Kërko

2019.11.09 Santa Messa nella Basilica di San Giovanni in Laterano 2019.11.09 Santa Messa nella Basilica di San Giovanni in Laterano 

Papa: Zoti dëshiron të banojë në çdo zemër

Papa: “Sot, festa e Kushtimit të Bazilikës së Shёn Gjonit në Lateran, nё Romё, tё kujtojmë se Zoti dëshiron të banojë në çdo zemër. Edhe nëse ndodh që të largohemi prej Tij, Zotit i mjaftojnë tre ditë për të rindërtuar tempullin e tij brenda nesh (krh. Gjn 2,19)!”.

R.SH. - Vatikan

“Sot, festa e Kushtimit të Bazilikës së Shёn Gjonit në Lateran, nё Romё, tё kujtojmë se Zoti dëshiron të banojë në çdo zemër. Edhe nëse ndodh që të largohemi prej Tij, Zotit  i mjaftojnë tre ditë për të rindërtuar tempullin e tij brenda nesh (krh. Gjn 2,19)!”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 9 nёntor 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Kisha, gjithnjë në reformim

Me rastin e Meshës, kryesuar në Shën Martë pikërisht tri vjet më parë, më 9 nëntor 2013, në Festën e Kushtimit të Bazilikës Lateranense, Papa Françesku pati komentuar leximet e propozuara nga liturgjia: “tri ikona” - pati thënë - që flasin për Kishën. Nga Leximi i parë i Ezekielit (Ez 47,1-2.8-9.12) dhe nga Psalmi 45, ikona e lumit me ujë, i cili gurgullon nga Tempulli e gazmon qytetin e Zotit, figurë e hirit, që e mbështet dhe e ushqen jetën e Kishës. Nga Leximi i dytë, shkëputur prej Letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve 1Cor 3,9c-11.16-17, ikona e gurit, që është Jezu Krishti, themel, mbi të cilin ngrihet Kisha. Nga Ungjilli i pastrimit të Tempullit, ikona e reformës së Kishës:

“Ecclesia semper reformanda” (Kisha gjithnjë në reformim), sepse  anëtarët e Kishës janë gjithnjë mëkatarë e kanë nevojë për pendesë. Papa pati përfunduar duke i ftuar besimtarët  të luten, që Kisha të mund ta bëjë të rrjedhë ujin e hirit Tёnzot, të jetë gjithnjë e themeluar mbi  Jezu Krishtin, t’i qëndrojë përherë besnike e anëtarët e saj ta lënë Jezusin t’i kthejë vazhdimisht në rrugën e Tij. 

Kishat tona të jenë kisha shërbimi, jo supermerkate

Vigjilencë, shërbim, vullnetariat: këto, tri fjalët, Papa i nënvizoi në homelinë e Meshës së 24 nёntorit 2017, kremtuar në kapelёn e Shtëpisë sё Shën Martës nё Vatikan. Ishte homeli e frymëzuar nga Leximet Liturgjike tё 24 nёntorit 2017: i pari, shkëputur nga Libri i Makabejve 1Mac 4,36-37.52-59; i dyti, nga Ungjilli, sipas Lukës Lc 19,45-48: që të dy, me temën e përbashkët të pastrimit të Tempullit. Ashtu si Juda Makabe dhe vëllezërit e tij e shugurojnë rishtas Tempullin e dhunuar nga paganët, kështu edhe Jezusi i dëbon tregtarët nga Shtëpia e Zotit, e shndërruar në strofkë hajdutësh.

Por - pyet Papa Françesku - si mund të pastrohet Tempulli i Zotit? Përgjigjja është: “Përmes vigjilencës, shërbimit, vullnetariatit. Falas!”: “Tempulli më i rëndësishëm i Zotit është zemra jonë - shpjegoi Papa - në shpirtin tonë banon Shpirti Shenjt. Po ç’ndodh në zemrën time? A kam mësuar të vigjiloj brenda vetes, që tempulli i zemrës sime të jetë vetëm për Shpirtin Shenjt? Ta pastroj tempullin, tempullin e shpirtit, e ta ruaj? Vërja mendjen zemrës sate! Vëzhgoje atë, që ndodh brenda saj. Shiko kush hyn e kush del! Ç’ndjenja i zjejnë përbrenda? Ç’ide! Ti, a flet me Shpirtin Shenjt? A e dëgjon? Vigjilo, prandaj! Vërja mirë veshin asaj, që ndodh në tempullin tonë, brenda shpirtit tonë!”.

