Kërko

Vatican News
 Cardinale Raúl Eduardo Vela Chiriboga Cardinale Raúl Eduardo Vela Chiriboga 

Papa, kardinali Vela Chiriboga: një jetë në shërbim të Zotit

Në një telegram ngushëllimi, Papa Françesku shpreh afërsinë e tij me familjen dhe komunitetin e kardinalit kryeipeshkёv nderi të Quito, i cili vdiq të dielën e kaluar, në moshën 86 vjeç. Mesha e dritës dhe varrimi mbahen sot paradite në Katedralen e kryeqytetit të Ekuadorit.

R.SH. - Vatikan

Posa mori vesh lajmin e vdekjes së kardinalit Raúl Eduardo Vela Chiriboga, kryeipeshkёv nderi i Quitos në Ekuador, Papa Françesku u shpreh ngushëllimet anëtarëve tё familjes së tij dhe komunitetit kishtar. Në një telegram dërguar kryeipeshkvit të Quitos, Imzot Alfredo José Espinoza Mateus, Papa Françesku kujton misionin e këtij bariu i cili, tёrё jetёn, gjatё viteve tё shërbimit me përkushtim e besnikëri, ia kushtoi Zotit e Kishës. "Jezusi Zot ia dhashtё kurorën e përjetshme të lavdisë" shkruan Papa Françesku, duke u dhënë të gjithëve Bekimin Apostolik, "nё shenjë shprese të krishterë në Zotin e Ngjallur".

Një jetë në shërbim të Kishës e të Zotit

Kardinali Raúl Eduardo Vela Chiriboga vdiq më 15 nëntor, kishte 86 vjeç, pra, jo zgjedhës në Konklavin e Kardinajve. Kёshtu njoftoi Konferenca e Ipeshkvijve lokalë, duke kërkuar lutje për shpirtit të ndjerit dhe duke cituar një fragment nga Ungjilli i Mateut mbi "shërbëtorin e mirë dhe besnik të Zotit" (25, 23). Varrimi i Kryeipeshkvit të ndjerë mbahet sot më 17 nëntor, në orën 10.00, në Katedralen Metropolitane të Quitos. Lindur në Riobamba më 1 janar 1934, i pesti nga nëntë fëmijë, pasi mbaroi arsimin e lartë në kolegjin Salezian të qytetit të tij të lindjes, më 1951 kardinali i ardhshëm hyri në seminarin e madh tё Quito, për të vazhduar e thelluar më pas formimin e tij teologjik, baritor e liturgjik edhe jashtë Ekuadorit, veçanërisht në Bogotá, Madrid dhe Buenos Aires.

I shuguruar meshtar më 28 korrik 1957, më 20 prill 1972  është ipeshkëv ndihmës i Guayaquil. Më 8 korrik 1989 emërohet Ipeshkëv ushtarak për Ekuadorin e, më 21 mars 2003, Kryeipeshkëv i Quitos, ku i kushtohet me pasion edukimit të të rinjve. Hap edhe një klinikë mjekësore për priftërinjtë e sëmurë. Më 11 shtator 2010, në moshën 76 vjeç, paraqet kërkesën për dorëheqje  nga drejtimi baritor i kryedioqezës së Quito-s ndërsa, më 20 nëntor të të njëjtit vit Papa Benedikti XVI e krijon kardinal, me titullin  e Santa Maria in Via. Në vitin 2013 është i pranishëm në Konklavin, që zgjedh Papën Françesku.

Përditësim i Kolegjit kardinalor

Me vdekjen e kardinalit Raùl Eduardo Vela Chiriboga Kolegji kardinalor numëron 217 kardinaj nga të cilët 119 me të drejtë zgjedhore e 98 pa këtë të drejtë. Me vdekjen e  kardinalit Chiriboga, Ekuadori nuk figuron më ndërmjet vendeve të përfaqësuara në Kolegjin kardinalor. Vendet që përfaqësohen tani janë 87. Ndërmjet tyre, edhe Shqipëria, me kardinalin Ernest Simoni Troshani.

17 nëntor 2020, 12:11