Kërko

Vatican News
Bashkësia e Kolegjit Latino-Amerikan të Romës Bashkësia e Kolegjit Latino-Amerikan të Romës  (Vatican Media)

Papa: Covidi e frikëson botën, ndihmojeni të mos mbyllet në vetvete!

Françesku u flet anëtarëve të Kolegjit Papnor Latinoamerikan, duke i ftuar të punojnë “për ta shëruar botën nga sëmundja e tmerrshme, që po e mundon”: ndërsa virusi vijon të vrasë, bota e refuzon dialogun. Ndihmojini të gjithë “t’i hapin portat e zemrave”, të kujdesen për njerëzit, që “ndjenja e vëllazërimit të ketë epërsi mbi çdo indiferencë”- është ftesa e Papës.

R. SH. - Vatikan

Sot, duke u takuar me bashkësinë e Kolegjit Latinoamerikan, Papa vuri në dukje historinë e ungjillëzimit të Amerikës Latine, por edhe  sfidat e kohës dhe nevojën për t’i qëndruar besnikë misionit, për të formuar e për t’u formuar si meshtarë në shërbim të popullit të Zotit, që shtegton udhëve të pafundme të Amerikës Latine.

Sadoqë historia i ndau popujt tanë - kujtoi - nuk arriti t’i shkatërrojë rrënjët të cilat i bashkuan në veprën e madhe të ungjillëzimit të Amerikës. E pikërisht mbi këtë bazë - theksoi Ati i Shenjtë - lindi Kolegji Latinoamerikan, si angazhim për t’i bashkuar të gjitha kishat tona të veçanta e për t’ia hapur zemrën Kishës universale, në qytetin e Romës:

“Kjo përvojë bashkimi  është sfidë e madhe, sepse shembulli i kombinimit të elementeve gjuhësore e kulturore me natyrë të ndryshme e bëri të madhe Amerikën e mund të kontribujë për shërimin e botës! Ungjilli dhe mesazhi i tij arritën në tokën tonë përmes mjeteve njerëzore, jo pa mëkate, por edhe ngadhënjyen mbi ligështinë tonë e Fjala e Zotit u përhap në çdo skaj të Kontinetit. Popujt dhe kulturat e pranuan me një mori formash, që mund t’i kundrojmë edhe sot e kësaj dite”.

Këtë nënvizoi Papa në takimin me Kolegjin Papnor Latinoamerikan, duke kujtuar, në vijim, se sot latinoamerikanët janë të shpërndarë në të katër anët e botës e se nga ky realitet përfituan shumë bashkësi të krishtera. Kishat e veriut e të qendrës së Evropës, e edhe të lindjes, gjetën në to vitalitet të ri. Popujt latinë u takuan me njëri-tjetrin e me popujt e tjerë, në sajë të lëvizjeve e të mjeteve të komunikimit e, gjatë këtij takimi pasuruan e u pasuruan!

Ftesa për ta hedhur farën e Fjalës, pa paragjykime

Më pas, thirrja e Françeskut:

“Në këtë fushë jeni të thirrur ta mbillni farën bujarisht, pa paragjykime, ashtu si mbjell Zoti, që nuk e shikon ngurtësinë e tokës, as praninë e gurëve, nuk e çrrënjosë egjrën, për të mos shkulur, njëherësh me të, edhe farën e mirë të mbretërisë”.

Mbi këtë duhet të mbështetet formimi juaj, për t’u dhënë një dorë e për t’i ftuar të gjithë që t’u bëjnë mirë të gjithëve, së bashku me ju.

Në vijim Papa vuri theksin mbi tri pika konkrete aksioni personal e komunitar.

Së pari “Hapja e zemrës dhe e zemrave”.  Domethënë t’ia hapësh zemrën Zotit, që nuk pushon së trokituri në portën tonë, për të banuar në ne. Por edhe vëllait!

Së dyti “T’u jepet një dorë të tjerëve, e të ftohen ta bëjnë edhe ata këtë”. “Zoti – kujtoi Papa - ju thirri për rrugën meshtarake e ju ftoi në qytetin e Romës për të plotësuar formimin tuaj, sepse kërkon të bëheni barinj sipas zemrës së Tij.  Barinj që i ruajnë delet, i kullosin, i përkujdesin, punojnë gjithnjë për të mirën e tyre.  Luftoni kundër kulturës së hedhurinës - i ftoi Papa - kundër mosbesimit e paragjykimeve për shkaqe race, kulture, feje, që ndjenja e vëllazërimit të ketë epërsi mbi çdo ndryshim.

Së treti, Françesku kërkoi të shpëtohet bota nga sëmundja e rëndë, prej së cilës vuan - nga pandemia. Globalizimi i kapërceu kufijtë - kujtoi - por jo mendjet e zemrat. Virusi përhapet pambarimisht, e ne nuk jemi në gjendje t’i japim një përgjigje të përbashkët. Bota vijon t’i mbyllë portat e ta refuzojë dialogun dhe bashkëpunimin:

“Mjekimi i kësaj sëmundjeje duhet të vijë nga poshtë, nga zemrat e shpirtrat, që do t’ju besohen një ditë, me propozime konkrete në fushën e edukimit, të katekizmit, angazhimit shoqëror, aftësisë për t’i ndryshuar mendësitë, për të krijuar hapësirat e nevojshme të mjekimit të kësaj sëmundjeje e për t’i dhënë Zotit një popull të bashkuar” .

Këtë theksoi Papa, duke e përfunduar këtë takim me lutjen  drejtuar Zojës së Guadalupes, Pajtore e Amerikës Latine,  "që  t’i ndihmojë kolegjarët  t’i përgjigjen thirrjes për të shërbyer ku t’i thërrasë Zoti, dhe me urimin që  Ai i Lumi t’i bekojë e Zoja t’i ruajë”.

20 nëntor 2020, 13:24