Kërko

Vatican News

Një udhë drejt Krishtlindjes, frymëzuar nga “Laudato sì”

Përmes një videomesazhi, Papa Françesku falënderon dhe inkurajon të rinjtë e Institutit universitar salezian të Venedikut dhe Veronës (Iusve) të cilët, së bashku me Cube Radio, emitenten e tyre akademike, duan të përfshijnë përdoruesit e internetit në një itinerar gjatë Kohës së Ardhjes, frymëzuar nga “Laudato sì”. Projekti quhet “Koha e Ardhjes Green Dream” e do të fillojë të dielën, më 29 nëntor, për të vazhduar deri në Krishtlindje

R.SH. - Vatikan

“Falënderoj të rinjtë e institutit universitar salezian e Cube Radio-n e Venedikut, që kanë përgatitur një udhë për Kohën e Ardhjes, frymëzuar nga Fjala e Zotit e çdo të diele dhe nga Letra Enciklikë “Laudato sì”. Faleminderit. Ju ftoj të përfshini të rinj të tjerë dhe përdorues të internetit në përgatitjen e Krishtlindjes, duke përhapur, edhe përmes rrjeteve shoqërore të Vatican News, Fjalën e Zotit e duke i ftuar të kujdesen për shtëpinë e përbashkët. Faleminderit. Lutem për ju e ju lutuni për mua”.

Me këto fjalë, në një videomesazh, që u bë i njohur sot, Papa Françesku inkurajon një grup të rinjsh të Institutit universitar salezian të Venedikut dhe Veronës (Iusve), të cilët, së bashku me Cube Radio-n, emitenten e tyre akademike, duan të përfshijnë përdoruesit e internetit në një itinerar gjatë Kohës së Ardhjes, frymëzuar nga enciklika e Atit të Shenjtë “Laudato sì”.

Udha, që duan të përshkojnë të rinjtë, quhet “Koha e Ardhjes Green Dream” e përbëhet nga 26 fraza të përditshme të marra nga “Laudato sì”, për t’u publikuar duke filluar nga e diela 29 nëntor e deri në prag të Krishtlindjes. Udha piketohet nga po aq ikona të realizuara nga vetë të rinjtë, të cilat mund të merren çdo ditë me email, përmes newsletter ose kanalit Telegram, duke u regjistruar drejtpërdrejt nga faqja e internetit cuberadio.it.

Udhë për “social generation”

“Një mesazh shprese – pohon don Nicola Giacopini, drejtori i Iusve – që u duhet kumtuar të gjithëve, veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve të të ashtuquajturit ‘social generation’ (brezit të rrjeteve shoqërore). Duhet që ai të arrijë deri në skajet më të largëta të tokës, në çdo vend, fizik dhe dixhital”. Udha, që do të përshkojnë të rinjtë gjatë Kohës së Ardhjes, është ndarë në katër tema të mëdha, që propozojnë kujdesin dhe mënyrën e planifikimit, promovuar nga Papa Françesku në “Laudato sì”. Ato do të pasqyrohen çdo javë edhe në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, përmes këndvështrimit të të rinjve, të cilët kanë nxjerrë mësime nga kujdesi për shtëpinë e përbashkët.

Përmbajtja e projektit “Koha e Ardhjes Green Dream” do të botohet në italisht në rrjetet shoqërore të Cube Radio-s dhe do të ribotohet pjesërisht edhe nga mediat shoqërore të Vatican News. Përkthimi i kësaj udhe në anglisht, spanjisht dhe portugalisht do të publikohet në profilet Facebook, Instagram dhe Twitter të “Don Bosco Green Alliance”, një organizatë ndërkombëtare saleziane, që punon për të tërhequr vëmendjen ndaj çdo forme të jetës në planet dhe për të formuar një brez qytetarësh, të cilët i përkushtohen kujdesit për ambientin.

26 nëntor 2020, 13:05