Kërko

Papa, Nënë Tereza dhe plaga e dhunës kundër grave, fyerje kundër Zotit

Kremtohet sot, më 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave. Një mundësi për të reflektuar, edhe përmes fjalëve të Papës e të shenjtes shqiptare, Nënë Tereza, mbi këtë plagë të përhapur në gjithë botën, që, në këtë kohë pandemie, bëhet edhe më dramatike. “Nga mënyra se si trajtohet trupi i një gruaje - tha Françesku më 1 janarin e kaluar – kuptohet niveli i humanitetit tonë”

R.SH. - Vatikan

Për të kuptuar shkallën e qytetërimit të një populli, të një shoqërie apo të një njeriu, mjafton të shohësh muret e ndonjë shtëpie, anën e ndonjë rruge, pamjet e ndonjë filmi, ose të ndonjë reklame. “Nga mënyra se si trajtohet trupi i gruas - tha Papa Françesku në meshën e 1 janarit të këtij viti - kuptohet niveli i humanitetit tonë”.

“Gratë janë gurra e jetës. E megjithatë - shtoi Papa gjatë atij kremtimi, në Solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit, - vazhdimisht fyhen, rrihen, përdhunohen, detyrohen të bëjnë prostitutën dhe ta mbysin jetën, që mbajnë në bark. Çdo dhunë kundër grave është fyerje kundër Zotit, që është lindur nga një grua”. Në faqen e tij në Twitter, më 19 qershor, me rastin e Ditës për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë Konflikteve, Ati i Shenjtë theksoi se “gruaja mishëron mbrojtjen e jetës, bashkimin me gjithçka, kujdesin për gjithçka”.

Liri dhe dinjitet

 Dhuna ndaj grave është plagë e hapur për gjithë shoqërinë. Në vitin 2016, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave, Papa Françesku pati shkruar: “Sa gra të mbingarkuara nga pesha e jetës dhe drama e dhunës! Zoti i dëshiron të lira dhe me dinjitet të plotë”. Po në vitin 2016, në Solemnitetin e Ngjitjes së Zojës në Qiell, Papa rikujtoi se “Magnificat”-i, kënga e Marisë, na bën të mendojmë edhe për shumë gjendje të dhimbshme, sidomos, për gratë viktima të dhunës, “gratë skllave të arrogancës së të pushtetshmëve, vajzat e detyruara të bëjnë punë çnjerëzore, gratë që detyrohen t’u dorëzohen me trup e shpirt lakmisë së burrave”. “Sa më parë – pati uruar Ati i Shenjtë – ardhtë për to fillimi i një jete në paqe, në drejtësi e dashuri, në pritje të ditës kur, më në fund, do të ndiejnë se po kapen nga duar, që nuk i poshtërojnë, por i ngrenë me ëmbëlsi dhe u rrëfejnë udhën e jetës, deri në qiell”.

Çdo dhunë kundër grave është fyerje kundër Zotit

Gratë skllave

Në intervistën e gazetares Valentina Alazraki me Papën, transmetuar nga emitentja meksikane Televisa, në vitin 2019, Françesku pati nënvizuar se “bota pa gra nuk funksionon”. Por në rajone të ndryshme të planetit, përfshirë edhe Evropën, ato kthehen shpesh në skllave. “Kur vizitova një qendër rehabilitimi për vajzat, gjatë Vitit jubilar të Mëshirës – pohoi, ndër të tjera, Papa Françesku - njëra e kishte një vesh të prerë, sepse nuk kishte sjellë mjaft para. Kanë kontroll të veçantë mbi klientët, prandaj, nëse vajza nuk bën detyrën e saj, e rrahin, ose e ndëshkojnë, siç i ndodhi asaj. Gra skllave”.

Dhuna kundër grave në Shqipëri

Edhe në trevat shqiptare dhuna kundër grave është e mbetet problematike. Sipas një studimi të vitit 2018 të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), mbi një kampion të moshës 18-74 vjeç, në Shqipëri, më shumë se gjysma e grave dhe e vajzave ka përjetuar së paku një herë dhunë kundër tyre. E kjo përqindje rritet në 65,8% kur është fjala për marrëdhënie dashurore me partnerin. Çështja është mjaft e ndërlikuar, pasi ka të bëjë edhe me një mendësi të rrënjosur, që është e vështirë të ndryshohet.

Vërtet, studimi tregon se 48% e grave të anketuara mendojnë se dhuna në familje është temë private dhe duhet zgjidhur brenda saj. Kështu mendojnë gratë shqiptare, maqedonase, moldave dhe kosovare, që kanë përqindjen më të lartë të kësaj përgjigjeje. Madje, një pjesë prej tyre – fatmirësisht jo shumica – mendojnë se marrëdhëniet seksuale pa pëlqimin e gruas janë të justifikueshme, kur bëhet fjalë për marrëdhënie me bashkëshortin, ose kur femra është veshur në mënyrë “provokuese”. Përqindja e grave, që kanë këtë mendim, është më e lartë në Kosovë, por s’është aspak e ulët edhe në Shqipëri. Këto shifra tregojnë se ka shumë punë për të bërë, sidomos për informimin e grave, për sensibilizimin e shoqërisë dhe për hartimin e ligjeve e të institucioneve në mbrojtje të femrave.

Nënë Tereza
Nënë Tereza

Fjalët e Nënë Terezës

Gruaja jep një kontribut të rëndësishëm në shoqëri, sidomos në kujdesin për tjetrin, për më të brishtin, më të pambrojturin. Sepse gruaja, pa dyshim, mund të jetë ashtu siç e dëshironte Nënë Tereza, shenjtja shqiptare e bamirësisë dhe e dashurisë, e cila, duke iu drejtuar femrave të gjithë botës, thoshte: “Nëse sytë i ke pozitivë, do ta duash gjithë botën. Por, nëse gjuhën e ke pozitive, e gjithë bota do të të dojë. Dashuria e një gruaje shihet nga veprat, ajo sheh me zemër e ndien me sy. Gruaja është banka, ku çdo anëtar i familjes depoziton shqetësimet, plagët dhe zemërimet. Gruaja është betoni, që e mban të bashkuar familjen e dashuria e saj zgjat gjithë jetën”.

25 nëntor 2020, 11:16