Kërko

2020.11.05 Santa Messa per cardinali e vescovi defunti 2020.11.05 Santa Messa per cardinali e vescovi defunti 

Papa: lutja drejtuar Zotit na bashkon nё kёtё jetё dhe nё amshim

Papa: “Lutja për të vdekurit, e lartuar në besimin se ata jetojnë pranë Zotit, përhap tё mirat e saj edhe mbi ne: na edukon në një vizion të vërtetë të jetës; na hap drejt lirisë së vërtetë, duke na larguar nga kërkimi i vazhdueshëm i të mirave tё përjetshme”.

R.SH. - Vatikan

“Lutja për të vdekurit, e lartuar në besimin se ata jetojnë pranë Zotit, përhap tё mirat e saj edhe mbi ne: na edukon në një vizion të vërtetë të jetës; na hap drejt lirisë së vërtetë, duke na larguar nga kërkimi i vazhdueshëm i të mirave tё përjetshme”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 5 nёntor 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Të vdekurit kanë nevojë për lutje

Gjatë homelisë sё Meshёs sё 4 nёntorit 20016, Ati i Shenjtë kujtoi praktikën fisnike të lutjes për shpirtin e të dashurve që e kanë lënë këtë botë. Ata që vdekja i ka thirrur të kalojnë nga koha në amshim – theksoi Ati i Shenjtë - kanë nevojë për lutjet tona, që na kujtojnë besimin në ngjalljen e të vdekurve. Papa komentoi fragmentin biblik të Ezekielit Profet (37,1-14), që përshkruan një fushë plot me eshtra të thata, të cilat rifitojnë jetën, sapo hyn në ta shpirti i Zotit, që vjen nga të katër anët e botës. E ky është hapi i parë drejt besimit në ringjalljen e të vdekurve. Ky besim përmbushet më pas në Besëlidhjen e Re.

Në dritën e misterit të Pashkëve të Krishtit, vegimi i eshtrave të thata fiton vlerën e një shëmbëlltyrë universale mbi gjininë njerëzore, që shtegton në mërgimin tokësor, nën zgjedhën e vdekjes. Në mbarim të jetës shkëputemi nga çdo gjë tokësore, humbasim gjithçka na lidhte me këtë jetë, por jo hirin e Tёnzot për virtyt të të cilit jemi të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me misterin e Krishtit. Kur Fjala e Hyjit, e mishëruar në Jezusin, erdhi të banojë në botë, i solli njerëzimit lajmin e gëzuar të jetës së pasosur. Ky lajm shprese arrin deri në thellësinë e varreve, në sa hapet përfundimisht rruga që çon në Tokën e premtuar – tha Papa - dhe në vijim theksoi: “Të njohësh Krishtin do të thotë të njohësh Atin e të njohësh Atin do të thotë të hysh në bashkim real me vetë Zanafillën e Jetës, të Dritës, të Dashurisë. Kështu të vdesësh nuk do të thotë të mbarosh, por të arrish në cakun e dëshiruar, në atdheun qiellor”.  

Miq të Jezusit, gëzojnë në qiell një pasuri që nuk kalbet kurrë

Qenë miq të Jezusit në jetën tokësore, tani janë në dashurinë e amshuar të Hyjit në qiell. Këtë theksoi Papa në bazilikën e Vatikanit duke kryesuar Meshën, kremtuar mё 5 nёntor 2013 për shpirt të kardinajve e të ipeshkvijve që ndërruan jetë gjatë vitit të kaluar. Ati i Shenjtë nënvizoi se lutja për shpirt të të vdekurve në Kishë, mbështetet mbi lutjen e Jezusit, që thotë: “O Atë, dua që ata, të cilët m’i dhe, të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua” (Gjn. 17, 24). “Ata të cilët m’i dhe!”: është një përkufizim i bukur i të krishterit, pohoi Papa: "Janë njerëz që Ati ia dha Krishtit. I hoqi nga bota, nga kjo botë, që nuk e njohu, e i thirri të bëhen miq të Jezusit. Ky ishte hiri më i çmuar i tërë jetës së tyre. Ishin, sigurisht, njerëz të ndryshëm, si për ngjarjet personale, ashtu edhe për shërbimin që kryen: por të gjithë patën të përbashkët gjënë më të çmuar: miqësinë me Zotin Jezus.

Jezusi ishte shorti i tyre mbi tokë, si meshtarë, e tani, përtej kufijve të vdekjes, ndajnë bashkë në qiell trashëgimin e pashkatërrueshëm, të panjollë, të pakalbshëm” (Pt, 1,4). Është një shpresë që na ngushëllon, kur kujtojmë të vdekurit e lutemi për shpirtin e tyre – tha Papa- i cili më pas citoi Psalmin 42: “Përse, o shpirti im lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua? Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, Shëlbuesin tim, Hyjin tim!”.

“Si meshtarë – tha në përfundim Ati i Shenjtë – i duruan të gjitha provat e jetës, edhe akuzat e talljet e atyre, që nuk ngurrojnë t’i thonë besimtarit në provë: “Ku është Hyji yt?”. Tani, në përfundim të mërgimit të tyre tokësor, arritën më në fund në atdhe. Duke ndjekur rrugën e hapur nga Zoti i tyre i ngjallur, nuk hynë në shenjtëroren e punuar me dorë njeriu, por drejt në qiell e, së bashku me të Lumen Mari gjithmonë Virgjër e me të gjithë shenjtorët, mund të kundrojnë, më në fund – e për këtë lutemi – fytyrën e Hyjit e të këndojnë në amshim lavdet e tij. Amen.

05 nëntor 2020, 22:39