Kërko

Papa: të lutemi që teknologjia të jetë gjithnjë në shërbim të njeriut

Përballë progresit, rezultat i hapave të mëdha përpara në fushën e robotikës e të inteligjencës artificiale, Papa Françesku u kujton të gjithëve se teknologjia duhet “të respektojë dinjitetin e njeriut dhe Krijimin" e Zotit. Në ndjetin e lutjes për muajin nëntor, Ati i Shenjtë u kërkon besimtarëve të luten që zhvillimi teknologjik të ketë në qendër njeriun.

R.SH. - Vatikan

Inteligjenca artificiale, një realitet në zhvillim të shpejtë, nuk është pa rreziqe dhe pasoja negative, nëse nuk ka parasysh centralitetin e njeriut. Prandaj, në ndjetin e lutjes për muajin nëntor, Papa Françesku u kërkon besimtarëve të gjithë botës, të luten “që prograsi i robotikës dhe i inteligjencës artificiale të jetë gjithnjë në shërbim të njeriut”. E Ati i Shenjtë shton: “le të themi, të jetë ‘njerëzore’”.

Papa: përparimi duhet t’i shërbejë së mirës së përbashkët

Videoja, që si zakonisht, përhapet në gjithë botën nga Rrjeti i Lutjes së Papës, u publikua sot pasdite. “Inteligjenca artificiale – thotë Papa në spanjisht - është në themel të ndryshimeve në epokën, që po jetojmë”. E vijon: “Robotika mund ta bëjë botën më të mirë, nëse bashkohet me të mirën e përbashkët. Pasi, nëse progresi teknologjik i rrit pabarazitë nuk është përparim i vërtetë”. Papa tregon rrugën, që duhet përshkuar, duke kujtuar se “hapat e ardhshme përpara duhet të orientohen drejt respektimit të dinjitetit të njeriut dhe të Krijimit” të Zotit.

Hapat e inteligjencës artificiale

Në komunikatën e Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, shpjegohen fjalët e Papës Françesku. “Nuk është ndonjë risi – lexohet në të - që vitet e fundit, Inteligjenca Artificiale (AI) ka përparuar në mënyrë eksponenciale, siç dëshmohet nga zbatimet e shumta në fusha të ndryshme të dijes. Deri më sot, 37% e organizatave globale përdorin, në një farë mënyre, Inteligjencën Artificiale, me një rritje prej 270% gjatë katër viteve të fundit”. Inteligjenca artificiale është në gjendje të zgjidhë shumë probleme. Në komunikatë renditen disa prej tyre, si vlerësimi i aftësive të studentëve, ndihma për njerëzit me aftësi të kufizuara, që ata të komunikojnë më mirë, si edhe lehtësimi i mbledhjes dhe i shpërndarjes së informacionit shëndetësor, për të përmirësuar diagnoza e trajtime mjekësore. Në fushën ekologjike, zbatimet janë të jashtëzakonshme: mund të analizohen të dhënat për ndryshimin e klimës që të parashikohen katastrofat natyrore. Inteligjenca artificiale mund të shërbejë edhe për të ndërtuar qytete me kosto më të ulët dhe me një shfrytëzim më të frytshëm energjitik.

Duhen garantuar mundësi e mirëqënie për të gjithë

Mundësitë që zhvillimi tekonologjik të kontribuojë për të mirën e përbashkët janë të mëdha, e videoja e Papës, realizuar me filmime të Enel-it dhe të Institutit Italian të Teknologjisë, tregon disa prej tyre. “Detyra jonë - thotë administratori (CEO) i Enel-it, Francesco Starace - është të sigurojmë që, siç thekson Papa Françesku, rezultatet e përftuara të shpërndahen në mënyrë të barabartë dhe të krijojnë mundësi të reja e mirëqenie. Për t’i orientuar pozitivisht veprimet dhe vendimet tona në të tashmen dhe në të ardhmen, duhet të vendosimnë qendër respektin për njerëzit dhe mjedisin”.

Zhvillimi dhe përgjegjësia duhet të ecin së bashku

“Ndryshimi i shoqërive e transformon edhe punën. Është fjala për  ndryshime të shpejta, që duhen shoqëruar, që të jenë për të mirën e të gjithëve”, vëren atë Frédéric Fornos, jezuit, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit të Lutjes së Papës. Për të, ndjeti i lutjes së Papës Françesku, “përforcon idenë se të mirat, që ka përftuar e do të vazhdojë t’i përftojë njerëzimi, duke filluar nga progresi teknologjik, duhet të përfshijnë, paralelisht, edhe zhvillimin e duhur të përgjegjësive e vlerave”. Inteligjenca artificiale, robotika dhe zbatime të tjera teknologjike, nënvizon atë Fornos, paraqesin sfida të mëdha për etikën dhe drejtësinë shoqërore. Prandaj, përfundon ai, “kërkesa e Papës është e rëndësishme: të lutemi që përparimi të jetë gjithmonë njerëzor”.

05 nëntor 2020, 17:05