Kërko

Mesha  për kujtimin e të vdekurve në  Katakombet e Priscill-ës, në Rrugën Salaria  Mesha për kujtimin e të vdekurve në Katakombet e Priscill-ës, në Rrugën Salaria  

Papa: të lutemi për të vdekurit, posaçërisht për viktimat e Covid

Në një tweet, Françesku kujton posaçërisht ata që vdiqën të vetmuar, gjatë pandemisë, e edhe ata, që e humbën jetën për t’i mjekuar. Pasdite Papa do të kryesojë Meshën në Varrezën Teutonike, në Vatikan, për t’u lutur, më pas, në Kriptën e Vatikanit, ku pushojnë në paqe Papët e vdekur.

R. SH. - Vatikan

Në këtë ditë, që s’lë zemër njerëzore pa prekur, kur kujtohen sa të shuarit e dashur, posaçërisht të vdekurit nga pandemia, aq edhe fati i fundmë i të gjallëve, Papa, në Tweetin përkujtimor, shkruan:

“Sot lutemi për të gjithë#BesimtarëteVdekur e posaçërisht, për viktimat e #coronavirusit: për ata që u shuan në vetmi, pa përkëdheljen e të dashurve të tyre; e për të gjithë njerëzit, që dhuruan jetën në shërbim të të sëmurëve”.

Mesazh në Varrezën Teutonike

Me rastin e përkujtimit të të vdekurve, sot pasdite Papa do të kremtojë  Meshën në orën 16.00, në formë ngushtësisht private, pa pjesëmarrjen e besimtarëve, në Kishën e Kolegjit Papnor Teutonik të Shën Marisë.  

Masat e sigurisë, të diktuara nga pandemia, do të merren edhe në kremtimet e ardhshme,  kryesuar nga Françesku, i cili, në përfundim  të kremtimit, do të ndalet pak çaste për t’u lutur në varrezë, e më pas, do të shkojë në Kriptën e Vatikanit, për të kujtuar  në lutje Papët e vdekur.

Vitet e kaluara

Në vitet e kaluara më 2 nëntor Françesku pati vizituar varreza të ndryshme: vjet ishte në Katakombet e Prishilës, në Rrugën  Salaria. Më 2018, në Varrezën laurentine, në rrethinat jugore të Romës, ku kremtoi Meshën për shpirtin e të vdekurve, me një ndalesë tejet prekëse para varrezave të foshnjeve, shuar para kohe nga sëmundjet a nga aksidentet si dhe atyre ende të palindura e të varrosura në atë pëllëmbë dheu, që njihet me emrin “Kopshti i Engjëjve”. Më 2017 vizitoi varrezën amerikane të Nettunos, ku pushojnë në paqe ushtarët amerikanë të rënë në Itali gjatë Luftës II Botërore, duke përsëritur pikërisht në këtë kopsht mbjellë me kryqe, thirrjen e Benediktit XVI: “Kurrë më luftë!”.

Më pas u gjunjëzua në lutje në Varrezat, që njihen me emrin “Fosse Ardeatine”, të hapura në rrethana tepër tragjike, gjatë Luftës II Botërore

Në vitin 2016 Papa e pati kryesuar kremtimin Eukaristik në Varrezën e Prima Porta, ndërsa tre vjetët e mëparshme: 2015, 2014 e 2013  - jo më 2 nëntor, por  ditën e parë të këtij muaji, në Varrezën monumetale të Veranos.

 

02 nëntor 2020, 12:31