Kërko

Vatican News

Papa Françesku takon përfaqësuesit e Fairtrade

Fairtrade i paraqiti këto ditë Papës Françesku strategjinë e re globale të organizatës shumëkombëshe, për garantimin e drejtësisë shoqërore dhe klimatike për disa nga popullsitë më të rrezikuara në botë. Fairtrade është qark ndërkombëtar, që jep çertifikatën e tregtisë së drejtë e solidare.

R.SH. - Vatikan

Pesë përfaqësues të qarkut Fairtrade nga Gjermania, Luksemburgu, Italia, Afrika dhe Amerika Latine i paraqitën këto ditë Papës Françesku strategjinë e re globale të organizatës shumëkombëshe, për 5-vjeçarin 2021-2025. Synimi është garantimi i drejtësisë shoqërore dhe klimatike për disa nga popullsitë më të rrezikuara në botë. Delegacioni, lexohet në një notë, i dhuroi Atit të Shenjtë disa produkte të çertifikuara, shoqëruar me mesazhe mirënjohjeje dhe përkrahjeje nga fshatarë e fermerë të gjithë botës. Gjithashtu, anëtarët e tij i kërkuan Bergoglio-s të bëhet zëdhënës i problemeve të jetës së punonjësve të bujqësisë.

Fairtrade është qark ndërkombëtar, që jep çertifikatën e tregtisë së drejtë e solidare. Punon sidomos me vendet në zhvillim. Ka degë kudo e në të bëjnë pjesë shumë organizata, që përpiqen ta përmirësojnë punën e bujqve e të blegtorëve, të cilët i sigurojnë ushqimin gjithë botës.

Mary Kynua, kryetare e Fairtrade International, erdhi nga Kenia enkas për këtë rast. “Ishte nder i madh, që i paraqitëm Papës gjithçka po bën Fairtrade për të sensibilizuar kompanitë dhe qeveritë mbi rëndësinë e pagesës së drejtë për fshatarët dhe punonjësit e bujqësisë”, deklaroi ajo pas takimit.  Paolo Pastore, drejtori i Fairtrade Itali, shpjegoi: “Më se 2.300 kompani në botë, përfshirë supermarketet, kompanitë e marketingut, dyqanet e vogla dhe të mesme, hotelet, restorantet, bëjnë pjesë në Fairtrade dhe u japin fshatarëve e punonjësve të tjerë një çmim të drejtë për prodhimet e tyre, duke u bashkuar me ta në luftën kundër punësimit të fëmijëve e shpyllëzimit”. Së fundi, Miguel Munguia, duke folur në emër të prodhuesve të Amerikës Latine, i kërkoi Papës të lutet edhe për bashkësitë e bujqve të prekura nga Covid-19 e nga katastrofat e fundit ambientale në kontinent e në gjithë botën.

25 nëntor 2020, 13:26