Kërko

Françesku lutet për popullsitë e Amerikës Qendrore, të dëmtuara rëndë nga uragani

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi popullsitë e Amerikës Qendrore, që po vuajnë nga pasojat e shirave të vazhdueshme të kohëve të fundit. E, natyrisht, fillimin e Kohës së Ardhjes.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi popullsitë e Amerikës Qendrore, që po vuajnë nga pasojat e shirave të vazhdueshme të kohëve të fundit:

“Dëshiroj t’u shpreh përsëri afërsinë time popullisve të Amerikës Qendrore, të dëmtuara rëndë nga uragane të fuqishme, duke kujtuar posaçërisht Ishujt San Andrés, Providencias e San Catalina, si dhe bregdetin paqësor të veriut të Kolumbisë. Lutem për të gjitha vendet, që vuajnë nga shkaku i këtyre fatkeqësive natyrore”.

Udha e Ardhjes

Para se të ndahej nga Sheshi, Papa i ftoi të gjithë të tregohen të kujdesshëm në këtë kohë pandemie, duke treguar, më pas, tri sjellje, për udhën e Kohës së Ardhjes: “Më shumë përkorë; më shumë vëmendje e respekt për të afërmit, që mund të kenë nevojë, e edhe ndonjë çast lutjeje në gjirin e familjes, me thjeshtësi  e dashuri”.

Uraganet në Amerikën Qendrore, më se 200, të vdekurit

Javët e kaluara Uraganet Eta e Iota, kujtuar nga Papa, e dëmtuan rëndë Amerikën Qendrore, duke shkaktuar vdekjen e 200 vetëve, një numër të papërcaktuar të humburish si dhe dëme prej qindra miliona dollarësh. Dy situatat metereologjike ndoqën njëra tjetrën, duke lënë pas përmbytje katastrofike e shkatërrime të jashtëzakonshme në Qendrën e Amerikës si dhe në ishujt karaibike kolombiane. Uragani Eta shpërthey për herë të parë më 3 nëntor; Iota e ndoqi pas më 16 të të njëjtit muaj, me shira të  rrëmbyera, që e keqësuan më tej situatën, edhe ashtu e rëndë, për shkak të tokës së ngopur me ujë.

Bilanc i rëndë për të gjitha vendet

Bilanci më i rëndë i takoi Hondurasit, ku përmbytjet shkaktuan 94 të vdekur e 8 të humbur. Mbrojtja civile e vendit  regjistroi 3,9 milionë njerëz të dëmtuar, nga të cilët, 154 mijë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre  të shkatërruara ose të pabanueshme. Pothuajse 300 rrugë u dëmtuan rëndë, 48 ura u shkatërruan e 32 të tjera u dëmtuan nga fryrja e lumenjve.

Pasoja të rënda, edhe në Guatemalë, ku u regjistruan 60 të vdekur, rreth 100 të humbur e 2,1 milionë njerëz të dëmtuar rëndë. Bilanci përfundimtar i një shembjeje dheu, që gëlltiti dhjetra shtëpi të një fshati indian, nuk është bërë i ditur akoma e mund të arrijë në më se njëqind të vdekur. Shembjet e dheut nuk e kursyen as Nikaraguan, ku përmbytjet shkaktuan vdekjen e më se 21 vetëve e dëme me vlerë prej 742 milionë dollarësh.

Të përmbytur, edhe ishujt kolombianë

Në Panama, Eta e Iota shkaktuan 20 të vdekur e dhjetë të zhdukur. E pastaj edhe Kosta Rika vuajti shumë nga kalimi i Etas.

Në Engjëllin e Tënzot, Papa i kujtoi me dhimbje  të thellë 270 mijë banorët këyre vendeve, që po jetojnë në kushte të rënda humanitare, pa ushqim, pa ujë e pa objektet më të nevojshme për higjienën personale, në një kohë kur u duhet t’i bëjnë ballë edhe “një uragani” tjetër, tejet të rrezikshëm: pandemisë!

 

 

29 nëntor 2020, 14:17