Kërko

Festa e Pavarësë në Poloni Festa e Pavarësë në Poloni 

Papa: lutja për viktimat e dhunës inkurajoftë paqen!

Gjatë përshëndetjeve, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku kujtoi të vdekurit gjatë luftërave dhe citoi Gjon Palin II, që na kujton se: “Të jesh me të vërtetë i lirë, do të thotë të jesh ‘njeri që jeton për të tjerët’”.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të katekizimit të audiencës së përgjithshme, duke përshëndetur besimtarët francezë, mendimi i Papës shkoi tek të vdekurit gjatë luftërave, që përkujtohen sot në disa vende, duke u kërkuar edhe besimtarëve t’i kujtojnë në lutje:

“Uroj - tha në vijim - që lutja  për të gjitha viktimat e dhunës në botë  të na ikurajojë të jemi mjete të paqes e të pajtimit”.

Të jesh i lirë, nuk do të thotë të bësh çka të pëlqen

Fjalët paqe e pajtim na kujtojnë menjëherë temën e lirisë. Duke përshëndetur besimtarët polakë, Papa kujtoi se sot, në vendin e tyre, kremtohet Festa Kombëtare e Pavarësisë,  rifituar pas 123 vjetësh copëtimi e sundimi nga të huajtë – në vitin 1918, pas Luftës I Botërore,  si Republika II e Polonisë:

“Ndërsa e falënderojmë Zotin e historisë për dhuratën e lirisë kombëtare e personale, të vjen në mendje  mësimi, që Gjon Pali II u jepte të rinjve: ‘Të jesh vërtet i lirë, nuk do të thotë të bësh gjithçka që të pëlqen, ose çka të teket të bësh.(…) Të jesh vërtet i lirë, do të thotë ta përdorësh lirinë tënde  për çka është e mira e vërtetë(…). Të jesh vërtet i lirë,  do të thotë  të jesh njeri me ndërgjegje të pastër, ta ndjesh përgjegjësinë tënde, të jesh njeri “për të tjerët” (Letra drejtuar të rinjve,13). Zoti i bekoftë të gjithë polakët, duke u dhënë paqe e prosperitet”.

Më pas, duke kujtuar Raportin McCarrick, Papa nënvizoi se është “Afër viktimave!”.

T’i ngjasim Shën Martinit

Nuk mungoi gjatë përshëndetjeve në spanjisht, një cekje e situatës krijuar nga Covid-19. Françesku kujtoi çastet e vështira, që po kalon mbarë njerëzimi. Ndërsa besimtarëve të gjuhës italiane i kujtoi festën e sotme të Shën Martinit, ipeshkëv i Tur: “Ky bari  i Kishës së lashtë - nënvizoi -  dallohej për dashurinë e thellë ungjillore ndaj të varfërve e të shtypurve. Shembulli i tij i mësoftë secilit prej nesh të jetë gjithnjë më guximtar në fe e më bujar në bamirësi”.

11 nëntor 2020, 13:22