Kërko

Papa: virusi duhet të na bashkojë, nëse na ndan, paguajnë popujt

Videomesazh i Atit të Shenjtë për pjesëmarrësit e Seminarit virtual “Amerika Latine: Kisha, Papa Françesku dhe skenarët e pandemisë”. Papa kërkon të veprohet me “përgjegjësi, transparencë dhe ndershmëri” për të kuptuar se jemi bij të të njëjtit Atë Qiellor, sidomos para pabarazive të shkaktuara nga pandemia

R.SH. - Vatikan

“T’u garantohet një jetë e denjë popujve tanë, sidomos më të përjashtuarve”: kështu u thotë Papa në një videomesazh, pjesëmarrësve të seminarit virtual me temë “Amerika Latine: Kisha, Papa Françesku dhe skenarët e pandemisë”. Objektivi i takimit është analizmi i pasojave të Covid-19 në jugun e Amerikës, për të përcaktuar veprimin e ndihmën solidare, që do t’i japë shpresë të re kontinentit.

Të fillojmë nga çdo periferi njerëzore

Ati i Shenjtë denoncon menjëherë se pandemia e ka vështirësuar edhe më gjendjen e më të varfërve të shoqërive latinoamerikane. “Kjo duket qartë – ngre zërin Papa – kur e shohim se jo të gjithë i kanë mjetet e nevojshme për të marrë masat më elementare të mbrojtjes kundër Covid-19: një çati të sigurt mbi krye, ku të realizohet distancimi shoqëror; ujë dhe produkte shëndetësore për higjienizimin dhe dezinfektimin e ambienteve; një punë të sigurt, që garanton mundësinë e shfrytëzimit të shërbimeve, sa për të përmendur gjërat më të domosdoshme”.

Papa Françesku kërkon përgjigje konkrete për këto probleme, të cilat janë pyetje që duhet t’i bëjë vetes çdo bashkësi, në të gjitha nivelet, për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për Amerikën Latine. Edhe sepse vështirësitë e mëparshme nuk janë zhdukur, si për shembull, zjarret nëpër pyje, që shkatërrojnë zona si Pantanal dhe Amazona, mushkëri të vërteta jo vetëm për kontinentin, por për gjithë botën.

Dy treshe të rëndësishme fjalësh

 E, duke pasur parasysh se pasojat e pandemisë do të ndihen gjatë, Papa Françesku kërkon që të gjithë të përveshin mëngët për të ndërtuar, që tani, që këtu, mbi Tokë, Mbretërinë e Zotit. Në të, vëren Ati i Shenjtë, “ka bukë për të gjithë e, madje, me tepri; organizimi shoqëror bazohet mbi kontributin, bashkëndarjen dhe shpërndarjen e jo mbi zotërimin, përjashtimin dhe akumulimin” e pasurisë. Janë dy treshe fjalësh, që Bergoglio këshillon të mbahen mirë parasysh, sa herë që reflektohet për shoqërinë pas pandemisë. “Virusi – pohon Papa – na kujton se mënyra më e mirë për t’u kujdesur për njëri-tjetrin është të mësojmë të kujdesemi e të mbrojmë ata, që kemi pranë”, duke krijuar kështu vetëdijen për lagjen, popullin, rajonin, vetëdijen për shtëpinë tonë të përbashkët. “E dimë – vëren Ati i Shenjtë – se përkrah pandemisë së Covid-19, ka edhe sëmundje të tjera shoqërore – mungesa e një çatie mbi krye, mungesa e tokës dhe e punës, tri T-të e famshme (techo, tierra, trabajo – shtëpia, toka, puna) – që shërbejnë si tregues e kërkojnë përgjigje bujare dhe vëmendje të menjëhershme”.

Politika të ngrihet në nivelin e bamirësisë shoqërore

 Para kësaj panorame të trishtë, Papa i bën thirrje shpirtit të popujve latinoamerikanë, duke u kërkuar të mos lejojnë askënd t’u vjedhë shpresën. Nga këto kriza mund të dalim më të mirë, ngre zërin Bergoglio. “Në këtë pikë, u drejtohem edhe atyre, që kanë përgjegjësi politike. Më lejoni, edhe një herë, t’ju ftoj ta rehabilitoni politikën, që ‘është një vokacion tejet i lartë, është një nga format më të çmuara të bamirësisë, sepse kërkon të mirën e përbashkët”. Papa përmend enciklikën e tij të fundit “Fratelli tutti”, ku flet për bamirësinë e dashurinë shoqërore, sipas së cilës të gjithë e konsiderojnë tjetrin vëlla e motër. Secili prej nesh mund ta ndihmojë tjetrin, thuhet në enciklikë, por kur bashkohemi me të tjerët për të krijuar procese shoqërore vëllazërimi e drejtësie për të gjithë, hyjmë në fushën e bamirësisë më të gjerë, në atë të bamirësisë politike. “Thellësia e krizës – nënvizon Ati i Shenjtë – kërkon, proporcionalisht, ngritjen e klasës politike e drejtuese, aftësimin e saj për ta lartuar vështrimin, për t’i udhëhequr e orientuar ndryshimet e ligjshme në kërkimin e zgjidhjeve të zbatueshme për popujt tanë”.

Të kërkojmë të mirën e përbashkët

 Ashtu si në shumë vende të botës, edhe në Amerikën Latine, politika vuan nga modeli i diskreditimit të kundërshtarit. Por këtë, denoncon Papa, e pësojnë popujt, sidomos më të varfërit. “Është koha që tipari dallues i atyre, që popujt i kanë zgjedhur për t’i qeverisur, të jetë shërbimi për të mirën e përbashkët dhe jo nënshtrimi i së mirës së përbashkët në shërbim të interesave të tyre. Të gjithë e dimë – vëren Françesku - dinamikën e korrupsionit që çon në këtë udhë. E kjo është e vërtetë edhe për burrat e gratë e Kishës; sepse këto dinamika të brendshme kishtare janë gërbulë e vërtetë, që e sëmur dhe e vret Ungjillin”. Për këtë arsye, Papa i këshillon të gjithë të sillen me të afërmin si Samaritani i Mirë e të kenë gjithnjë parasysh se “e mira, ashtu si dashuria, drejtësia dhe solidariteti, nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë; duhen arritur çdo ditë” (Fratelli tutti, n.11). Ati i Shenjtë i kërkon ndihmë Zojës së Guadalupes që Amerika Latine e njerëzit e saj ta kuptojnë se janë bij të të njëjtit Zot, të luftojnë për drejtësinë, me vetëdijen se bashkimi ka epërsi ndaj çdo konflikti.

19 nëntor 2020, 16:32