Kërko

2020.11.28 Concistoro per la creazione di 13 nuovi Cardinali 2020.11.28 Concistoro per la creazione di 13 nuovi Cardinali 

Papa: kardinajve të rinj, kёrkoni interesat e Krishtit, në rrugën e Tij!

Papa gjatë Koncistorit të 28 nëntorit: Jezusi është udha. Udha e Tij, e jo tjetër. Udha e Birit të Zotit, e Shërbëtorit të Zotit! Kryqi e Ringjallja i përkasin historisë sonë, janë e sotmja jonë, por edhe caku i udhës sonë. Larg udhës së atyre që, ndoshta edhe pa u kujtuar, ‘e përdorin’ Zotin për t’i shërbyer vetvetes.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku krijoi sot pasdite trembëdhjetë kardinaj të rinj të Kishës: kujdes të mos u largoni prej udhёs sё Zotit, paralajmëroi Bergoglio, duke i ftuar kardinajtë e rinj të ndjekin gjithmonë udhёn dhe "interesat e Krishtit" dhe kurrë ato personale.

Fjala bazë, që e frymëzoi Papën për homelinë e sotme, ishte “Udha”. Udha - kujtoi - është mjedisi në të cilin zhvillohet skena e përshkruar nga Shën Marku Ungjilltar. E edhe ambienti, ku ecën gjithnjë Kisha: udha e jetës, e historisë, që është histori e shëlbimit, në atë masë që bëhet me Krishtin, e drejtuar kah misteri i Pashkëve të Tij. Jeruzalemi është gjithnjë para nesh  - vijoi -  e Kryqi dhe Ringjallja i përkasin historisë sonë, janë e sotmja jonë, por edhe caku i udhës sonë:

“Këto Fjalë ungjillore i shoqërojnë shpesh Koncistoret për krijimin e kardinajve të rinj. E nuk është vetëm sfond, por rrëfyes i asaj udhe, në të cilën po ecim sot bashkë me Jezusin, që na prin para. Ai është  forca dhe kuptimi i jetës sonë dhe i shërbesës sonë”.

Krishti nuk i braktis kurrë miqtë e tij

E sot na takon ne të matemi me këtë Fjalë - vijoi Françesku - ndërsa përshkruante, i mbështetur mbi Ungjllin e Markut, dishepujt e Krishtit, të habitur, të trembur, ngaqë e dinin ç’i priste në Jeruzalem. Jezusi e njeh mirë gjendjen e  tyre shpirtërore, ndaj nuk i braktis kurrë! Edhe atëherë kur duket se shkon pa e kthyer kokën pas, në rrugën e tij. Çdo gjë që bën, e bën gjithnjë për ne, për shëlbimin tonë. E përsa u përket të Dymbëdhjetëve, e bën që t’i përgatisë për provë, që të mund të jenë me të tani, e posaçërisht më pas, kur Ai nuk do të jetë më në mes të tyre. Që të jenë gjithnjë me Të, në rrugën e tij.

Me që e dinte se zemra e dishepujve ishte e trazuar, Jezusi i thërret të 12-tët mënjanë e u kujton rishtas atë që po ndodhte”- kujtoi Papa - duke krijuar të njëjtën atmosferë para Kolegjit Kardinalor e kardinjave të rinj, që po e ndiqnin me emocion gjithnjë të ri:

“Kjo është udha e Zotit! Udha e Shërbëtorit të Zotit. Jezusi identifikohet  me këtë udhë deri në atë pikë, sa Ai vetë është udha. ‘Unë jam udha!’. Kjo udhë! Jo një tjetër”.

Por ka edhe një udhë tjetër!

E pikërisht në këtë çast - kujtoi Papa duke vijuar homelinë, lidhur ngushtë me atë, që po jetohej në Bazilikën e Shën Pjetrit -  ndodh  e papritura. Në udhë e sipër dy apostuj, Jakobi e Gjoni, i afrohen Jezusit e i shprehin   dëshirën që u vlonte heshturazi në shpirt: të uleshin, në lumninë e Krishtit, njëri në të djathtën e tjetri në të majtën e Tij. Po kjo nuk është udha e Jezusit, është tjetër - theksoi Françesku - duke e aktualizuar këtë udhë, që ndoshta e ëndërron, ditur a paditur, shumëkush:

“Është udha e kujt, ndoshta edhe pa u kujtuar, ‘e përdor’ Zotin  për t’i shërbyer vetvetes; e kujt, siç na kujton Shën Pali, kërkon pikërisht të realizojë interesat e veta e jo të Zotit. Për këtë e shkroi Shën Agostini Predikimin mahnitës drejtuar barinjve të tij, në Oficen e leximeve”.

Mos dilni jashtë rrugës

Jezusi - vijoi Papa - pasi i pati dëgjuar Jakobin e Gjonin, nuk u zemërua. Me durim të pafundmë, iu përgjigj dy vëllezërve, që e ëndërronin mbretërinë në mënyrën e tyre: “Ju nuk e dini çka po kërkoni!”. I fal, kështu, por edhe i akuzon:

“Ju nuk kujtoheni se jeni jashtë udhës”.

Duke e ditur mirëfilli se pothuajse të gjithë tundoheshin për të dalë jashtë udhës, nga që nuk e kishin kuptuar si duhet fjalën “udhë”.

Si  duhet ta ndjekim Jezusin

Të  gjithë duam ta ndjekim Jezusin - kujtoi në vijim të homelisë së Meshës Papa - por duhet të jemi gjithnjë vigjilentë, që të mbetemi në udhën e Tij: 

“Sepse me këmbë e me trup mund të jemi me Të, po zemra jonë mund të jetë larg e të na shtyjë jashtë rruge. Kështu, për shembull, purpuri i rrobës kardinalore, që është ngjyrë gjaku, mund të bëhet, për shpirtin e botës,  ngjyrë që të dallon nga të tjerët”.

Në këtë rrëfim ungjillor - kujtoi Papa - shikojmë kontrastin ndërmjet Jezusit e Apostujve. Ai është në rrugë, ata jashtë rruge. E vetëm Zoti mund t’i shpëtojë nga rreziku i humbjes, vetëm kryqi i Tij e ngjallja e Tij. Ai ngjitet drejt Jeruzalemit për ta e për të gjithë. Për ta e për të gjithë e derdh gjakun. Për ta e për të gjithë ngjallet nga të vdekurit e, me dhuratën e Shpirtit Shenjt i fal e i shndërron. E u prin në udhën e drejtë!

Marku - ashtu si Mateu e Luka - e përfshinë këtë rrëfim në Ungjijtë e tyre, sepse është fjalë që shëlbon, e nevojshme për Kishën e të gjitha kohëve! Fjalë, që na drejtohet edhe ne. Sepse edhe ne, Papa e kardinajtë,  duhet të ecim gjithnjë  duke e  pasqyruar veten në këtë të vërtetë. Është shpatë me dy teha, të pret, të dhemb, por edhe të shëron, të çliron, të shndërron. E shndërrim do të thotë pikërisht të kalosh prej jashtë rruge, në rrugën e Zotit.

“Shpirti Shenjt na e dhashtë sot e përgjithmonë këtë hir”- e përfundoi Papa homelinë - për të vijuar kremtimin e Meshës së sotme – që do të pasohet nga kremtimi solemn i së dielës.

28 nëntor 2020, 16:38