Kërko

Austria në zi Austria në zi

Papa për atentatin e Vjenës: mjaft me dhunë, vetëm dashuria e shuan urrejtjen

Në një tweet, Papa Françesku fton për “paqe e vëllazërim” dhe lutet për viktimat e atentatit, që përgjaku mbrëmë kryeqytetin e Austrisë, ku një grup njerëzish të armatosur hapën zjarr në qendër të Vjenës, duke vrarë 4 vetë e duke plagosur 17 të tjerë.

R.SH. - Vatikan

“Mjaft me dhunë! Të ndërtojmë së bashku paqen dhe vëllazërimin. Vetëm dashuria e shuan urrejtjen”. Është gati britmë, tweet-i i sotëm i Papës Françesku, me të cilin Ati i Shenjtë shpreh “dhimbjen dhe tronditjen e tij për sulmin terrorist në Vjenë”, e cila mbrëmë u godit nga ekstremistët islamikë, që shkaktuan 4 viktima e 17 të plagosur.  

Telegrami i ngushëllimit

Me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, mbërrin edhe telegrami i Papës drejtuar kryeipeshkvit të kryeqytetit austriak, kardinalit Christoph Schönborn. “Me trishtim të madh – shkruhet në të - Ati i Shenjtë, Papa Françesku, mësoi për aktet e tmerrshme të dhunës në Vjenë, të cilat sollën vdekje dhe dhimbje për njerëzit e pafajshëm. Shenjtëria e Tij shpreh ngushëllimet më të thella për të afërmit e të vdekurve dhe për të gjithë popullin austriak. Ndihet pranë të plagosurve dhe lutet për shërimin e tyre të shpejtë”. Së fundi, para se t’u japë bekimin gjithë të prekurve nga kjo tragjedi, Papa i lutet Zotit që t’i jepet fund dhunës dhe urrejtjes e të promovohet bashkëjetesa paqësore në shoqëri.

03 nëntor 2020, 14:25