Kërko

Papa Françesku: besojmë në ringjalljen, e cila nuk është mirazh

Në homelinë e meshës për shpirtin e kardinajve dhe të ipeshkvijve të vdekur gjatë këtij viti, Papa Françesku kujtoi shtangien para zisë, trishtimin, që na bën të besojmë se gjithçka përfundon me vdekjen. Por feja na e ndryshon perspektivën.

R.SH. - Vatikan

Shpërthimi në vaj për vdekjen e Lazrit, përjetimi me dhimbje i mungesës së një njeriu të dashur, balsami mbi hidhërimin, përmes fshirjes së lotëve, me shpresën e ringjalljes. Ungjilli i meshës së sotme, për shpirtin e kardinajve dhe të ipeshkvijve të vdekur gjatë këtij viti, kremtuar nga Papa Françesku në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, përvijon udhën, që përjeton secili prej nesh para vdekjes. Një lloj shtangie, pohoi Ati i Shenjtë, të cilën “besimi në ringjalljen as e injoron, as e maskon”, por, na bën të shohim më tej:

“Zbulesa e Jezusit, sot, na sfidon të gjithëve: jemi të thirrur të besojmë në ringjalljen, jo si të ishte ndonjë mirazh në horizont, por si një ngjarje e pranishme, që na përfshin mistershëm që tani”.

Jezusi “është plotësisht solidar me ne”, e njeh dhimbjen që ndien njeriu, por kjo “nuk e errëson dritën e së vërtetës, që buron nga zbulesa e tij, shenjë e jashtëzakonshme e së cilës qe pikërisht ringjallja e Lazrit”.

Hapi i madh i fesë

 Duke komentuar Ungjillin, që flet për Jezu Krishtin, i cili ngjalli Lazrin prej së vdekurish, Papa vërejti se gjithçka ka të bëjë me pyetjen më të rëndësishme: “Kush jeton dhe beson në mua nuk do të vdesë përgjithmonë. A e besoni këtë?” Përgjigjia është hap i madh i fesë, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili dha edhe perspektivën e interpretimit:

“Kur ndodh ky hap, ndryshon mënyra, me të cilën i mendojmë dhe i shohim gjërat. Syri i fesë, duke e kapërcyer të dukshmen, në një farë mënyre, shikon të padukshmen. Atëherë, çdo ngjarje vlerësohet në dritën e një përmase tjetër, atë të amshimit”.

Trishtimi ia lë vendin kthimit të zemrave

 Duke u lutur për kardinajtë dhe ipeshkvijtë e vdekur, Papa i kërkoi Zotit “ta davaritë këtë trishtim negativ, i cili nganjëherë depërton thellë, sikur gjithçka të mbaronte me vdekjen”: është “ndjenja larg nga feja”, e cila pasqyron frikën e çdo njeriu para vdekjes, frikën se askush s’mund t’i shpëtojë asaj, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“Për këtë arsye, para enigmës së vdekjes, edhe besimtari duhet të kthehet vazhdimisht kah Zoti. Çdo ditë, jemi të thirrur të shkojmë përtej imazhit instinktiv, që kemi për vdekjen, si të ishte asgjësim i plotë i njeriut; të kapërcejmë të dukshmen e qartë, mendimet e kodifikuara e të zakonshme, opinionet e përhapura, për t’i besuar plotësisht Zotit, që na kumton: ‘Unë jam ringjallja dhe jeta; kush beson në mua, edhe sikur të vdesë, do të jetojë; kush jeton dhe beson në mua nuk do të vdesë përgjithmonë’”.

Lutja e krishterë

 Fjalët e Jezusit, pranuar me fe, e bëjnë lutjen për të vdekurit “vërtet të krishterë”, pohoi më tej Ati i Shenjtë. Ato na bëjnë ta kuptojmë vlerën e vërtetë të jetës së të dashurve tanë të vdekur, të së mirës që kanë bërë, të dashurisë që na kanë dhuruar e na bëjnë edhe ta shikojmë jetën e tyre e tonën, në perspektivën e amshimit:

“Lutja për shpirtin e të vdekurve, që i lartojmë Zotit me besimin se ata jetojnë me Të, dikon të mirat e saj edhe mbi ne, shtegtarë këtu në tokë. Na edukon me këndvështrimin e vërtetë për jetën; na zbulon kuptimin e mundimeve, që duhet t’i kalojmë për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit; na e hap mendjen ndaj lirisë së vërtetë, duke na predispozuar për kërkimin e vazhdueshëm të pasurive për amshim”.

Së fundi, Papa foli për dëshminë e kardinajve dhe të ipeshkvijve, që jetuan me besnikëri ndaj Zotit, duke i shërbyer Ungjillit. “Të lutemi për ta – tha Ati i Shenjtë - duke u përpjekur ta ndjekim shembullin e tyre”, veçanërisht “në këtë kohë sprove”, kur udhëtimi bëhet më i vështirë, por Zoti është gjithmonë i pranishëm e na e shtrin dorën.

05 nëntor 2020, 12:45