Jezusi - vijoi Papa Bergoglio - në mënyrë krejt të veçantë, “është i pranishëm në të sëmurët, në njerëzit që vuajnë, në të uriturit, në të burgosurit”. E ka thënë Ai vetë: “E unë e pyes veten: a di ta ruaj këtë tempull? A kujdesem për të? A i shërbej? A afrohem për t’i ndihmuar, për t’i veshur e për t’i ngushëlluar nevojtarët?” Shën Gjon Gojarti i qortonte ata, që jepnin shumë lëmoshë për ta stolisur, për ta zbukuruar tempullin fizik, por nuk kujdeseshin aspak për nevojtarët. I qortonte! E u thoshte: “Jo, kjo nuk është punë e mirë. Më parë shërbimi, pastaj stolitë”. E kjo do të thotë ta pastrosh tempullin, që janë të tjerët. E - vijoi Papa - “kur ne afrohemi për të bërë ndonjë shërbim, për të lehtësuar vuajtjet, për të ndihmuar, i ngjasim më shumë se kurrë Jezusit, i cili është aty, në shpirtin tonë!”.

Sjellja e tretë, që këshillon Ati i Shenjtë Françesku, është vullnetariati, shërbimi pa asnjë shpërblim, falas. Papa Françesku shpjegon: “Sa herë, me trishtim, hyjmë në një tempull, mendojmë për ndonjë famulli, një ipeshkvi, a nuk di se çka tjetër …  e nuk e dimë ku jemi: në shtëpinë e Zotit, apo në ndonjë supermerkat. Gjen aty fjalë që të kujtojnë pazarin, lexon listën e çmimeve për sakramentet… Në vend që të gjindej fjala vullnetariat, fjala falas, gjithçka . Po kjo fjalë shpesh mungon. Nësa duhet të kujtojmë gjithnjë se Zoti na shpëtoi, pa na kërkuar asnjë shpërblim, falas, pa kërkuar shpërblimin tonë – për të Tijin! Shpërblimin e Kryqit! Prandaj, Kishat tona, duhet të jenë Kisha shërbimi, Kisha falas. 

Historia e Bazilikës së Shën Gjonit

Bazilika Lateranense, e njohur si “nënë e të gjitha Kishave të “Urbe et Orbe” (Romës e Botës), është Kisha e parë në botë e kushtuar publikisht. Perandori romak, Kostandini, si u kthye në fenë e krishterë, i dhuroi Papës Pallatin e Lateranit.

Bazilika u kushtua në vitin 324 (ose 318), nga Papa Silvestri I e iu kushtua të Shenjtnueshmit Shëlbues. Në shekullin IX, Papa Sergji III, ia kushtoi edhe Shën Gjon Pagëzuesit, ndërsa në shekullin XII, Papa Lucio II shtoi edhe Shën Gjonin Ungjilltar.

Që nga shekulli IV e deri në përfundim të periudhës avinjoneze (shek XIV), kur papati u zhvendos në Avinjon të Francës, Laterani ishte selia e  vetme papnore. Patriarkia – apo banesa lateranense (selia e lashtë papnore) - ngjitur me Bazilikën, qe rezidenca e papëve për gjithë mesjetën. Laterani, pra, që nga kjo periudhë e deri në shekullin XIV, ishte seli e simbol i papatit, e, prej këndej, zemër e jetës së Kishës. Këtu u mblodhën edhe pesë Koncile ekumenike. Në vitin 1378, me zgjedhjen e Gregorit XI, mori fund periudha avinjoneze. Gregori XI e solli rishtas papatin në Romë, por, me qenë se Laterani ishte në gjendje të keqe, Papët, që aso kohe e deri më sot, zgjodhën si seli Vatikanin

09 nëntor 2020, 11:12