Kërko

Shtatorja e Zojës së Papërlyer në Sheshin romak të Spanjës Shtatorja e Zojës së Papërlyer në Sheshin romak të Spanjës 

Papa Françesku nuk do të jetë më 8 dhjetor në Sheshin e Spanjës

Për shkak të emergjencës humanitare, Papa zgjedh një akt devocioni privat për Solemnitetin e Zojës së Papërlyer.

R. SH. - Vatikan

“Më 8 dhjetorin e ardhshëm Papa Françesku do të  bëjë një akt devocioni privat, duke ia besuar Zojës së Papërlyer qytetin e Romës, banorët e tij dhe të sëmurët e shumtë në të katër anët e botës”. Kështu shkruan në një komunikatë Salla e Shtypit, duke shpjeguar se “Papa vendosi të mos shkojë pasditën e 8 dhjetorit në Sheshin e Spanjës për Aktin tradicional të nderimit të Zojës së Papërlyer, nga shkaku i situatës së emergjencës shëndetësore, që të shmangë  rrezikun e infektimit, i cili mund të shkaktohet nga grumbullimi i madh njerëzve”.

Sivjet Françesku nuk do të jetë tek këmbët Zojës, ku, sipas traditës shumëvjeçare, vendoste kompozimin me lule të bardha duke i drejtuar edhe lutjen. Po lutja e dalë nga zemra në emër të popullit shenjt të Zotit nuk do të mungojë.  

O Zojë lëshoje një rreze nga drita e Krishtit në terrinat tona

Papa Bergoglio do t’ia drejtojë përsëri Marisë. E do të jetë një nga lutjet më të përgjëruara, për mbarë popullin e pushtuar nga një epidemi që, pa besimin në Atin,  Zojën e Birin e Saj Hyjnor, do t’i jepte një pamje vërtet të përmortshme botës mbarë. Po Papa - e me të edhe ne - do të mblidhemi simbolikisht përsëri te këmbët e së Papërlyerës, për t’u lutur. Duke kujtuar, në këto çaste lutjen e vjetshme, që ia drejtoi Ati i Shenjtë Nënës së Zotit te Këmbët e shtatores së Saj.

O Zojë e Papërlyer!

Po mblidhemi përsëri rreth teje.

Sa më shumë ecim përpara në jetë,

aq më mirënjohës jemi ndaj Zotit

që na dha ne, mëkatarëve një nënë:

Nënë si Ti,  të papërlyer.

Ndërmjet të gjitha qenieve njerëzore, ti je e vetmja

që u ruajt nga mëkati, si Nënë e Krishtit,

Qengjit të Zotit, që shlyen mëkatin e botës!

Po ky privilegj krejt i veçantë

t’u dhurua për të mirën e ne të gjithëve, bijve të tu.

Sepse, kur të shikojmë Ty, shikojmë fitoren e Krishtit,

ngadhënjimin e dashurisë së Zotit mbi të keqen.

Atje ku e teproi mëkati, domethënë, në zemrën njerëzore,

u dikua begatisht hiri,

nëpërmjet pushtetit të butë të Gjakut të Krishtit.

Ti, Nënë, na kujton se, po, jemi mëkatarë,

por jo më skllevër të mëkatit!

Biri yt, me Flijimin e Tij,

e shembi sundimin e së keqes e ngadhënjeu mbi botën.

Kjo i tregon të gjitha breznive Zemrën tënde,

të kulluar si qielli, kur era i davarit retë.

E kështu ti na kujton se nuk është e njëjta gjë

të jesh mëkatar e të jesh i korruptuar; është krejt ndryshe.

Një gjë është të rrëzohesh e pastaj, i penduar, të rrëfehesh

e të ngrihesh përsëri në këmbë

me ndihmën e Zotit;

e gjë tjetër, bashkëfajësia hipokrite me të keqen,

korrupsioni i zemrës, që përjashta duket e panjollë,

por përbrenda është plot me ndjete të këqija,

me egoizëm meskin.

Pastria jote e kulluar na kërkon sinqeritet,

transperencë, thjeshtësi.

Sa nevojë kemi, o Zojë, të çlirohemi

nga korrupsioni i zemrës, që është rreziku më i madh!

Kjo na duket e pamundur, aq jemi mësuar me të,

e pra e prekim me dorë. Por, mjafton të ngremë sytë

 e të shohim buzagazin tënd,

bukurinë tënde të papërlyer,

për ta ndjerë përsëri se nuk u bëmë për të keqen,

por për të mirën, për dashurinë e Zotit!

Prandaj, o Virgjëra Mari,

sot po t’i besoj të gjithë ata që, në këtë qytet,

e në mbarë botën, shtypen nën barrën e mosbesimit

e të ligështimit për shkak të mëkatit;

sa e sa njerëz mendojnë se për ta nuk ka ma kurrfarë shprese,

se fajet e tyre janë shumë e tepër të rënda,

e se, sigurisht, Zoti nuk ka kohë për të humbur me ta.

Po i lëshoj në dorë tënde, sepse ti jo vetëm që je nënë

e si e tillë nuk pushon kurrë s’i dashuri bijtë e tu,

por je edhe e papërlyer, hirëplote,

e mund ta lëshosh edhe në terrinat më të dendura

një rreze nga drita  e Krishtit të Ngjallur.

Ai, vetëm Ai, i copëton zinxhirët e së keqes,

i zhduk veset më të ndyra, i zgjidh leqet më kriminale,

i prek zemrat më të ngurta.

E nëse kjo ndodh në shpirtin e njerëzve,

si ndërron edhe fytyra e qyteteve!

Në gjestet e vogla e në vendimet më të rëndësishme,

rrethet veskëqia bëhen pak nga pak virtuoze;

cilësia e jetës përmirësohet

e klima shoqërore bëhet më përtëritëse.

Të falënderojmë, o Nënë e Papërlyer,

që na kujton se, nëpër dashuri të Jezusit,

ne nuk jemi më skllevër të mëkatit,

por të lirë: të lirë të duam, të lirë të duhemi,

të ndihmohemi si vëllezër, edhe pse ndryshojmë.

Të falemi, o Zojë! Ti Nënë e Papërlyer,

 me dlirësinë tënde, ti na jep zemër

të mos turpërohemi nga e mira, por nga e keqja;

na ndihmon të rrimë larg djallit,

që  na josh me mashtrime drejt tij e dredhave të vdekjes!

na e dhuro, të lutemi, kujtimin e ëmbël se jemi bij të Zotit,

Atit të mirësisë së pambaruar,

gurrës së amshuar të jetës, të bukurisë, e të dashurisë”. Amen!

30 nëntor 2020, 14:56