Kërko

40-vjet pas tërmetit të Irpinies 40-vjet pas tërmetit të Irpinies 

Papa kujton plagët ende të papërthara të tërmetit të Irpinies

Në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi 40-vjetorin e 23 nëntorit 1980, që dëmtoi rëndë Kampanien e Bazilikatën dhe ftoi për solidaritet me familjet në vështirësi ekonomike, që në këtë kohë e kanë humbur punën e po jetojnë në kushte shumë të vështira.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi posaçërisht popullsitë e Kampanjës e të Bazilikatës, 40 vjet pas tërmetit me epiqendër në Irpinie, që mbolli vdekje e shkatërrime të mëdha. Kaluan dyzet vjet që atëherë. Kjo ngjarje dramatike, plagët e së cilës janë akoma të papërthara plotësisht – vijoi të kujtojë Papa - nxori në pah bujarinë dhe solidaritetin e italianëve. E dëshmojnë vëllazërimet ndërmjet vendeve të dëmtuara nga tërmeti e ndihmat e banorëve të Veriut për ata të Qendrës, lidhjet e të cilëve vijojnë edhe sot e kësaj dite, duke favorizuar udhën e vështirë  të rindërtimit.   

Më pas, përshëndetja drejtuar romakëve e shtegtarëve që, pavarësisht nga vështirësitë e gjithnjë duke respektuar rregullat, u mblodhën përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit.

Një përshëndetje e posaçme ishte ajo, që Françesku ua drejtoi familjeve, të cilat në këtë periudhë nuk e kanë jetën aspak të lehtë:

“Mendoni - u kujtoi mbarë besimtarëve që e ndiqnin - për një mori familjesh, të cilat jetojnë në mes vështirësive të panumërta në këtë kohë të vështirë, sepse nuk kanë punë e kanë dy-tre fëmijë. E nganjëherë, nga që u vjen turp, i fshehin këto vështirësi”.

E këtu Papa bëri një thirrje prekëse:

“Shkoni ju e kërkoni ku ka nevojë! Atje ku Jezusi ka nevojë! Bëjeni këtë!”.

Në përfundim Ati i Shenjtë u uroi të gjithëve të diel të gëzuar! Shoqëruar, si gjithnjë, me lutjen: “Mos harroni ta thoni një uratë për mua!”.

22 nëntor 2020, 13:19