Kërko

Sinodi 2018, Papa Françesku ndjek një koncert në hollin e Sallës Pali VI Sinodi 2018, Papa Françesku ndjek një koncert në hollin e Sallës Pali VI

Papa, Karitasit slloven: Kisha të jetë e bashkuar, jo e uniformuar

"Le të jetë ‘Klic dobrote’ i këtij viti një hap përpara; e, edhe një hap përpara për unitetin e Kishës dhe të popullit tuaj". Kështu u shkruan Papa Françesku organizatorëve të koncertit të Karitasit slloven “Klic dobrote”, në 30-vjetorin e tij.

R.SH. - Vatikan

Në një mesazh për 30-vjetorin e koncertit të Karitasit slloven “Klic dobrote” (Thirrja e mirësisë), Papa Françesku i falënderon organizatorët për këtë veprimtari kulturore në favor të bamirësisë. Koncerti organizohet çdo vit që të mblidhen fonde për familjet në nevojë. Këtë vit ai ka si temë “Të dëgjoj” e është përgjigjja e Karitasit Slloven për nevojat e shoqërisë. Gjatë gjithë kësaj jave, veprimtarët e bamirësisë i ftojnë njerëzit vullnetmirë t’i kushtojnë kohë dhe t’ia dëgjojnë hallet njëri-tjetrit, për të kapërcyer së bashku këtë kohë pandemie. Koncerti transmetohet sot, 25 nëntor, në emitenten kryesore televizive sllovene e në dy radio, duke filluar nga ora 20.00. Pikërisht aty u lexua edhe mesazhi i Papës Françesku.

Koncerti të nxisë bashkimin

          “30 vite! – u shkruan Ati i Shenjtë organizatorëve. - Duhet durim për të ecur përpara kështu. Lutem për ju dhe ju uroj suksese për koncertin. Le të jetë ‘Klic dobrote’ i këtij viti një hap përpara; e, edhe një hap përpara për unitetin e Kishës dhe të popullit tuaj. Atje ku nuk ka bashkim, të dashur vëllezër dhe motra, nuk është Shpirti i Zotit. Zoti e kërkon gjithmonë unitetin, që nuk do të thotë uniformitet. Jo! Secili ka cilësitë e veta, karizmën e personalitetin e vet, por gjithmonë në unitet, me Shpirtin e bashkimit. Ne nuk duhet të jemi sektarë, njëri kundër tjetrit; nuk duhet të jemi njerëz ‘partiakë’. Jo: një të vetëm”.

Së fundi, Papa Françesku uron që “koncerti të jetë harmoni bashkimi” për të gjithë, jep bekimin dhe kërkon lutje për të.

Ndihma për familjet në vështirësi

Në koncertin e vitit të kaluar u mblodhën 152.240 euro. Me këto fonde u ndihmuan më se 20 mijë familje në vështirësi. Edhe sivjet, Karitasi Slloven do t’u sigurojë ndihmë familjeve të tjera, të cilat kanë nevojë jo vetëm për ushqim, por edhe për dikë që t’u paguajë faturat, t’u sigurojë ngrohjen dhe t’u përmirësojë kushtet higjienike. “Jam gati të të dëgjoj – shkruhet në thirrjen e Karitasit - të marr kohë për ty, të zbuloj plagët më të thella, të them të pathënat dhe të fal. Dua të ndiej keqardhje pasi të kem dëgjuar, të jem i dhembshur dhe të kërkoj me ty mënyra dhe forca të panjohura për të rizbuluar të bukurën dhe pozitiven. Për ty dhe për gjithë të pafuqishmit e të mënjanuarit, dua ta ngre zërin që të nxis ndryshime, për ta bërë dinjitoze jetën e secilit”.

25 nëntor 2020, 20:05