Kërko

Papa kremton meshën me kardinajtë e rinj Papa kremton meshën me kardinajtë e rinj

Papa: të mos biem në gjumin e mediokritetit dhe të indiferencës

Papa Françesku kremtoi sot, në të Dielën e parë të Ardhjes, meshën me kardinajtë e rinj, krijuar dje. Leximet liturgjike na ftojnë të rrimë zgjuar dhe të presim ardhjen e Zotit me lutje e vepra. Në homeli, Ati i Shenjtë nënvizoi: “Kur Kisha adhuron Hyjin dhe u shërben të tjerëve, nuk jeton në terr”

R.SH. - Vatikan

Afërsia dhe vigjilenca janë dy fjalët kyçe për Kohën e Ardhjes, që filloi sot. Na i sugjerojnë Leximet liturgjike, marrë nga Libri i Isaisë Profet dhe nga Ungjilli sipas Markut. E këto janë edhe dy fjalët, rreth të cilave u shtjellua homelia e Papës Françesku, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, së bashku me kardinajtë e krijuar në koncistorin e djeshëm. Por si të jemi vigjilentë a si të rrimë zgjuar, siç na kërkon Ungjilli?

O Zot, eja të na shpëtosh

         “Ardhja është koha për të kujtuar afërsinë e Zotit, i cili zbret mes nesh”, pohoi Papa, por Isaia profet na këshillon t’i kërkojmë Zotit të afrohet edhe më shumë, duke iu lutur: ‘Ah sikur ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje!’. “Hapi i parë i fesë – vërejti Françesku - është t’i thuash Zotit se kemi nevojë për të, për afërsinë e tij”.

         “Është edhe mesazhi i parë i Ardhjes dhe i vitit liturgjik, ta pranojmë se Hyji është afër e t’i themi: ‘Afrohu më shumë!’. Ai dëshiron të vijë pranë nesh, por vetëm propozohet, nuk imponohet; na takon ne të mos lodhemi së thëni: ‘Eja!’. Jezusi - na kujton Koha e Ardhjes - erdhi mes nesh e sërish do të vijë, në fundin e kohrave. Por, ta pyesim veten, për çfarë shërbejnë këto ardhje, nëse nuk hyn në jetën tonë sot? Le ta ftojmë”.

Të vëmendshëm kur kalon Jezu Krishti

         “Eja, o Zot Jezus” janë fjalë, që mund t’i themi sapo fillon dita e t’i përsërisim shpesh “para takimeve, gjatë studimit, punës e para vendimeve të rëndësishme, sidomos në çastet e sprovës”, nënvizoi Papa. Por, nëse i kërkojmë Jezu Krishtit të na qëndrojë pranë, duhet edhe të rrimë zgjuar e të jemi të vëmendshëm, për ta kuptuar kur na afrohet. “Është gabim ta humbasim mendjen pas një mijë gjërash e të mos e ndiejmë praninë e Zotit”, theksoi më tej Ati i Shenjtë, i cili paralajmëroi se kur shohim vetëm interesat vetjake, ka rrezik të mos shohim më themeloren në jetë. Duhet vigjëluar ndërsa jemi në terr, duke pritur dritën, vërejti Françesku.

         “Do të vijë dita kur të jemi me Zotin. Do të vijë, të mos e humbasim shpresën: nata do të kalojë, Zoti do të lartohet si dielli që lind e do të na gjykojë Ai, që vdiq në kryq për ne. Të rrimë zgjuar do të thotë të presim pikërisht këtë, të mos shkurajohemi, ta jetojmë shpresën. Ashtu si, para se të lindeshim, na prisnin ata, që na donin fort, ashtu edhe tani na pret vetë Dashuria. E nëse na presin në Qiell, pse të jetojmë me pretendime tokësore? Pse të shqetëshemi për pak para, famë, sukses - të gjitha, gjëra që kalojnë? Pse të humbim kohë duke u ankuar për terrin e natës, ndërsa na pret drita e ditës? Pse të kërkojmë ‘miq’ për të ngjitur shkallët e karrierës? Gjithçka kalon. Rrini zgjuar, na thotë Zoti”.

Feja është e kundërt me mediokritetin

         Papa kujtoi se dishepujt e Krishtit nuk mundën të rrinin zgjuar, krah Jezusit, në kopshtin e Gjetsemanit e në raste të tjera, ashtu siç mund t’i ndodhë edhe sot secilit prej nesh. Ati i Shenjtë e quajti “gjumi i mediokritetit”:

         “Vjen, kur e harrojmë dashurinë e parë e vijojmë udhën për inerci, duke u kujdesur vetëm për qetësinë tonë. Por, pa hovin e dashurisë për Zotin, pa pritur risi prej Tij, bëhemi mediokër, të plogësht, të kësaj bote. E kjo e gërryen fenë, sepse feja është kundër mediokritetit: është dëshirë e zjarrtë për Zotin, është guxim i vazhdueshëm për kthesë, është kurajo për të dashur, është hapa përpara, gjithmonë”.

Të rrimë zgjuar me lutje e me vepra

         Feja, vërejti Papa, është zjarr që djeg. Jezu Krishti nuk e duron plogështinë. Prandaj, duhet të rrimë zgjuar, me lutje e me vepra. Lutja ndez një dritë në errësirë, i lejon Zotit të na afrohet, na çliron nga vetmia e na jep shpresë e oksigjen për jetën. Nuk ka të krishterë pa lutje, theksoi Ati i Shenjtë. E kemi nevojë për të krishterë, që luten edhe për ata, që i ka zënë gjumi, për indiferentët, që s’pyesin për të tjerët e dinë vetëm të ankohen, për ata që dinë të jetojnë vetëm në natën e thellë të egoizmit. E pastaj, duhen përveshur mëngët:

         “Ndokujt i duket se të ndiesh mëshirë, të ndihmosh, të shërbesh, është punë për dështakë! Në të vërtetë, është e vetmja gjë prej fitimtari, sepse që tani sheh drejt së ardhmes, drejt ditës së Zotit, kur gjithçka do të kalojë dhe vetëm dashuria do të mbetet. Pikërisht, me veprat e mëshirës i afrohemi Zotit… Kur Kisha adhuron Zotin e i shërben të afërmit, nuk jeton në terrin e natës”.

29 nëntor 2020, 11:32