Kërko

Vatican News

Françesku: të gjithë jemi të thirrur për shenjtëri, model i jetës kundër rrymës

Është Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve e Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, na fton të reflektojmë për dëshminë e tyre, burim gëzimi e shprese në ringjalljen. E edhe për udhën, e themeluar mbi Lumnitë, që mund ta përshkojmë të gjithë, secili sipas mënyrës së vet të papërsëritshme, me atë butësi, për të cilën bota ka aq shumë nevojë.

R. SH. - Vatikan

Sot Kisha kremton festën solemne të të Gjithë Shenjtorëve! Atyre që u shpallën gjatë historisë, por edhe shumë të tjerëve, që kaluan një jetë   kristiane të thjeshtë e të fshehur, plot me fe e dashuri për Zotin e për të afërmin. Shenjtorët - na kujton vazhdimisht Françesku - janë me të vërtetë të lum, sepse zbuluan sekretin e lumturisë së mirëfilltë. Sot ne rijetojmë me ta  e me të dashurit, që nuk janë më mes nesh, por që shpresojmë se do t’i ritakojmë përsëri. Është ditë kur Kisha na fton të reflektojmë për këtë shpresë të madhe, me themele në ngjalljen e Krishtit. Këto, fjalët plot optimizëm të fesë sonë, me të cilat e nisi Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e Engjëllit, në Ditën kushtuar Gjithë Shenjtorëve. Shenjtorët e të Lumtë janë  dëshmitarët më bindës të shpresës së krishterë, sepse e jetuan plotësisht jetën e tyre, me gëzime e  vuajtje, i jetuan plotësisht Lumnitë, që i predikoi Jezusi e që sot i ridëgjojmë në liturgji (krh Mt 5,1-12).

Lumnitë ungjillore - vijoi Ati i Shenjtë - janë udha e shenjtërisë. E, në vijim  u ndalua tek dy pej tyre, e dyta dhe e treta.

Lumnia e dytë është kjo - kujtoi: “Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen”.

Duken fjalë kontradiktore - do të mendojë ndokush - sepse lotët zakonisht nuk janë shenjë gëzimi e lumturie. Njeriu qan kur vuan, kur vdes vetë a i vdes kush, qan nga mëkati, nga gabimet, nga jeta  e çdo dite, e ligësht, plot me pengesa e vështirësi. Jetë shpesh herë e vënë në provë nga mosmirënjhja e moskuptimi. A ia vlen të jetohet?

Përgjigjen na e jep Jezusi, që i shpall të lum ata, të cilët qajnë për këto realitete e, pavarësisht nga gjithçka, i besojnë Zotit e strehohen nën hijen e Tij.

Nuk janë indiferentë, e aq më pak e bëjnë zemrën gur nga dhimbja, por shpresojnë, durimtarë, në ngushëllimin e Zotit. E këtë ngushëllim nuk e provojnë pasi vdesin, por këtu, në këtë jetë!

Lum të butët, sepse do të trashëgojnë tokën!

Në lumninë e tretë Jezusi pohon: “Lum të butët, sepse do të trashëgojnë tokën!”. Butësia është tipar i Jezusit i cili, duke folur për vete, kujton: “Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë”. E Papa shpjegoi se të butë janë ata, që e sundojnë vetveten, që i krijojnë hapësirë tjetrit, që e dëgjojnë dhe e respektojnë mënyrën e tij të jetesës, nevojat e tij, kërkesat. Nuk e nënvleftësojnë, as e përbuzin, nuk duan të ngrihen e të sundojnë mbi gjithçka, as t’i imponojnë idetë e tyre e interesat e tyre, në dëm të të tjerëve. Këta njerëz, që mendësia njerëzore nuk i përfill fare, janë më të çmuarit para syve të Zotit, i cili u jep në trashëgim tokën e premtuar, domethënë, jetën e pasosur. Edhe kjo lumni nis këtu poshtë - e përmbushet atje nalt, në qiell.

Të zgjedhim pastrinë, butësinë, mëshirën

Në vijim Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të zgjedhin pastrinë, butësinë, mëshirën; t’ia besojnë vetveten Zotit në varfërinë e shpirtit e në vuajtje; të angazhohen për drejtësinë e për paqen. E kjo  sipas mendësisë së kësaj bote, sipas kulturës së pasjes, të dëfrimit pa kuptim, të arrogancës ndaj më të ligshtëve, do të thotë  të shkosh kundër rrymës,

Udha e shenjtorëve dhe e të Lumëve është kundër rrymës

Po shenjtorët e të lumët ecën pikërisht në këtë udhë! Solemniteti i sotëm, në të cilin kremtohen Gjithë Shenjtorët - nënvizoi Papa - na kujton  thirrjen personale dhe universale për shenjtëri e na propozon modele  të sigurta për këtë udhë, të cilën gjithkush e përshkon në mënyrën e vet të papërsëritshme, sipas “fanatazisë” së Shpirtit Shenjt. Mjafton të mendosh për larminë e dhuratave e të historive konkrekte të shenjtorëve, që  njohu Kisha në rrjedhë shekujsh e që na i propozon vazhdimisht si dëshmitarë të një Ungjilli të vetëm.

Mbretëresha e gjithë shenjtorëve na ndihmoftë të ecim në udhën e shenjtërisë

“Butësia mund të na ndihmojë të ecim në rrugën e shenjtërisë” – përsërti Papa, para se të kujtonte se kjo familje e pafundme besimtarësh dishepuj të Krishtit, e ka një Nënë. Virgjërën Mari. Ne e nderojmë me titullin Mbretëresha e gjithë Shenjtorëve. Ajo na ndihmoftë ta ushqejmë dëshirën për shenjtëri, duke ecur në udhën e Lumnive.

01 nëntor 2020, 13:52