Kërko

Papa me pasionistët Papa me pasionistët

Papa, pasionistëve: përflakeni botën me dashurinë e Krishtit

“Vetëm ata që kryqëzohen nga dashuria, siç i ndodhi Jezu Krishtit në kryq, janë në gjendje t’i ndihmojnë të kryqëzuarit e historisë me fjalë dhe veprime të frytshme”. Kështu, Papa Françesku, në Mesazhin për anëtarët e Kongregatës së Pasionit të Jezu Krishtit, me rastin e kremtimeve jubilare për 300-vjetorin e themelimit. Gëzimi, profecia dhe shpresa janë fjalët kryesore të thirrjes së pasionistëve

R.SH. - Vatikan

Thirrja “për ta jetuar dhe për ta kumtuar kujtesën e Mundimeve të Krishtit, duke e bërë misterin e Pashkëve, qendër të jetës”: ky është tipari dallues i Kongregatës së Pasionistëve, që, të dielën, më 22 nëntor, do të nisin Jubileun e veçantë për 300-vjetorin e themelimit. Me këtë gëzim bashkohet edhe Papa Françesku, me një mesazh të datës 15 nëntor, dërguar eprorit të përgjithshëm, atë Joachim Rego.

          Si çdo karizëm, vëren Ati i Shenjtë, edhe ajo e Pasionistëve, që rrjedh nga misteri Trinitar e ka gjetur vend në Kishë përmes veprës së dikujt, që zgjidhet nga Provania Hyjnore, duhet t’u përgjigjet kërkesave të reja, duke gjallëruar fuqinë krijuese të fillesave të saj. 300-vjetori i themelimit, vijon Papa, është mundësi për të ecur në udhë të reja, sipas shenjave të kohës, dikuar në botë nga Shpirti Shenjt.

Njerëzimi i ndryshuar duhet shoqëruar

          Papa u kërkon Pasionistëve “të gjejnë mënyra të reja jetese dhe forma të reja të shprehuri për t’i shpallur njerëzimit dashurinë e të Kryqëzuarit”, duke dëshmuar kështu, thelbin e identitetit të tyre. E kjo, duhet bërë në kuadrin e një bote, që ka ndryshuar krejtësisht:

“Njerëzimi – shkruan Papa – ka hyrë në spiralen e ndryshimeve, që vënë në diskutim jo vetëm vlerën e rrymave kulturore, të cilat e kanë pasuruar deri tani, por edhe strukturën intime të qenies së tij. Natyra dhe gjithësia, që i janë nënshtruar dhimbjes dhe manipulimit njerëzor (krh. Rom 8:20), marrin tipare shqetësuese degjenerative”.

Misioni: falënderim, profeci e shpresë

          Papa u referohet reflektimeve të kapitullit të fundit të përgjithshëm, i 47-i i Kongregatës, i cili u përqendrua në tri rrugë: falënderim, profeci dhe shpresë.

“Falënderimi është përvoja, me të cilën përjetojmë të kaluarën, duke mbajtur qëndrimin e ‘Magnificat-it të shën Marisë’, por edhe ecim drejt së ardhmes, në qëndrim eukaristik”. Për Pasionistët, pohon Papa, kjo do të thotë të shtrihet në histori “memoria passionis”, pra, kujtesa e dashurisë së Jezu Krishtit, që u flijua për ne në kryq. Ndërsa, profeci do të thotë “të mendosh dhe të flasësh sipas Shpirtit Shenjt”. Kjo është e mundur, duke e jetuar lutjen si frymëmarrje të Shpirtit, duke e lënë atë t’u flasë zemrave, për t’iu përgjigjur nevojave të së tashmes:

“Memoria passionis ju shndërroftë në profetë të dashurisë së të Kryqëzuarit në një botë, që po e humb ndjenjën e dashurisë”.

Së fundi, shpresën e kemi në Atin e Gjithpushtetshëm e të mëshirshëm, i cili nuk na braktis, shkruan Papa Françesku. Shpresë do të thotë të gëzohesh për atë që ke, në vend që të ankohesh për çka të mungon.

Përflakeni botën me dashurinë e misionit

Në dritën e këtij reflektimi, Papa përdor fjalët e themeluesit të Pasionistëve, Shën Palit të Kryqit, për të përvijuar të ardhmen: përflakeni botën, u thotë rregulltarëve, me veprimtarinë misionare të rrënjosur në dashurinë e Zotit më të madh, që është ai i Kryqit, e kujtohuni se misioni është “pasion për Jezusin” dhe njëkohësisht, “pasion për popullin e Tij”. Vetëm ata që kryqëzohen nga dashuria, siç i ndodhi Jezu Krishtit në kryq, janë në gjendje t’i ndihmojnë të kryqëzuarit e historisë me fjalë dhe veprime të frytshme.

19 nëntor 2020, 12:23