Kërko

Vatican News

Papa: The Economy of Francesco, në internet, nga 19 deri më 21 nëntor

Për një ekonomi të re, me në qendër njeriun: këtë synon takimi on-line, që do të fillojë nesër e do të përfundojë të shtunën, më 21 nëntor, me pjesëmarrjen e të rinjve ekonomistë dhe afaristë nga e gjithë bota. Takim i dëshiruar fort nga Papa Françesku, që do t’u drejtohet të rinjve me një videomesazh

R.SH. - Vatikan

Fillon nesër, 19 nëntor, “The Economy of Francesco”, takimi ndërkombëtar me protagonistë të rinjtë ekonomistë dhe afaristë nga e gjithë bota. Për shkak të pandemisë, ai do të mbahet në internet e mund të ndiqet në portalin francescoeconomy.org. Në përfundim të tri ditëve të këtij diskutimi e shkëmbimi idesh mbi ekonominë botërore pas daljes nga pandemia, edhe vetë Ati i Shenjtë do të marrë pjesë “virtualisht” me një videomesazh drejtuar rreth 2 mijë të rinjve, të lidhur nga 120 vende të ndryshme me Bazilikën e Shën Françeskut të Asizit, qendra organizative e takimit.

Krishti Shëlbues në Rio-de-Zhanejro do të ndriçohet me ngjyrat simbol

Me këtë rast, më 21 nëntor, në orën 23 evropiane, monumenti i Krishtit Shëlbues në Rio-de-Zhanejro do të ndriçohet me ngjyrat simbol të “The Economy of Francesco”: jeshile, bojë kafe dhe verdh. Manifestimi do të nisë në orën 14.00 me një video të Lëvizjes Ndërkombëtare “ATD (All Together in Dignity) Fourth World), që punon për çrrënjosjen e varfërisë në botë. Titulli i videos: “Dëgjojeni britmën e më të varfërve, për ta shndërruar tokën”. Më pas do të vijohet me mesazhin e prefektit të Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinalit Peter Turkson dhe me mirëseardhjen e Komitetit organizator. Fjala e parë mbi temën i takon ekonomistit Jeffrey Sachs, i cili do të flasë mbi “Gëzimin e përsosur: tre propozime për ta lënë jetën të lulëzojë”.

Lëvizja më e gjerë e të rinjve ekonomistë në nivel botëror

 “Falë Shën Françeskut e Papës Françesku, lindi lëvizja më e gjerë e të rinjve ekonomistë në nivel botëror. Shoqëria e sotme dhe Kisha kanë nevojë pikërisht për këto lloj lajmesh”, pohon drejtori shkencor i “The Economy of Francesco”, prof. Luigino Bruni. Takimi parashikon katër orë në ditë transmetim të drejtpërdrejtë në internet dhe një maratonë 24 orëshe, më 20 nëntor. Asizi, vendi i shën Françeskut, do të jetë “regjia” e ngjarjes me lidhje të drejtpërdrejta nga vendet historike françeskane.

Ekonomi më e drejtë, më vëllazërore

Kujtojmë se kjo nismë është rezultat i ftesës së Papës, i cili më 1 maj 2019, me rastin e festës së Shën Jozefit Punëtor, iu drejtua ekonomistëve, studentëve dhe afaristëve të moshës nën 35 vjeç, me dëshirën për t’i vënë në kontakt me një grup të kualifikuar ekspertësh, në mënyrë që të shkëmbejnë mendime dhe ide për ndryshimin e ekonomisë globale. Në ndjetin e Papës, domosdoshmëria që ekonomia e sotme dhe ajo e nesërme të jetë më e drejtë, më vëllazërore, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, pa lënë askënd mbrapa.

Konferenca me ekspertë të njohur ndërkombëtarë

Organizimi i është besuar një komiteti, që përbëhet nga dioqeza e Asizit, Istituti Serafik, Bashkia e Asizit, Ekonomia e Bashkimit, me mbështetjen e Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe të Familjeve Françeskane. Do të ketë konferenca me ekspertë të njohur ndërkombëtarë, ndër të cilët Çmimi Nobel për Ekonominë, Muhammad Yunus e shumë të tjerë, si Kate Raworth, Jeffrey Sachs, Vandana Shiva, Stefano Zamagni, Mauro Magatti, Juan Camilo Cardenas, Jennifer Nedelsky, motër Cécile Renouard. Programi i plotë mund të konsultohet në faqen e internetit francescoeconomy.org. Për t’u vënë në dukje se takimi i ardhshëm i “The Economy of Francesco” parashikohet të mbahet me praninë fizike të pjesëmarrësve, në vjeshtën e vitit 2021.

18 nëntor 2020, 11:16