten më 19 nëntor, kalendari përkujton shën Barlaamin e Antiokisë, martir, e shën Matildën e Heftës. Dëshmitë e para për Shën Barlaamin fillojnë nga shekulli V, ndërsa Shën Matilda, mistike dhe mësuese e shën Gertrudës, ka jetuar ne shekullin XIII. Drejtoi për shumë vite korin e kuvendit dhe e përdori artin e muzikës për t’i kënduar lavde Zotit, gjë për të cilën shkroi: “Pastaj ai, Këngëtari më i madh, me zërin e tij, jonet e të cilit janë më të lartë se të gjitha harmonitë qiellore, vendosi ta magjepste thëllënzën e tij, që disa herë e kishte bërë për vete Zemrën hyjnore, me devocionin e saj, më shume se me zërin e mahnitshëm”.

Të premten më 20 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Edmondin martir, pajtor i Anglisë. Pas pushtimit të tokave angleze që ishin nën mbretërimin e tij, ushtarët danezë, që e zunë rob, i kërkuan të mohonte fenë në Krishtin, në këmbim të jetës dhe të kurorës mbretërore, por Shën Edmondi zgjodhi kurorën e lavdisë qiellore. Varri i tij gjendet në afërsi të Kembrixhit.

Të shtunën më 21 nëntor, kalendari kishtar kujton festën e Paraqitjes të së Lumes Mari Virgjër në Tempull. Sipas traditës së lashtë, që tregohet edhe në disa nga shkrimet apokrife, Zoja iu kushtua Hyjit në tempull që kur ishte fëmijë. Në këtë mënyrë ajo e përgatiti trupin dhe shpirtin për të pritur fjalën që do të bëhej njeri në kraharorin e saj. Ky përkujtim ka rëndësi ekumenike, sepse misteri i paraqitjes së Zojës në tempull ka gjetur jehonë të gjerë në botën ortodokse.

Të dielën e ardhshme më 22 nëntorKisha katolike do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar e solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë. Kjo është e diela e fundit e këtij viti liturgjik, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Po të dielën më 22 nëntor, kalendari përkujton edhe shën Çeçilien, virgjër e martire. Jetoi në kapërcyell të shekullit II dhe III dhe kulti i saj u përhap para lejimit të besimit të krishterë. Në vitet 1500 u hap sarkofagu i saj dhe trupi i shenjtores u gjet i ruajtur mirë, mbështjellë një mëndafsh të qëndisur me ar. Skulptori Maderna gdhendi atëherë statujën e famshme të mermerit, që është riprodhimi besnik i pamjes dhe i pozicionit të trupit të martires së hershme.

15 nëntor 2020, 09:27