Kërko

Mesha Shenjte në Ditën IV kushtuar të varfërve Mesha Shenjte në Ditën IV kushtuar të varfërve 

Papa: të varfërit, në qendër të Ungjillit, duhet guxim në dashuri

Jo, të krishterëve, që kufizohen me respektimin e rregullave, pa e rrezikuar veten në shërbim të të tjerëve. E pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Vatikanit, me rastin e Ditës IV botërore të të varfërve. Të pranishëm, rreth njëqind vetë, përfaqësues të të varfërve të botës. Nësa afrohet Krishtlindja, Papa na fton të mendojmë çka duhet të japim, jo çka duhet të blejmë!

R. SH. - Vatikan

Në qendër të homelisë së Papës, mbajtur për këtë ditë botërore të të varfërve, ishte shëmbëlltyra e talenteve, shkëputur nga Ungjilli sipas Mateut. Françesku shpjegoi simbolikën e shëmbëlltyrës së Ungjillit, me një fillim, një qendër e një fund, që ndriçojnë fillimin, qendrën e fundin e jetës sonë! Ky, kyçi që u dha Papa besimtarëve për të hyrë në kuptimin e plotë të Ungjillit të sotëm.

Fillimi: gjithçka  nis nga një e mirë e madhe: zotëria nuk i mban paratë për vete, por ua jep shërbëtorëve, sipas aftësisë së secilit. E këtu duhet kujtuar se një talent kishte vlerën e pagës që merrej për 20 vjet. Asokohe mjaftonte për gjithë jetën!

Ky, pra fillimi! - kujtoi në vijim - Edhe për ne gjithçka nis me hirin e Zotit, Atit që na i mbushi duart me të mira, duke i besuar secilit prej nesh talente të ndryshme:

 “Jemi mbartës të një pasurie të madhe, që nuk varet nga çka kemi, por nga çka jemi: nga jeta që na u dhurua, nga e mira që kemi në shpirt, nga bukuria me të cilën na pajisi Zoti, sipas shëmbëllimit të Tij! Secili prej nesh është i çmuar para syve të Tij, i papërsëritshëm në histori! Sa rëndësi ka ta kujtojmë këtë: shpesh herë, duke vërejtur jetën tonë, shikojmë vetëm çka na mungon. Atëherë i nënshtrohemi tundimit të  fjalës 'sikur'.. ah, sikur ta kisha këtë punë; sikur ta kisha këtë shtëpi, të kisha para e sukses; sikur të mos e kisha këtë problem; sikur të kisha njerëz më të mirë rreth meje!...”.

Iluzioni i “sikur” na pengon të shikojmë të mirën e na bën t’i harrojmë talentet, që kemi. Po Zoti na i besoi, sepse e njeh secilin prej nesh dhe e di për çka jemi të aftë; na beson, pavarësisht nga brishtësia. Beson edhe në atë shërbëtorin, që shkon dhe e fsheh talentin; pavarësisht nga frika e tij.  Shpreson se edhe ai do ta përdorë mirë çka mori, sepse Zoti na kërkon ta shfrytëzojmë kohën e tashme, pa mall për të kaluarën, por në pritje aktive të kthimit të Tij:

“Në Ungjill shërbëtorët që rrezikojnë thirren katër herë rresht 'besnikë'. Për Ungjillin nuk ka besnikëri, pa rrezik. Të jesh besnik ndaj Zotit, do të thotë t’i përmbysësh planet tua. E trishtueshme, kur një i krishterë vetëmbrohet duke u kapur vetëm pas zbatimit të rregullave dhe respektimit të urdhërimeve. Kjo nuk mjafton. Besnikëri ndaj Krishtit nuk  do të thotë vetëm të mos bësh gabime”.

