Kërko

Raporti McCarrik. Papa: “Afërsia me viktimat”.

Françesku, në audiencën e përgjithshme, rikujtoi angazhimin e Kishës për ta çrrënjosur plagën e shpërdorimeve.

R. SH. - Vatikan

Afërsi me viktimat e shpërdorimeve dhe angazhim për të arritur që kjo plagë të çrrënjoset nga Kisha. Këto, fjalët që Papa Françesku ia kushtoi, në përfundim të audiencës të së mërkurës, botimit të Raportit mbi ish-kardinalin Theodore McCarrik, i njohur si përgjegjës për shpërdorimet seksuale mbi të miturit dhe i përjashtuar nga gjendja klerikale në vitin 2019.

Raporti mbi McCarrick, një faqe e dhimbshme, nga e cila Kisha merr mësim

“Dje u botua Raporti mbi rastin e dhimbshëm McCarrick - tha Papa pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në lidhje televizive e streaming, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik. “Uroj - pohoi - që lutja jonë për të gjitha viktimat e dhunës në botë, të na inkurajojë të jemi mjete të paqes dhe të pajtimit. Përsëris afërsinë time për viktimat e çdo abuzimi si dhe impenjimin e Kishës për ta shkulur nga rrënjët këtë të keqe”.

Pasi shqiptoi këto fjalë, Françesku mbeti një copë herë në heshtje, i kredhur në lutje.

Raporti McCarrick, me 461 faqe dokumentesh e dëshmish, përmbledh  të gjitha lajmet e rëndësishme lidhur me njohjen institucionale dhe procesin vendimmarrës, lidhur me etapat kryesore të jetës së ish-kardinalit,  emëruar  kryeipeshkëv i Washingtonit nga fundi i vitit 2000 e lartuar në kardinalat një vit më pas. Raporti, botuar nga Sekretaria e Shtetit me mandatin e Papës Françesku,  është fryt i hetimeve,  që zgjatën dy vjet.

Ky Raport - deklaroi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin - do të ketë ndikim edhe mbi të gjithë ata, të cilët kanë lidhje me të, për t’i bërë më të vetëdijshëm për barrën e asaj që e bënë ose që nuk e bënë. Janë faqe, që të nxisin për një reflektim të thellë e për ta pyetur veten  ç’ mund të bëhet më shumë në të ardhmen, duke nxënë nga përvoja e së kaluarës.

11 nëntor 2020, 14:16