Kërko

Vatican News

Papa në Festivalin e Doktrinës Shoqërore të Kishës: për ne të krishterët e ardhmja është shpresë

Shpresa - pohon Papa Françesku në videomesazhin për hapjen e punimeve - është “virtyti i një zemre, që nuk mbyllet në terr, nuk ndalet në të kaluarën, nuk bën sikur jeton në të tashmen, por di të shohë të nesërmen. Çfarë është e nesërmja për ne të krishterët? Është jeta e shëlbuar, gëzimi i dhuratës së takimit me dashurinë trinitare”

R.SH. - Vatikan

Të kujtohemi se jemi pjesë e një historie, që lëviz brenda një përqafimi të madh, të provojmë sërish prirjen kah e Mira, që Zoti ka dikuar në secilin prej nesh, ​​duke u paqtuar me të kaluarën, e cila, e pastruar nga nostalgjia e keqardhja, bëhet tokë pjellore për ndërtimin e së ardhmes. Këto janë mendimet, që përvijojnë punimet e edicionit të dhjetë të Festivalit të doktrinës shoqërore të Kishës, që filloi sot (26 nëntor) e do të përfundojë më 29 nëntor, me temë “Kujtesa për të ardhmen”. Është një edicion, që kushtëzohet nga pandemia e mbahet pa praninë e don Adriano Vincenzi-t, animator i nëntë edicioneve të Festivalit, i cili ndërroi jetë më 13 shkurt.

Të marrim pjesë në të ardhmen

Në festival marrin pjesë përfaqësues nga bota e afaristëve, e profesionistëve, nga sfera institucionale, ajo e bashkëpunimit ndërkombëtar, e ekonomisë dhe e kulturës. Në videomesazhin për hapjen e punimeve, Papa Françesku na nxit të “marrim pjesë në të ardhmen”, të kemi sy e zemër “të orientuar eskatologjikisht”.

“Për ne të krishterët, e ardhmja ka një emër dhe ky emër është “shpresa”. Shpresa është virtyt i një zemre që nuk mbyllet në terr, nuk ndalet në të kaluarën, nuk bën sikur jeton në të tashmen, por di të shohë të nesërmen. Çfarë është e nesërmja për ne të krishterët? Është jeta e shëlbuar, gëzimi i dhuratës së takimit me dashurinë trinitare. Në këtë kuptim, të jesh Kishë do të thotë të kesh sy e zemër krijuese, të orientuar eskatologjikisht, pa iu nënshtruar tundimit të nostalgjisë, e cila është patologji e vërtetë shpirtërore”.

Të jetosh kujtesën për të ardhmen

Papa na nxit ta kuptojmë dinamikën e të krishterëve: “nuk është ajo e ruajtjes të së kaluarës me nostalgji, – pohon në videomesazh - por ajo e hyrjes në kujtesën e përjetshme të Atit Qiellor e kjo është e mundur përmes një jete në bamirësi”. Nuk duhet të ndiejmë atë “nostalgji, që e bllokon krijimtarinë dhe na bën njerëz të ngurtë dhe ideologjikë edhe në sferën shoqërore, politike dhe kishtare”. Përkundrazi, të kërkojmë atë kujtesë “aq thelbësisht të lidhur me dashurinë dhe përvojën, sa të bëhet një nga përmasat më të thella të njeriut”. “Shartuar në jetën e dashurisë trinitare, bëhemi të aftë për kujtesë, për kujtesën e Zotit”. Papa Françesku pastaj përmend kuptimin e Festivalit të këtij viti:

“Të jetomë kujtesën për të ardhmen do të thotë të impenjohemi që Kisha, populli i madh i Zotit, të jetë, në tokë, fillimi dhe fara e Mbretërisë së Hyjit, të jetojmë si besimtarë të përfshirë në shoqëri, duke dëshmuar jetën e Zotit, që e kemi marrë si dhuratë në Pagëzim që të krijohet sot, kujtesa e asaj jete të ardhme në të cilën do të jemi së bashku para Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt. Ky qëndrim na ndihmon ta kapërcejmë tundimin e utopisë, atë të reduktimit të kumtit të Ungjillit në horizontin e thjeshtë sociologjik, ose të përfshirjes në reklamimin e teorive të ndryshme ekonomike apo të grupeve politike. Në botë, me forcën e krijimtarinë e jetës së Zotit brenda nesh do të dimë, kështu, t'ua mrekullojmë zemrën e vështrimin njerëzve kah Ungjilli i Jezu Krishtit, do të ndihmojmë për t'i bërë të frytshme projektet për një ekonomi të re gjithëpërfshirëse e për politika të afta për dashuri”.

Pjesë e një historie

Memoria për të ardhmen - nënvizojnë promovuesit e Festivalit – do të thotë të kujtohemi se jemi pjesë e një historie. Të kujtosh të ardhmen ka ndikim shoqëror: i tregon gjërat në përmasën e duhur, çliron nga rolet e kota dhe nga egoizmi, rikthen vizionin e përgjithshëm, aktivizon bashkëpunimet, bën të mundur punën për të mirën e të gjithëve e të secilit. Kujtesa për të ardhmen ripropozon idenë e duhur të zhvillimit, të zhvillimit të gjithanshëm dhe vë për udhë bashkësitë, territoret dhe popujt, me vetëdijen se e ardhmja u takon njerëzve, që e bëjnë atë të pranishme. Kujtesa për të ardhmen është garancia e vërtetë e lirisë, vokacionit dhe e fatit të njeriut, i thirrur jo aq për të bërë gjëra të reja, sa për t’i bërë të reja të gjitha gjërat. Programi i Festivalit parashikon ngjarje të ndryshme, përfshirë seminare dhe konferenca, të cilat mund të ndiqen në faqen www.dottrinasociale.it në tansmetim të drejtpërdrejtë.

26 nëntor 2020, 21:47