Për Ungjillin, nuk ka besnikëri pa rrezik

Kështu mendonte shërbëtori përtac i shëmbëlltyrës: njeri pa nisiativë, pa frymë krijuese, që trembet e shkon e e fshehë talentin e të zotit. Nuk bën gjë të keqe! Por as të mirë jo! I pëlqen më shumë të mëkatojë duke mos vepruar, sesa të gabojë. Nuk është besnik ndaj Zotit. Madje, i bën fyerjen më të madhe: ia kthen dhuratën, që kishte marrë:

“Ndërsa Zoti na fton të vihemi bujarisht në lojë, ta mundim frikën me guximin e dashurisë, ta kapërcejmë pasivitetin, që bëhet bashkëpunim me të keqen. Sot, në këtë kohë paqartësie e brishtësie, nuk duhet ta shpërdorojmë jetën duke menduar vetëm për vetveten. Nuk duhet ta gënjejmë veten, duke thënë: 'Ka paqe e siguri!'. Shën Pali na fton ta shikojmë në sy realitetin e të mos lejojmë të infektohemi nga indiferenca”.

Kush nuk do, mbetet i varfër

Atëhere, në ç’mënyrë mund të shërbejmë sipas dëshirave të Zotit? Këtë ia shpjegon zotëria shërbëtorit të pabesë: “Duhet t’ia kishe besuar paratë e mia  bankierëve e kështu, duke u kthyer, do të kisha marrë paranë time me gjithë interes”. Po, kush janë për ne këta “bankierë”, që mund të na sigurojnë një fitim të qëndrueshëm? Janë të varfërit:- pohoi Papa - ata na garantojnë një pasuri të patundshme të amshuar. Sepse varfëria më e madhe, që duhet luftuar, është varfëria e dashurisë. Libri i Fjalëve të Urta lavdëron gruan, që di të dojë, ndaj ka vlerë më shumë se margaritarët; është për t’u imituar, kjo grua, për të cilën teksti thekson se “dinte t’ia shtrinte dorën të varfërve”. Shtrija, pra, dorën atij që ka nevojë, në vend që të pretendosh me pasë çka të mungon: kështu do t’i shumëzosh talentet, që more.

E vërteta do të zbulohet në fund

Arrijmë te fundi i shëmbëlltyrës e tek fundi i jetës:

“Në fund të jetës do të zbulohet realiteti; do të perëndojë mashtrimi  i botës, sipas së cilës suksesi, pushteti, paraja i japin kuptimin e vërtetë jetës, ndërsa dashuria, ajo që dhuruam, do të dalë në dritë si pasuria e vërtetë. Një nga Etërit  e mëdhenj të Kishës shkruante: 'Ndodh kështu në jetë: pasi vjen vdekja e përfundon shfaqja, të gjithë e heqin maskën e pasurisë e të varfërisë e ikin nga kjo botë. E gjykohen vetëm sipas veprave të tyre, disa me të vërtetë  të pasur, të tjerët të varfër'” (Shën Gjon Krizostomi, Predikim mbi Lazrin e varfër).

Nëse nuk duam të jetojmë varfërisht, të lypim hirin për ta parë Jezusin ndër të varfërit e për t’i shërbyer ndër skamnorët.

Shihe Krishtin në të varfërit!

Dëshiroj t’i falënderoj  shumë shërbëtorë besnikë të Zotit, që nuk flasin për vetveten, por jetojnë kështu! Mendoj, për shembull, për Roberto Malgesini n- kujtoi Papa. Ky prift nuk bënte teori: thjesht, e shihte Krishtin në të varfërin e kuptimin e jetës, në shërbim. Fshinte lotë me butësi, në emër të Zotit, që ngushëllon. Ditën e niste me lutje, për të mirëpritur dhuratën e Zotit; qendra e ditës së tij ishte bamirësia, për ta shumëfishuar dashurinë e dhuruar nga Zoti; fundi, dëshmia e ndritur e Ungjillit.  E kishte kuptuar se duhet t’ua shtrinte dorën  të varfërve të shumtë, që i takonte ditë për ditë, sepse në secilin prej tyre, shikonte Jezusin:

“Të kërkojmë hirin që të mos jemi të krishterë me fjalë, por me fakte. Për të sjellë fryte, ashtu si dëshiron  Jezusi”.

15 nëntor 2020, 13:25