Kërko

2020.11.06 Uhuru Kenyatta Presidente della Repubblica del Kenya  2020.11.06 Uhuru Kenyatta Presidente della Repubblica del Kenya  

Papa priti Presidentin e Kenias: pandemia, klima e refugjatët nё qendër tё bisedimeve

Papa Françesku priti sot në audiencë Presidentin e Republikës së Kenias, Uhuru Muigai Kenyatta, i cili më pas u takua me Hirësinë e Tij Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit tё Vatikanit. Nё qendër tё bisedimeve pandemia, klima e refugjatët, kontributi i Kishës katolike në vend.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë  Presidentin e Republikës së Kenias, Uhuru Muigai Kenyatta, i cili më pas u takua me Hirësinë e Tij Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit tё Vatikanit, shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet . Kёshtu njofton zyra e shtypit e Vatikanit.

Gjatë bisedave të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit u nënvizuan marrëdhëniet e mira ekzistuese dypalëshe. Në këtë kontekst, u përmend kontributi i Kishës Katolike për të mirën e shoqërisë keniane, nё mёnyrё tё veçantë nё fushën e arsimit e tё shëndetësisë. Në vazhdim të bisedimeve, u fol pёr situatën aktuale të vendit dhe kontributin që Kenia mund të sjellë në multilateralizëm si në nivelin kontinental e po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Pastaj u trajtuan edhe çështjet me interes të përbashkët, duke përfshirë emergjencën pandemike në rajon, ndryshimin e klimës dhe çështjen e refugjatëve.

06 nëntor 2020, 13:05