Kërko

Vatican News

Papa: shumë migrantë kapen pas barkave, për të ikur nga virusi i padrejtësisë

Letër e Atit të Shenjtë për drejtorin ndërkombëtar të Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët (JRS), atë Thomas H. Smolich, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të organizmit katolik ndërkombëtar, që ndihmon refugjatët kudo në botë

R.SH. - Vatikan

“Sot, në botë, shumë njerëz detyrohen të kapen pas barkave e gomoneve në përpjekjen për të kërkuar strehim nga viruset e padrejtësisë, të dhunës e të luftës”. Kjo është britma e dhimbjes së Papës për dramën e migrantëve. Ati e Shenjtë e shpreh në një letër, që, siç njofton Centro Astalli (qendra e jezuitëve për refugjatët, në Romë), e pati dërguar tetorin e kaluar, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët (JRS) nga atë Pedro Arrupe.

Ndiqni gjurmët e themeluesit

“Mendimet e mia shkojnë veçanërisht tek shumë burra, gra dhe fëmijë, të cilët i drejtohen JRS-së për strehim dhe ndihmë. Papa – shkruan Bergoglio - u qëndron pranë atyre dhe familjeve e i kujton në lutje. Ndërsa rinovoni dhe vijoni më tej impenjimin tuaj në shërbim të nevojave të ndryshme e jo të lehta të refugjatëve e të të shpërngulurve, lutem që të gjithë ju të inkurajoheni e të merrni urti nga vizioni dhe shembulli i themeluesit”.

Atë Arrupe u trondit nga “boat people” vietnamezë

 “Përballë vuajtjeve të atyre që iknin nga toka e tyre në kërkim të sigurisë, për shkak të luftës në Vietnam, - kujton Françesku - atë Arrupe e ktheu tronditjen në vëmendje tejet praktike për mirëqenien e tyre fizike, psikike dhe shpirtërore. Kjo dëshirë shpirtërisht e krishterë dhe injaciane për t’u kujdesur për mirëqenien e gjithë të dëshpëruarve frymëzoi dhe drejtoi punën e JRS-së, gjatë këtyre 40 viteve, që nga fillimet e saj me të ashtuquajturit ‘boat people’ vietnamezë, në vitet e para ‘80, deri në kohën e sotme, me pandeminë e koronavirusit, e cila na e bëri të qartë se e gjithë familja njerëzore ndodhet ‘në të njëjtën barkë’, duke u përballur me sfida të papara ekonomike e shoqërore”.

Asnjë pengesë të mos ju ndalë

“Në dritën e këtyre pabarazive serioze, JRS luan një rol vendimtar në sensibilizimin e opinionit publik për realitetin e refugjatëve dhe të të shpërngulurve. Duke parë drejt së ardhmes, - shkruan më tej Papa, në letrën, që u bë e njohur sot – kam besim se asnjë pengesë apo sfidë, personale a institucionale, nuk do t’ju shpërqendrojë, ose t’ju shkurajojë, për t’iu përgjigjur bujarisht thirrjes urgjente që të promovohet kultura e afërsisë dhe e takimit përmes mbrojtjes së vendosur të të drejtave të atyre, që shoqëroni çdo ditë”, përfundon Letra e Papës për Qendrën Astalli.

12 nëntor 2020, 12:29