Kërko

Vatican News
Audinca e Papës Francesku me atë Pierluigi Maccalli-n Audinca e Papës Francesku me atë Pierluigi Maccalli-n 

Papa pret atë Maccalli-n: përqafimi i një ati, me një misionar

Emocioni ndjehet fort në zërin e atë Pierluigi Maccalli-t në përfundim të audiencës së sotme me Papën Françesku, që u lut gjatë për të, së bashku me gjithë Kishën. U takuan e biseduan, një muaj pas lirimit në Mali të misionarit, para të cilit Mëkëmbësi i Krishtit u përkul për t’i puthur duart.

R. SH. - Vatikan

Pas përqafimit me Papën, nuk mund të thuhej fjalë tjetër veçse “Faleminderit”. Atë Pierluigi Maccalli, misionar i Shoqërisë së Misioneve Afrikane, me origjinë nga Madignano, në provincën e Kremonës, që u lirua më 8 tetorin e kaluar, pas dy vjet burgimi ndërmjet Nigerit e Malit, i rikujtoi Papës si jetoi dhe ia  besoi Afrikën e tij, të mbetur pa prijës misionarë. Nuk e ka të lehtë ta shprehë dhuratën e dashurisë, që mori nga Papa, ai, misionar në fund të botës, që mbarë Kisha e pati në zemër, edhe falë nxitjes së Papës. Por, ta dëgjojmë vetë atë Maccallin i cili, nga  burgu afrikan, u ndodh në Vatikan, pranë Papës:

“Ishte një takim shumë, shumë i bukur. U emocionova posaçërisht duke i treguar Papës atë që jetova, e pastaj edhe kur ia besova lutjes së tij posaçërisht bashkësitë, ku shkoja e që tani mbetën pa prani misionare e me një meshtar të vetëm, që prej dy vjetësh. I thashë Papës ta kujtojë në lutje, e me të, edhe Kishën e Nigerit. E Papa më dëgjoi me shumë vëmendje. I thashë edhe një “faleminderit” me gjithë zemër, sepse u lut për mua, së bashku me Kishën. E pastaj, për lutjen e Engjëllit të Tënzot të Ditës botërore misionare, kur kërkoi një duartrokitje për lirimin tim. E falënderova, e ai m’u përgjigj: “Ne të ndihmuam ty, po ti ndihmove Kishën”. Mbeta pa fjalë para kësaj: unë, një misionar i vogël e Ai, Papa i madh, më thoshte kështu… vërtet më mungojnë fjalët për ta shprehur atë që ndjej!”.

Ç’kuptim ka përqafimi i Papës për ju e për historinë tuaj misionare, gjatë së cilës provuat edhe rrëmbimin e gjatë?

“Ishte përqafimi i një ati, këtij Ati, për të cilin unë lutem çdo ditë. Ja pra, kur e takova, u emocionova fort, por ndjeva edhe një mirënjohje po aq të madhe. Nuk më kishte shkuar as nëpër mend se një misionar që shkon në periferitë e botës, një ditë do të mund të gjindej para vetë Papës, i cili mban mbi supe peshën e Kishës universale. Janë emocione të vështira për t’u shprehur…  ndaj unë vazhdoj të them vetëm faleminderit, faleminderit,   faleminderit… “.  

09 nëntor 2020, 16:27